TAGS-AT E JAVËS

Forum 1 Shtator 2024, 16:30

E vërteta, fjala dhe e pavërteta në një shoqëri!

Shkruar nga Spartak Ngjela

E vërteta, fjala dhe e pavërteta në një shoqëri!

E patë se si u diskretitua komunizmi? U diskreditua, sepse ishte një doktrinë që qe mbështetur te gënjeshtra.

I.

Ishte Leonardo da Vinci ai që i pari tha: Heshtja të rrit personalitetin.

Dhe heshtja ka qenë në fakt edhe një mbrojtje për intelektualët e Shqipërisë në kohën e komunizmit.

Po sot?

Sot nuk ka heshtje. Sot ka televizione dhe debate, prandaj, Leonardoja është i një kohe tjetër.

Sot, në politikë, në art, dhe në televizion është fjala ajo që të jep mundësinë e shkëlqimit tënd intelektual.

Por, në lidhje me personalitetin e atij që flet në publik apo në një televizion, i domosdoshëm është raporti midis fjalës tënde dhe të vërtetës.

E vërteta në mesjetë ka qenë frikë, sepse regjimet fetare dhe tiranike kishin krijuar gënjeshtrën politike.

Gjatë Shekullin e XX, këtë gjendje errësire kundrejt së vërtetës, e përdori në 60 vite rresht edhe komunizmi nëpër pushtetet diktatorialë që formoi.

Por, koha moderne, me rritjen e individualitetit dhe personalitetit të njeriut, e ka kaluar gënjeshtrën në një moment të rëndë amoral.

II.

Në një televizion: Fjala ose të ngre, ose të ul përdhe. Dhe kryesorja është raporti midis të vërtetës dhe gënjeshtrës.

Ne jemi në kohën e fjalës, por, a jemi në gjendje që ta përdorim atë në nivel të lartë?

Duhet të kuptojmë se e vërteta është substanca e një jete intelektuale. Dhe e vërteta del e shfaqet nëpërmjet fjalës. Por edhe gënjeshtra, po nëpërmjet fjalës del.

Atëherë?

Por, koha e sotme adhuron të vërtetën. Dhe ky është një zhvillim i madh historik i ndërgjegjes  njerëzore.

Gënjeshtra ose hipokrizia kanë rënë në shëmtim. Askush nuk do që t'i dëgjojë për të formuar bindjen e vet.

Kjo është arsyeja që sot filozofia moderne na e ka thënë me force se: e vërteta është kthyer në rolin e saj kyç në të kuptuarin tonë të botës dhe të njeriut publik.

Fjala publike jashtë të vërtetës, sot, në botën e zhvilluar, por edhe në Shqipëri, krijon bezdinë e neverisë e të mospranimit absolut.

Filozofi modern Donald Davidson, ishte më seriozi që në veprën e tij: E Vërteta Gjuha dhe Historia, na tha: Është e domosdoshme për ta paraqitur të vërtetën si një diçka më të madhe se ajo është paraqitur( D.m.th si e menduar deri tani. S N.)

Ajo shoqëri që e ka të krijuar bindjen me të pavërtetën, të cilën e ka si substancë të jetës, është në një krizë të madhe morale.

E patë se si u diskretitua komunizmi? U diskreditua, sepse ishte një doktrinë që qe mbështetur te gënjeshtra.

Prandaj, personaliteti i njeriut publik qëndron te mbështetja e tij tek e vërteta.

 III.

Unë e kam konstatuar se aktualisht, në Shqipëri dhe në Kosovë, fjala në të folurit skenik e në të folurin publik është rritur në nivel.

Duhet të kuptojmë një gjë: gjuha shqipe është një gjuhë shumë e vështirë.

Shqipja është një gjuhë shumë e vjetër, më e vjetra, dhe sot është provuar si gjuha me forcën me të madhe shprehëse.

Shqipja sot i ka të gjitha.

Ishte Fan Noli i pari që përktheu në shqip Shekspirin, dhe të gjithë e panë që Hamleti dhe Magbethi ishin më bukur në shqip, në tingull dhe në forcën e fjalës, se sa në anglisht.

Por tani ka nevojë që letërsia dhe shkolla, gjuhën shqipe duhet ta çojnë edhe më tej në elokuencën televizive. Jo se është dobët, por duhet të kuptojmë se koha, në ecjen përpara, është zhvillim i aspekteve të jetës shoqërore, dhe ky zhvillim shfaqet vetëm nëpërmjet fjalës.

ngjela

Lini një Përgjigje