TAGS-AT E JAVËS

Forum30 Maj 2025, 11:00

Pas Putinit, me Trumpin po tallet edhe Ajatollahu i Iranit

Shkruar nga Mark Toth dhe Jonathan Sweet

 Pas Putinit, me Trumpin po tallet edhe Ajatollahu i Iranit

Rusia ka një interes jetik në prishjen e çdo negociate bërthamore midis Uashingtonit dhe Iranit. Po ashtu, ajo po punon për të penguar çdo veprim ushtarak të SHBA-së kundër Teheranit dhe impianteve të tij të prodhimit bërthamor, të raketave balistike ose të dronëve të shpërndara në të gjithë vendin...

Ekipi Trump ka një problem gjithnjë e më të madh me Iranin. Oferta e fundit e Teheranit  - një propozim farsë për të ndaluar pasurimin e uraniumit për një vit, në këmbim të heqjes së sekuestros mbi fondet iraniane, dhe njohjes nga Uashingtoni të së drejtës së Iranit për të pasuruar uranium për qëllime civile dhe energjetike - është një dështim i dukshëm strategjik si për SHBA-në ashtu edhe për Izraelin.

Siç u shpreh me të drejtë në rrjetet sociale presidenti i fondacionit Liri për Mbrojtjen e Demokracive, Mark Dubowitz: “A mendojnë iranianët që ne amerikanët jemi kaq budallenj?”. Me sa duket, po. Pavarësisht pohimit të presidentit Trump se bisedimet midis Iranit dhe SHBA-së mund të prodhojnë “lajme të mira” këtë javë, është e qartë se Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, ka ndërmend të tallet me të.

Iranit është lejuar për një kohë shumë të gjatë që ta luajë këtë lojë të rrezikshme. Ai ka treguar vazhdimisht se nuk mund t’i zihet besë, dhe Izraeli e ka humbur durimin me manovrat e tij. Edhe Shtëpia e Bardhë duhet ta kundërshtojë me forcë, dhe t’ia heqë nga mendja Teheranit idenë se Trump mund të manipulohet, apo se një rishikim i marrëveshjes bërthamore të epokës Obama me Iranin, mund të jetë sadopak i pranueshëm.

Objektivi strategjik i Iranit është shumë i qartë. Teherani është i vendosur të ruajë kapacitetin e tij të pasurimit të uraniumit - një kapacitet në rritje të shpejtë, për të cilin ne kemi  paralajmëruar vazhdimisht  se do ta lejonte Iranin të prodhonte menjëherë 5 armë bërthamore brenda një jave dhe në mënyrë eksponenciale shumë më tepër armë bërthamore më pas, duke pasur parasysh kapacitetin e konsiderueshëm centrifugal të Teheranit për të prodhuar 90 për qind të uraniumit të pasuruar në nivel të lartë për armë.

Megjithatë, loja bërthamore e Iranit po bëhet edhe më e errët. Dhe nuk është më thjesht manifestimi përfundimtar i luftës së “Boshtit të Rezistencës” të Iranit kundër Izraelit. Përkundrazi, tani është edhe karta kryesore e Teheranit në “Boshtin e së Keqes” për presidentin rus Vladimir Putin.

Për të ruajtur statusin e tij në të dyja - veçanërisht duke pasur parasysh pozicionin strategjik në rritje të Iranit si furnizuesi kryesor me armë i Rusisë - Teherani është i dëshpëruar  për të gjetur mënyra për të fituar kohë, dhe për të penguar çdo sulm ushtarak amerikan ose izraelit kundër programit të tij të armëve bërthamore.

Dhe vizita 2-ditore shtetërore në Muscat të Omanit e presidentit iranian Masoud Pezeshkian. në fillim të kësaj jave, ishte një përpjekje shumëplanëshe për ta bërë pikërisht këtë. I shoqëruar nga Abbas Araghchi, Ministri i Jashtëm, Pezeshkian u takua me Sulltanin e Omanit, Haitham bin Tariq Al Said, përpara raundit të gjashtë të negociatave bërthamore midis Uashingtonit dhe Teheranit.

Synimi i Pezeshkian në Lindjen e Mesme është të bindë Omanin - vend që po shërben si ndërmjetës në bisedimet midis SHBA-së dhe Iranit (dhe negocioi armëpushimin midis SHBA-së dhe rebelëve Huthi) - të promovojë propozimin e Iranit për të ngrirë pasurimin e uraniumit, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve, dhe njohjes nga SHBA të së drejtës së Teheranit për të pasuruar uranium në të ardhmen.

Një nga qëllimet kryesore rajonale të Pezeshkian, është të lerë në hije çështjen e pasurimit të uraniumit. Në mes të këtij muaji, në prag të vizitës së tij shtetërore në Oman, Teherani propozoi që Irani, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari dhe vende të tjera të interesuara në rajonin e Gjirit Persik, të formojnë një konsorcium bërthamor për të pasuruar uranium për qëllime civile tregtare.

Uraniumi i pasuruar në nivele nën 5 për qind - sasia e nevojshme për pajisjet spitalore dhe eksperimentet mjekësore - do të prodhohej nën mbikëqyrjen e inxhinierëve iranianë. Qëllimi i Iranit është i qartë - të marrë miratimin dhe mbështetjen e shteteve të tjera të Gjirit.

Edhe pse interesat e tyre në sigurimin e uraniumit të pasuruar në nivel të ulët janë legjitime, shtetet arabe sunite të Gjirit, nuk kanë gjasa ta pranojnë propozimin e Teheranit. Së pari, sepse kjo do të vinte Dohën, Dubain dhe Riadin në konflikt të drejtpërdrejtë me pozicionin negociues të Uashingtonit për zero pasurim të uraniumit nga iranianët.

Së dyti, kjo do t’i vinte ata në shënjestrën e Izraelit, nëse ndonjë strukturë prodhimi e kontrolluar nga Irani, do të ishte fizikisht në vendet e tyre. Me qëllim apo jo, Izraeli i dërgoi një mesazh Iranit dhe shteteve të Gjirit gjatë vizitës së Pezeshkian, se ishte një ide e keqe kur goditi përsëri objektivat e Huthit në Jemen, fqinjin e Omanit.

Për të nënvizuar këtë argument, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se ”Irani është përgjegjës” për agresionin kundër Izraelit nga Jemeni. Vlen të përmendet se takimet e Pezeshkian në Oman, kishin një element edhe më të errët trans-rajonal.

Ndërsa ai takohej me Sulltanin, Irani ishte planifikuar të merrte pjesë në një samit ushtarak të “Boshtit të së Keqes” që do të organizohej në Moskë nga Sergei Shoigu, ish-ministri rus i mbrojtjes. Në të merrnin pjesë edhe zyrtarë ushtarakë dhe të sigurisë nga Koreja e Veriut dhe Iranit, dhe çuditërisht edhe zyrtarë nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Takimi i Moskës, është një kujtesë në kohën e duhur, se Rusia ka një interes të brendshëm në prishjen e çdo negociate bërthamore midis Uashingtonit dhe Iranit. Po ashtu, ajo po punon për të penguar çdo veprim ushtarak të SHBA-së kundër Teheranit dhe impianteve të tij të prodhimit bërthamor, të raketave balistike ose të dronëve të shpërndara në të gjithë vendin.

Aktualisht, Khamenei është një furnizues kryesor i raketave balistike dhe dronëve për Moskën, rëndësia e të cilave u theksua së fundmi kur parlamenti i Iranit miratoi së fundmi një partneritet strategjik 20-vjeçar  me Moskën. Irani po bën çmos që të shfrytëzojë marrëdhënien e tij me Putinin për të mbrojtur ambiciet e tij bërthamore.

Izraeli e sheh të gjithë situatë për atë që është vërtet: një lojë shumë e rrezikshme bërthamore që po luhet kundër Jerusalemit dhe Uashingtonit nga Teherani dhe Rusia. Po ashtu, është po aq e qartë se Izraeli ka të ngjarë të jetë pranë një sulmi ushtarak ndaj programit të armëve bërthamore të Iranit, siç dëshmohet nga deklarata e Trump  të mërkurën se ai i kërkoi Netanyahut që të priste edhe pak.

Kryeministri izraelit nuk ka shumë durim me Iranin këto ditë, duke pasur parasysh mbështetjen e tij për Hamasin, Hezbollahun dhe rebelët Huthi. Ka ardhur koha që ekipi Trump ta shohë këtë çështje njëlloj dhe me të njëjtin nivel qartësie. Teherani, ashtu si aleati i tij rus, po përpiqet ta bëjë atë të duket si budalla.

Shtëpia e Bardhë duhet t’i dërgojë një mesazh të qartë Khameneit, Omanit, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe për rrjedhojë edhe Putinit dhe aleatëve të tij të “Boshtit të së Keqes”, përfshirë Kinën, se Uashingtoni nuk është budallai i askujt./Përgatiti në shqip: Pamfleti

ajatullahu tallet me trump putini irani

Lini një Përgjigje