Revolta është ndjenja e akumuluar e padrejtësisë, indinjata ndaj arbitraritetit, refuzimi i status quo-së. Është energji e grumbulluar që nuk shuhet. Ndryshon gjendje dhe shfaqet sërish, në forma shumë më të vështira për t’u kontrolluar.
Protestat mund të mbarojnë. Revolta jo. Kjo është gjëja e parë që duhet kuptuar. Edhe nëse kjo protestë mbytet, ndjenja që e lindi nuk zhduket.
Protesta është organizim. Ka kohën, vendin dhe formën e saj. Ajo mund të shpërndahet, të lodhet, të shtypet, apo edhe të manipulohet e të vritet nga teatri i pështirë i skenës së vjetër politike.
Revolta është diçka krejt tjetër.
Ajo nuk është një “ngjarje” që mund ta shpërndajë policia, as një turmë që mund t’ia marrë frymën vapa.
Revolta është ndjenja e akumuluar e padrejtësisë, indinjata ndaj arbitraritetit, refuzimi i status quo-së. Është energji e grumbulluar që nuk shuhet. Ndryshon gjendje dhe shfaqet sërish, në forma shumë më të vështira për t’u kontrolluar.
A ka revoltë në Shqipëri? Përgjigja dihet. Madje (dhe ky është problemi i vërtetë i kësaj kaste politike) ka shumë më tepër të revoltuar në shtëpi sesa protestues të përditshëm në sheshe.
Ky shpërthim që po shohim nuk është një zemërim kalimtar.
Përpara se rrugët të mbusheshin, vendi ushqente një mllef të heshtur nga korrupsioni, padrejtësia, pabarazia e mundësive. Mbi këtë shtresë, ra si shkrepëse indinjata legjitime ndaj një akti të thjeshtë dhune, që zbuloi më pas vendime arbitrare për tjetërsime të pronës publike e private, të gatuara në errësirë të plotë.
Tani kemi të bëjmë me një energji në zgjerim, në rritje të përditshme. Sa më gjatë të tentohet shtypja e saj aq më i pakontrollueshëm do të jetë shpërthimi i ardhshëm. Dhe aq më i rëndomtë, madje banal, do të jetë shkaku i radhës që do ta shkarkojë atë.
Kushdo në pushtet që mendon se mund ta vrasë një protestë të tillë si kjo “e flamingove”, thjesht ka blerë pak kohë me fajde, duke e bërë faturën e ardhshme sociale tmerrësisht më të kripur.
Asnjë pushtet, sado i fortë dhe i sofistikuar në mbytjen e zërave, nuk e menaxhon dot për shumë kohë indinjatën e akumuluar të një populli të vjedhur dhe më pas të fyer.
Kryeministri, nga fodullëku bosh i Olimpit të tij politik, bëri gjithçka mundi gjatë këtyre pesë-gjashtë javëve që të na bënte të gjithëve të ndihemi pikërisht kështu.
Në vend të reflektimit, ai e helmoi debatin publik me kunja, epitete dhe fyerje ndaj protestuesve. Që janë fëmijët tanë.
Preferoi të ndante Shqipërinë me viza të trasha në “tona dhe e tyre” e të shpikte armiq imagjinarë. Mbi të gjitha, teksa njerëzit ishin në shesh, ai vijoi i patrazuar firmosjet ‘strategjike’ klienteliste në bregdet.
Një kokëfortësi (jo fort e pakuptueshme) edhe aty ku qartazi është i zhytur në gënjeshtër dhe gabim.
Edhe nëse pranojmë skenarin që në turmë ka njerëz me axhenda, radikalë, derra, sorra, etj, një shtetar nuk replikon me këta në TV, vepron me institucionet që ka shteti. Dhe në të tilla raste vepron në heshtje.
Një udhëheqës vizionar, siç i pëlqen atij ta shohim, e trajton popullin në shesh si problematikë sociale që kërkon zgjidhje, jo si tabor armiqsh personalë me të cilët duhet të shkëmbejë replika banale ditë e natë. Kur zbret në atë nivel fjalori, Kryeministri nuk fyen ata që janë në shesh. Ai zhvleftëson dhe zvogëlon karrigen ku qëndron.
Për këtë nuk ka asnjë justifikim. As eventualiteti i dhunës kur një protestë përshkallëzohet nuk e shfajëson dot. Sepse, në të vërtetë, ruajtja e qetësisë dhe jo-përshkallëzimi është detyrë e pushtetit, jo e rrugës.
Nëse vërtet synon historinë, Kryeministri duhet të kuptojë se burri i shtetit ka aftësinë për të përfaqësuar edhe ata që e urrejnë. Ti je kryeministër i të gjithëve, edhe i protestuesve në rrugë, edhe i kritikëve më të egër, edhe i ‘korbave’ që guxojnë t’u dalin kundër tekave të tua. Betimi si Kryeministër nuk është privilegj për të zgjedhur audiencën.
Kjo arrogancë e përditshme, ky cinizëm verbal nuk janë shenjë e një lideri të fortë, por simptomë e një papjekurie të thellë jo vetëm politike. Është degradim i skajshëm i asaj që duhet të përfaqësojë shteti.
Por Kryeministri, edhe pse ka dekada në pushtet, ende nuk e ka bërë dot kapërcimin nga individi tek institucioni.
Më e rëndësishmja, me refuzimin për të ngrirë qoftë edhe përkohësisht këto projekte të dyshimta, ai e ka zbuluar hapur hierarkinë e tij të vlerave. Na ka provuar se llogaritë e klientelës mbi këto resorte kanë më shumë peshë se çdo gjë tjetër në Shqipëri. Duke sakrifikuar pa asnjë lëkundje edhe vetë paqen sociale.
Përballë kësaj, kjo protestë e jashtëzakonshme është një provë e madhe maturie për shoqërinë tonë.
Ajo ka kapërcyer prej kohësh fatin e flamingove dhe ka ngritur në shesh këmbanën e madhe: Zhvillimi real i një kombi nuk mund të jetë kriminalizimi i tij përmes parasë së drogës, nxitimit për luksin e rremë të hoteleve, gradaçelave apo kazinove.
Zhvillimi i vërtetë matet me shkollat, me edukimin, projekte afatgjata që ndërtojnë qytetarë, jo mure betoni.
Lini një Përgjigje