TAGS-AT E JAVËS

Politike11 Korrik 2026, 16:41

“Jo më përçarje”, studentja nga Maqedonia ‘zë ngushtë’ Ramën: Thirreni Kurtin si vëlla, të jemi bashkë si shqiptarë

Shkruar nga Pamfleti
“Jo më përçarje”, studentja nga Maqedonia
Rama dhe studentja nga Maqedonia e Veriut

Studentja nga Maqedonia i kërkon Ramës rol më të madh për shqiptarët në rajon...

Një pyetje e një studenteje nga Maqedonia e Veriut “ka zënë ngushtë” Edi Ramën. Duke u ndalur te situata e shqiptarëve atje, ajo e ka pyetur Edi Ramën nëse do të guxojë të ulet me Albin Kurtin si dy vëllezër dhe të flasin për të dalë me një qëndrim të përbashkët për shqiptarët. Deklarata e saj u bë gjatë një takimi me të rinjtë në Jalë.

Studentja Albana Elezi vlerësoi mbështetjen që Tirana zyrtare ka dhënë ndër vite, por ngriti shqetësimin për mungesën e një qasjeje të unifikuar mes liderëve shqiptarë.

Përshëndetje, zoti Kryeministër. Unë jam studente nga Maqedonia e Veriut. Nuk mund ta mohojmë mbështetjen apo përkrahjen e Tiranës zyrtare, e cila ka qenë për t’u marrë shembull, megjithatë Prishtina zyrtare heshti. Pyetja ime është: a do ta merrni guximin ta thërrisni Albin Kurtin si një vëlla, të uleni e ta bisedoni së bashku dhe të mbani një qëndrim të përbashkët?”, tha studentja.

Ajo kërkoi që debatet politike mes liderëve shqiptarë të mos ndikojnë te çështjet që lidhen me të drejtat e shqiptarëve në rajon dhe kërkoi një mesazh të qartë për të ardhmen.

A nuk ka ardhur koha që njëherë e përgjithmonë të vendoset një vijë e kuqe për të drejtat tona? Të mbyllen këto debate mes nesh dhe si të rinj të dimë qartë se në cilin vend ne përkasim? Të gjithë themi se vetëm kur jemi bashkë jemi më të fortë. Ndaj sot po ju pyes me shumë sinqeritet: a do të merrni përsipër ta bëni këtë dhe nëse po, atëherë kur do të ndodhë?”, u shpreh ajo.

Pyetja e saj preku edhe marrëdhëniet mes Ramës dhe Kurtit, të cilat në vitet e fundit janë shoqëruar me përplasje publike për çështje rajonale dhe mënyrën e koordinimit mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Në përgjigjen e tij, Rama tha se Shqipëria duhet të respektojë institucionet e shteteve të tjera shqiptare dhe se nuk e sheh rolin e Tiranës si një autoritet që duhet të diktojë vendimmarrje.

Unë qysh në krye të herës e kam pasur vijën time të kuqe. Unë nuk bëj babën e askujt që ka shtëpinë e vet. Kosova ka kryeministrin e vet, ka institucionet e veta, dhe ka pasur një kohë përpara se unë të bëhesha kryeministër, kur nga Tirana i tregohej Kosovës se çfarë duhej të bënte dhe i shkohej në Shkup e në Tetovë për t’u treguar të tjerëve se çfarë duhet të bënin. Këto kanë qenë vite brutale të politikës rajonale.”, deklaroi Rama.

Duke folur për Kurtin, Rama tha se pavarësisht dallimeve politike, ekziston një raport respekti mes tyre dhe se nuk ka përjashtim të komunikimit.

Albinin gjithmonë e kam thënë, e takoj me shumë kënaqësi sepse na ecën muhabeti shumë mirë kur takohemi. Bëjmë shumë humor me njëri-tjetrin. Po të kishte një kamera që do të shihte kur takohemi, do të habitej e gjithë dynjaja. Por nuk jemi në kushtet që unë t’i them ‘hajde këtu ti’, as ai mua. Kemi respekt reciprok, por secili ka shtetin e vet, qeverinë e vet dhe mendjen e vet”, u shpreh kryeministri.

Studentja: Përshëndetje, i nderuar zoti Kryeministër. Unë jam Albana Elezi, jam studente nga Maqedonia e Veriut. Dhe nuk mund ta mohojmë mbështetjen apo përkrahjen e Tiranës zyrtare, e cila ka qenë për t'u marrë shembull, megjithatë Prishtina zyrtare heshti. Pyetja ime është: a do ta merrni guximin ta thërrisni Albin Kurtin si një vëlla, të uleni e ta bisedoni së bashku dhe ta mbani një qëndrim të përbashkët? Dhe më pas kësaj, nga influenca juaj që e keni të pamohueshme ta sillni tek ne, dhe gjithashtu edhe ndikimin që ka Albin Kurti të drejtpërdrejtë tek ne duke pasur edhe deputetë në Maqedoni. Gjithashtu e shfrytëzoj rastin t'i falënderoj të gjithë studentët të cilët kanë qenë në përkrahjen tonë, të kauzës sonë studentore në protestën që u mbajt në Tiranë, gjithashtu edhe në përkrahjen tonë që erdhi në Shkup. A nuk ka ardhur koha që njëherë e përgjithmonë të vendoset një vijë e kuqe për të drejtat tona? Të mbyllen këto debate mes nesh dhe si të rinj të dimë qartë se në cilin vend ne përkasim? Të gjithë themi se ne duhet të qëndrojmë bashkë dhe se vetëm kur jemi bashkë jemi më të fortë. Ndaj unë sot po ju pyes me shumë sinqeritet, se a do të merrni përsipër ta bëni këtë? Dhe nëse po, atëherë kur do të ndodhë? Shumë faleminderit.

Edi Rama: Unë qysh në krye të herës e kam pasur vijën time të kuqe. Unë nuk bëj babën e askujt që ka shtëpinë e vet. Kosova ka kryeministrin e vet, ka institucionet e veta, dhe ka pasur një kohë përpara se sa unë të bëhesha kryeministër, kur nga Tirana i tregohej Kosovës se çfarë duhej me bë, edhe i shkohej në Shkup e në Tetovë dhe i tregohej atyre atje se çfarë duhet me bë. Kanë qenë vite shumë brutale për nga vulgariteti i politikës së jashtme në tërësi, dhe politikës rajonale në veçanti. Brutalisht injorancë. Që ka sjellë vetëm dëme. Është e vërtetë që unë jam bërë sebep, ose më saktë nuk jam bërë unë sebep, por bashkarisht me të gjitha forcat politike në Maqedoni kemi pasur një tryezë përpara formimit të qeverisë mbas zgjedhjeve, nuk e kujtoj ekzakt tani vitin, ku unë thjesht kam lehtësuar uljen së bashku dhe komunikimin mes tyre.

Ajo që u quajt Platforma e Tiranës, që në të vërtetë ishte një dokument i dakordësuar mes të gjitha partive shqiptare në Maqedoni për çfarë ata kishin të përbashkët. Në mënyrë që cilido që do t'ju propozonte futjen në qeveri, të mos bënte dot teknikën e njohur 'përçaj e sundo'. Pra, askush të mos hynte në qeveri pa marrë garanci që ato pikat e dokumentit nuk do të... që do të konsideroheshin nga kryeministri propozues. Kjo ka qenë Platforma e Tiranës, funksionoi asokohe. Nuk ishte e lehtë me i ul të gjithë bashkë në një tryezë, njëri më shqiptar se tjetri, dhe u bë diçka shumë pozitive në atë kohë. Por dua t'ju them që ishte kërkesë e tyre, nuk ishte nxitja ime. E pashë që e kishin këtë disponim edhe unë thashë, okej hajdeni në Tiranë, uluni flasim. Dhe në fillim kur kanë ardhur, të gjithë ishin të shpërndarë nëpër pikat e ndryshme në godinën e Kryeministrisë se nuk rrinin dot në një sallë me njëri-tjetrin. Nuk uleshin dot kështu. Pastaj, u ulën të gjithë bashkë. Dhe kjo ishte diçka shumë pozitive. Por që, dhe ah, edhe diçka tjetër. Unë nuk kam pasur... unë kam një miqësi që nuk e mohoj, jam krenar për atë miqësi për arsye historike, personale si të doni me Ali Ahmetin. Por askush nuk thotë dot dhe nuk mbështet dot me fakte që unë të kem ndërhyrë ndonjëherë në fushatë në Maqedoninë e Veriut, që unë të kem bërë ndonjëherë ndonjë gjë për të favorizuar njërin dhe për të sulmuar tjetrin, larg qoftë.

Kam qenë gjithmonë respektues sepse besoj që kjo është mënyra më e mirë se si mund t'i ndihmohen ata. Përsa i përket Kosovës, Kosova është shtet tjetër. Kosova nuk është një krahinë e Shqipërisë, në kuptimin nuk varet nga Shqipëria, është një shtet tjetër, ka institucionet e veta. Kështu që, unë Albinin gjithmonë e kam thënë, e takoj me shumë kënaqësi se na ecën muhabeti shumë mirë kur takohemi. Dhe bëjmë shumë humor me njëri-tjetrin. Po të kishte një kamera të shihte kur takohem me Albinin, do habitej e gjithë dynjaja. Por nuk jemi në kushtet që unë t'i them 'hajde këtu ti', ai jo e jo. Kështu që, kemi një respekt reciprok, por secili ka shtetin e vet, qeverinë e vet, mendjen e vet. Fatmirësisht qëllimet i kemi të përbashkëta, metodat i kemi të ndryshme. Jemi dy njerëz të ndryshëm edhe s'ka problem

rama vajza

2 Komente

  1. L
    Lira

    Mir mir, do ta gjesh me kto ti vajze. Kta kane punet e tyre madhore kush po pyet per popullin a jane bashke apo te ndare, a jane me buk apo pa buk. Kane arritur majat qe kane dashur qe ne krye te heres. Nuk shikojne me poshte se Ju merren mendt. Por populli ka filluar te godase fort. Populli shqiptare I gjen rruget e bashkimit vete, pse do varim enderrat tona tek nje grusht plehrash medioker!

    1. K
      Km legen

      Thjesht rama tregon edhe nje here qe Shqiperia eshte hapesira e tij dhe ben si do vete dhe si i thote mendja

      Lini një Përgjigje