
Ish-këshilltari i presidentit rus, Sergey Markov, thotë se mes palëve ka ende shumë distancë për të arritur një marrëveshje. Sipas tij qënia e Zelenskyt në krye të Ukrainës, i leverdis Putinit për shkak të distancës së tij nga Trump.
“Unë mendoj se sot ka vetëm 25-30 për qind shanse që të arrihet një marrëveshje serioze dhe jo sa për sy e faqe. Midis palëve ka ende një distancë shumë të madhe”. Sergey Markov është në humor të mirë. Ish-këshilltarin për politikën e jashtme të Vladimir Putinit në vitet 2011-2019, takova pas një takimi të kërkuar me ngulm nga presidenti rus me politologët kryesorë të vendit. “Në orën 8 të çdo mëngjesi, ai ka para tryezës një fletë të madhe në formatin e gazetës, ku ka të përmbledhura artikuj të ndryshëm mbi temat kryesore të botuara në secilën nga mediat. Është një praktikë e shpikur nga unë. Kam dëgjuar që citohet shpesh kanali im në Telegram”- thotë ai.
Sot është thjesht profesor Markov, pedagog dhe një figurë e njohur në emisionet televizive kombëtare dhe ndërkombëtare, ku ai luan rolin e radikalit. Por sapo del nga ai rol, dhe kur e takon privatisht vëren se ka një temperament shumë më të butë se deklaratat e tij të forta para kamerave apo ato të shkruara në kanalin e tij në Telegram. Markov thotë se brenda vjeshtës do rritet të paktën 75 për qind mundësia e një fundi të përhershëm të konfliktit, ose e ngrirjes së tij për një kohë shumë të gjatë.
Çfarë mungon ende për të shkuar tek paqja?
Rusia nuk e ka treguar ende fuqinë e saj të vërtetë por edhe dobësinë e kundërshtarit. Pra Perëndimit, dhe këtu i referohem kryesisht Evropës. Keir Starmer dhe Emmanuel Macron e dinë që ne jemi në avantazh në të gjithë vijën e frontit. Por ata besojnë se nuk është ndonjë avantazh dhe aq i madh. Prandaj, nuk janë të gatshëm të bëjnë lëshime.
E përse duhet të ndryshojnë mendje brenda pak muajsh?
Sepse gjatë verës mund të ketë një ofensivë të re të ushtrisë ruse, e cila do të synojë t’i tregojë botës gjendjen e vërtetë të ushtrisë ukrainase. Dhe marrëveshjet e paqes, nënshkruhet kur njëra nga palët është në prag të kapitullimit.
Një zgjidhje ushtarake, pra një tjetër masakër për të shkuar tek paqja?
Mos më bëni që të dukem një fanatik i luftës. Nuk jam i tillë, por vetëm po arsyetoj. Historia na tregon se ka qenë gjithmonë kështu. Gjatë Luftës së Parë Botërore, kur kapitulloi Gjermania në territorin e saj nuk kishte asnjë ushtar të huaj. Por ishte e qartë se e tij makineria e saj ushtarake ishte në prag të kolapsit.
Mund të përjashtohet mundësia që Putin të lëshojë diçka në emër të kompromisit?
Edhe ai po përgatitet që të bëjë disa lëshime. Një formë kompromisi duhet të arrihet gjithmonë. Po flasim për negociata aktuale dhe të ardhshme, dhe jo për ndonjë dorëzim të mundshëm.
Cilat do të jenë lëshimet e Rusisë?
Para së gjithash territoret, çështja e cila është gjithmonë më e vështira. Ne nuk do të tërhiqemi nga 4 rajonet e aneksuara tashmë. Por nuk do të shkojmë më tej. Përveç kësaj, mund të tërheqim trupat tona të pranishme në zonat që janë ende pjesë e Ukrainës: Sumy, Nikolaev, dhe pas disa javësh Dnipropetrovsk, ose bregun e djathtë të lumit Dnieper. Do të dalim nga këto rajone, në këmbim të krijimit të një zone të demilitarizuar.
Vetëm kaq?
Rusia nuk do të heqë dorë kurrë zyrtarisht nga i ashtuquajturi ”denazifikim”. Megjithatë do të ketë një ngrirje të kësaj kërkesë. Sepse do duhet të ndalohet qindra ojq ukrainase, menaxhohen mijëra ushtarakë veteranë të ardhur nga fronti, dhjetëra rrugë për t’u riemërtuar. Një proces shumë i vështirë. Le të merren vetë ata kur të mbarojë lufta.
Po në lidhje me Zelensky-n?
Sigurisht që Putinit nuk i pëlqen fare. Por presidenti ynë nuk është një adoleshent. Ai nuk është djalë që dashuron ose urren. Pra nuk është një njeri emocional. Madje për të është mirë që Zelensky të qëndrojë aty ku është. Sigurisht, të gjithë zëvendësit e tjerë të mundshme do të kishin raporte më të mira me Donald Trumpin.
Por Rusia nuk do ta vendosë si kusht largimin e tij. Një fushatë zgjedhore, është më se e mirëseardhur. Sepse kështu do të dëgjohet zëri i popullit, dhe të gjithë kandidatët do të konkurrojnë me “retorikën pacifiste”.
Ju e dëshironi vërtet një ofensivë të re të ushtrisë ruse?
Luftërat janë shpesh një çështje mbijetese e makinerive ushtarake përkatëse, dhe kjo në Ukrainë nuk bën përjashtim. Nuk shpresoj që të vazhdojnë sa më gjatë luftimet. Por po them që kur ushtria ukrainase të mos e përballojë më luftën, atëherë situata do të jetë më e qartë./Pamfleti nga “Corriere della Sera”
Lini një Përgjigje