
Miliarderët po rriten, klasa e mesme po varfërohet...
Nëse të pasurit pasurohen dhe të varfrit varfërohen, çfarë do të ndodhë? Kjo është një pyetje e domosdoshme dhe dramatike, sepse të gjitha revolucionet lindin nga një çekuilibër i paqëndrueshëm. Dhe ato nuk ndodhin kurrë gradualisht: në një moment të caktuar, njerëzit nuk mund ta durojnë më. Dhe reagojnë.
Ka një vend ku duhet të përqendrojmë vëmendjen tonë: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat mbeten, për momentin, laboratori i Perëndimit. Hendeku mes ultra të pasurve dhe pjesës tjetër të popullsisë ka arritur përmasa të papara. Brenda një dite, drejtori ekzekutiv i një kompanie të indeksit S&P 500 (kompanitë më të mëdha të listuara në Wall Street) fiton aq sa punonjësi i tij fiton gjatë një viti të tërë. SHBA-ja është shtëpia e 1.135 miliarderëve, pasuria kolektive e të cilëve tejkalon 5,7 trilionë dollarë. Në thelb, një mijë individë kontrollojnë më shumë pasuri sesa gjysma e amerikanëve më të varfër, rreth 170 milionë njerëz.
Ndërkohë, klasa e mesme po humbet terren. Në SHBA, shpenzimet për nevojat bazë, strehimin, kujdesin shëndetësor dhe arsimin po rriten me një ritëm tri herë më të shpejtë se inflacioni i përgjithshëm. Uljet e taksave për korporatat e mëdha dhe individët me pasuri të lartë kanë lehtësuar barrën tatimore mbi kapitalin në krahasim me punëtorët me pagë, ndërsa bumi i Wall Street-it ka pasuruar vetëm ata që zotërojnë aksione. Sulmi ushtarak ndaj Iranit ka rritur çmimet, frustrimin dhe ankthin. Dhe ndërsa në Evropë, në fund të kësaj pjerrësie, ekziston një rrjet sigurie — ndihma sociale dhe kujdesi shëndetësor publik — në Shtetet e Bashkuara humnera po zgjerohet.
Përballë kësaj humnere, mega të pasurit amerikanë nuk duken të shqetësuar. Përkundrazi, ata mburren me entuziazëm me stilin e tyre të jetesës prej mbretërish, me pasurinë e tyre të jashtëzakonshme dhe me ndikimin e tyre politik. Ata u shfaqën me vendosmëri në inaugurimin e Donald Trumpit; e shoqëruan atë në Kinë me bindje; shmangin ta kritikojnë, sa herë që munden. Shikoni filmin Mountainhead, të realizuar nga krijuesi i serialit Succession: aty dinamikat mes oligarkëve amerikanë paraqiten me një sarkazëm therëse dhe didaktike.
Musk, Zuckerberg, Ellison, Thiel, Altman, Bezos dhe të tjerët nuk duken të shqetësuar nga shtrembërimet e shoqërisë në të cilën jetojnë. Ata kanë ide të ndryshme, shpërfillin kritikat dhe nuk kanë frikë nga tepria: janë superyjet e rinj globalë dhe e dinë këtë. Deri tani kanë pasur fat: kanë gjetur një president të aftë të shpërqendrojë opinionin publik më pak të informuar. Donald Trump ka arritur ta kanalizojë pakënaqësinë drejt të tjerëve: elitave të arsimuara, emigrantëve dhe të huajve. Por sa gjatë mund të vazhdojë kjo? Realiteti është kokëfortë dhe herët a vonë troket në derë.
Tucker Carlson, ish-prezantues televiziv dhe ish-propagandist i Trumpit, i njohur për fjalimet e tij të gjata, shpreh shqetësimin e vet në një intervistë të gjatë video për New York Times: shoqëria amerikane rrezikon të shpërthejë. Carlson vëren se Luigi Mangione, i cili në vitin 2024 vrau në rrugë drejtuesin e një kompanie të madhe të sigurimeve shëndetësore, është shndërruar në një lloj heroi kombëtar ndërsa pret gjykimin. Një gjë e tillë nuk ishte parë kurrë më parë në SHBA.
A përballemi me këto rreziqe në Itali? Për fat të mirë, jo. Por duhet të jemi të kujdesshëm: pjerrësia ekziston dhe është e rrëshqitshme.
Siç e dimë, gjatë tridhjetë viteve të fundit ekonomia jonë ka shënuar një rritje shumë të vogël. Prodhimi i Brendshëm Bruto është rritur me një normë mesatare vjetore prej më pak se 1 për qind: vetëm një duzinë vendesh në botë kanë pasur rezultate më të dobëta se ne. Sipas hartës së Eurostat-it për pagat neto vjetore, të korrigjuara sipas fuqisë blerëse, ne renditemi në intervalin midis 20.000 dhe 30.000 eurove. Mesatarja e Bashkimit Evropian është 39.000 euro, në Francë 60.000 dhe në Gjermani 64.000. Sipas një ankete të Altroconsumo-s, të cituar edhe nga Corriere della Sera, 47% e të anketuarve thanë se kishin vështirësi në përballimin e kostove të strehimit dhe 43% raportuan probleme me shpenzimet e kujdesit shëndetësor. Do të jetë interesante, në fund të verës, të shohim sa pushime kanë bërë italianët.
Megjithatë, në Itali, ashtu si në SHBA, tepria e parave frymëzon admirim dhe entuziazëm. Prej disa kohësh jemi bërë vetëkënaqës dhe servilë ndaj shfaqjes së hapur të pasurisë. Me ndihmën e rrjeteve sociale, kjo hipnozë kolektive po forcohet: për disa, luksi i tepruar po shndërrohet në një fe. Mjafton të shohësh reagimin e kalimtarëve kur një supermakinë parkohet mbi një vendkalim këmbësorësh. Sytë e tyre duket sikur thonë: “Ai mund ta bëjë.”
Disa rrethana e favorizojnë këtë fenomen: pasuritë e mëdha gjejnë strehë në Itali; turistë të huaj me mundësi të pakufizuara shpenzimi, të larguar nga destinacione turistike të pasigurta, po dynden në vendin tonë. Turma ultra të pasurish vijnë për t’u martuar në Itali: në Romë, Venecia, Toskanë, Kapri, Taorminë dhe në Liqenin e Komos. Të jesh një vend i kërkuar për dasma është një gjë e mirë. Por kjo nuk mund të bëhet simbol kombëtar.
Le të jemi të qartë: asnjë udhëheqës italian nuk duket i prirur të imitojë Donald Trumpin. Një udhëheqës që pasurohet paturpësisht dhe imagjinon statuja të arta e monumente gjigante për veten e tij, për fat të mirë nuk duket në horizont. Por ai model estetik dhe politik, i mbështetur mbi lajkat dhe nënshtrimin, po depërton në mendësinë tonë dhe rrezikon të ketë pasoja.
Le të përpiqemi t’i rezistojmë. Ne jemi një komb shoqëror, i mësuar të ndajë shumë gjëra: nga sheshet te baret, nga plazhet te stadiumet, nga trenat te Sanremo. Që modeli ynë i bashkëjetesës të mbijetojë, ekzistenca e klasës së mesme është jetike. Nëse varfërohemi duke përkëdhelur tepër të pasurit, na presin ditë të hidhura. Në librin e Alec Rossit, Ëndrra Italiane, vetëpërmbajtja e buzëqeshur, dhe jo tepria vulgare, paraqitet si tipari dallues italian. Është eleganca, jo ekzibicionizmi, ajo që do të na bëjë të fluturojmë sërish në botë./Përshtati "Pamfleti" nga "Corriere della Sera"
Viva Revolution! Aty do te ndodhe ngordhja e te pasurve.
Italia është vendi ku të pasurit janë të varfer sesa të pasurit e Amerikes dhe të varfrit janë më të pasur se të varfrit e Amerikes
Tek ne në Shqipri shtresa e mesme po cof, fal kontributit te qeverisjes se keqe te zotni Rames. Ndaj kaq varfni ka. ndaj kjo protest e nisun nuk ka per me u ndal pae rrxu ket halen qe shfaros te mesmit