TAGS-AT E JAVËS

Forum24 Gusht 2025, 15:03

I gjalli në pushtet edhe homazhi i tij për ish mikun e vjetër!

Shkruar nga Irena Beqiraj

I gjalli në pushtet edhe homazhi i tij për ish mikun e vjetër!

Në portat e Shën Pietrit "llogaritë" i bën vetëm me Zotin, me askënd nga ato që le pas. Të gjallëve, qofshin mbretër a skllevër u mbetet ose të shprehin respektin, nderimin, mirënjohjen, admirimin, vlersimin, lavdërimin ose te heshtin...

Kjo ditë homazhesh për "mikun e kohëve të tjetra" të Kryeministrit, me risolli në memorje shënimin e tij, që shumë media e quajtën “Homazhi i Kryeministrit për Maks Velon", i cili ishte një duel pa kundërshtar.

Sipas mikut të tij Kryeministër:

"Figurat e Maksit ishin një gjymtim sëkëlldisës, ngjyrat e tij një pengim lodhës, poezitë e tij një ngërc sfilitës apo opinionet e tij një ton çjerrës”.

Ndërsa shkruesi shprehej i bindur se kushdo që do të ndeshet me pikturën e tij mund të pyesë “ kush është ky Maks Velo?", bashkohës të tjerë mendojnë se emri i tij do të jetë i skalitur në piedestalin e intelektualëve te lirë, pa interesa okulte dhe pa dëshirë të dëshpëruar për pushtet.

I zhdërvjellet, i sinqertë për ato çka mendonte për një “mik” i cili ka qenë edhe kundershtar i tij publik, shkrimi i Kryeministrit në fakt çirrej ndaj vet shkruesit duke i ulëritur “vuan nga sindorma Hubris”, një koktej i rrezikshëm i vetbesimit, arrogancës dhe krenarisë që ushqehet nga pushteti dhe predispozicioni yt personal autoritar.

Mik i një kohë tjetër ishte edhe Zheji. Edhe kështu do të jenë të gjithë. Në pushtet njeriu autoritar nuk i duron dot njerëzit me ide të ndryshme dhe është alergjik ndaj debateve të ashpra. Pushteti krijon nje kornizë mendore e cila nuk lejon krijimin e lidhjeve të forta, për këtë arsye miqtë të gjithë do t'u përkasin kohëve të tjera edhe udhëheqësi i katandisur në një qënie të vetmuar  cinizimin e ka te pashmangshem.

E njoha pak Maksin, po aq pak edhe Zhejin, udhëheqësin e njoh çdo ditë edhe më pak.

Por "dashuria e Maksit me vetveten", apo "mungesa e paqes shpirtërore tek Zheji", nuk mund të ishin kurrë aq shkatërruese,gërryese sesa trasformimi rënjësor i cili kompromenton mendjen, emocionet, rrjedhimisht dhe mënyrën sesi njeriu në pushtet shikon dhe vlerëson gjithçka përrreth.

Në portat e Shën Pietrit "llogaritë" i bën vetëm me Zotin, me askënd nga ato që le pas. Të gjallëve, qofshin mbretër a skllevër u mbetet ose të shprehin respektin, nderimin, mirënjohjen, admirimin, vlersimin, lavdërimin ose te heshtin! Megjithëse është provuar se të heshtësh duhet më shumë kurajo se sa të flasësh.

Miqtë e kohës tjetër, qoftë "Maksi i dashuruar me lirinë" apo "Zheji me mungesën e tij të paqes" i kujtojnë mikut te gjallë e në pushtet se liria e paqja në vargonjtë e pushtetit mungojnë me tepri. Por me shumë se mungesa e tyre sot, tmerron frika se këto të dyja i gjalli në pushtet nuk do ti gjejë as përtej portave të Shënpjetrit.

Qoftë e largët ajo ditë për të, por deri atëherë, edhe pse i gjallë edhe pse sy hapur ai do të vdesë nga pak nga pamundësia për t'u bëre homazh siç miqve të çdo kohe u takon, apo mungesa e kurajës për të heshtur për ish miqtë e vdekur.

Lini një Përgjigje