TAGS-AT E JAVËS

Forum12 Shtator 2025, 19:10

PS në pushtet përtej 2040-ës, Berisha 96 vjeç duke pritur ‘shansin’!

Shkruar nga Jakin Marena

PS në pushtet përtej 2040-ës, Berisha 96 vjeç duke pritur

Por si e priti opozita në krahun tjetër strategjinë e re të Ramës, i cili e bëri të qartë se qeverisja e vendit, tashmë në kushtet e integrimit, fillon pikërisht tani, duke paralajmëruar mandate të tjera qeverisëse, që ia ‘fikin’ shpirtin opozitës dhe opozitarëve?!

Një ditë më parë kreu i mazhorancës Edi Rama ka paraqitur kabinetin e ri qeveritar, drejtuesit e Kuvendit e të grupit parlamentar, si dhe ‘piketat’ nëpër të cilat do të lëvizë qeverisja e ardhshme e PS në mandatin e katërt rresht, të përputhur me axhendën e integrimit të Shqipërisë në BE!

Që në mbledhjen e Asamblesë së PS, të zhvilluar të enjten, Rama ka qenë i qartë në objektivat e tij, për këtë mandat qeverisës për Shqipërinë 2030, teksa ka paralajmëruar që të ketë riorganizim dhe reformim të disa institucioneve, përfshirë dhe Kuvendin e Shqipërisë.

Rama ka deklaruar se Kuvendi duhet të ketë maksimumi 101 deputetë dhe për të duhet të ketë një ligj të posaçëm, duhet të bëhet me urgjencë reforma territoriale dhe ajo zgjedhore, ku tek kjo reformë e dytë kërkohet me patjetër depolitizimi i administratës zgjedhore! Dhe nëse realizohen këto ndryshime, ulja e numrit të deputetëve kërkon votën kushtetuese, atëherë sërish PS krijon një bazë të rëndësishme për mbarëvajtjen e punëve në këtë vend!

Ndërkohë që Rama vuri si prioritet për mandatin e katërt luftën ndaj nepotizmit dhe mbrojtjen e drejtësisë së pavarur. Kreu i mazhorancës paralajmëroi se pavarësia e SPAK dhe GJKKO është kusht i panegociueshëm, dhe se partia e tij, PS është e vetmja garanci që kjo pavarësi të mbrohet.

Njëherësh kreu i mazhorancës paralajmëroi se PS do të vazhdojë të qeverisë edhe përtej këtij mandati, duke kërkuar jo vetëm besimin e sotëm, por edhe vazhdimësinë e të nesërmes politike në vend. Konkretisht, Rama, teksa prezantoi emrat e rinj të kabinetit qeveritar, tha se socialistët do të jenë në drejtimin e vendit për një kohë të gjatë. “PS duhet të udhëheqë edhe për shumë e shumë vjet të tjera. Përrallat që në një demokraci duhen ndërruar partitë çdo 4 vjet, lëruani atyre që tregojnë përralla. Është detyrim që ta shohim PS në krye edhe në vitin 2030, vitin 2040, edhe në vitin 2050. Ne ta shohim, domethënë ju ta shihni”, u shpreh Rama. Duke e cilësuar këtë mandat të katërt qeverisës si mandatin e parë ‘në funksion të anëtarësimit të Shqipërisë në BE’!

Dhe vetë përbërja e kabinetit të ri qeveritar ka evidentuar një qasje të qartë nga Rama, ku përvoja dhe qëndrueshmëria politike janë në qendër të vendimeve për përbërjen e kabinetit. Kjo ka bërë që emërimet e reja të mos nga prezantojnë surpriza të mëdha, por të jenë në krye të herës një reflektim i balancimit të kujdesshëm mes forcimit të dominancës politike dhe sfidave reale që vendi ka përpara, ku në krye të axhendës është anëtarësimi në BE. E në funksion të kësaj qasjeje, kabineti qeveritar u prezantua nga Rama si kulmi i eksperiencës qeverisëse, e përkufizuar nga vetë Kryeministri si ‘qeveria e 12 viteve përvojë’.

Pra që përmbledh në vetvete përvojën e tre mandateve rresht qeverisjeje të PS. Por dhe premtoi ‘opozitarizëm’ ndaj tre mandateve të kaluar!

Një skemë e tillë tregon qartë se për kryeministrin Rama, qeveria s’është thjesht një mekanizëm ekzekutiv, por një mekanizëm real për të konsoliduar e rritur influencën politike afatgjatë të PS. Përzgjedhjet në kabinet janë një sinjal i qartë se PS do të vazhdojë të mbështesë bazën e saj të besueshme, një trupë elektorale që lëviz me plus minus 800 mijë vota pro PS në çdo palë zgjedhje, në funksion të menaxhimit të tranzicioneve të brendshme si dhe sfidave të ardhshme. Duke dalë përtej të majtës në ofertën e tij në funksion të qeverisjes sa më të mirë të këtij vendi, teksa nënvizoi se nuk duhet mbyllur dera për askënd se ‘bëhet pjesë e byrekut’!

Kreu i mazhorancës socialiste, e cila ka në Kuvend 83 mandate deputeti, shtuar dhe 3 mandate të aleatit hipotetik PSD-së, prezantoi kandidaten për kryetare të bashkisë së Tiranës, Ogerta Manastirliu, në zgjedhjet e parakohshme që do të zhvillohen pas dorëheqjes apo shkarkimit me patjetër të Erion Veliajt, i cili prej muajsh është në paraburgim nën akuzat për korrupsion!

Pra Rama e hodhi ‘sfidën’ e përballjes në zemër të Shqipërisë në kryeqytet, pikërisht për pasuesin e Veliajt në krye të bashkisë së Tiranës! Përballje që PD e kishte kërkuar me kohë dhe vakt, duke protestuar madje për ditë të tëra para bashkisë, për dorëheqjen e Veliajt! Të paktën formalisht!

Pra Rama, si kreu i mazhorancës socialiste, në vigjilje të fillimit të mandatit të katërt radhazi në qeverisje të vendit, prezantoi qartë dhe saktë objektivat e PS që drejton jo vetëm për këtë katër-vjeçar qeverisjeje, por dhe për një periudhë të gjatë në funksion të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, dhe përtej saj. Madje duke vënë si limit kohor qeverisjeje, përtej vitit 2040, deri më 2050. Një sfidë e qartë për politikën në Shqipëri, dhe ata që e sfidojnë PS për ta larguar nga pushteti!

Por si e priti opozita në krahun tjetër strategjinë e re të Ramës, i cili e bëri të qartë se qeverisja e vendit, tashmë në kushtet e integrimit, fillon pikërisht tani, duke paralajmëruar mandate të tjera qeverisëse, që ia ‘fikin’ shpirtin opozitës dhe opozitarëve?!

Menjëherë pas prezantimit të qeverisë së re, kreu i PD Sali Berisha, në një dalje publike pas konstituimit të grupit të tij parlamentar, lidershipi i grupit të PD janë të njëjtët emra vegjetues e të pandryshuar për vite e vite me radhë dhe pa asnjë kontribut votash, të cilët vërtiten pa orientim por me sytë tek Berisha korridoreve të selisë buzë Lanës, teksa nisi sulmet emër për emër ndaj vetë Ramës dhe ministrave të tij të rinj, shpalosi strategjinë opozitare! Një strategji që nuk fliste për të ardhmen, për mënyrën se si opozita do të qasej ndaj elektoratit për të ardhur në pushtet!

Berisha sërish vijoi me denoncimin e zgjedhjeve të 11 majit, flet për të shkuarën, kërcënon se do ta rrëzojë Ramën nga pushteti me të gjitha mënyrat, megjithëse i ka provuar të gjitha mënyrat e forcës të cilat pretendon se do të aplikojë dhe këtë mandat të katërt në opozitë kundër Ramës, dhe asgjë nuk ka arritur. Vetëm njërën nuk provon Berisha, krijimin e një frymë të re lidershipi, qasjeje të re ndaj elektoratit për të ardhur në pushtet! Që do të thotë largimin e tij, pas 35 vitesh në krye të PD, që nuk mund të jetë kurrsesi më alternativa e të ardhmes. Shqiptarët nuk besojnë në rrëzimin vetë të kësaj mazhorance, thjeshtë e vetëm se PD përdor fjalor dhe mënyra të dhunshme të të bërit opozitë. Qytetarët kërkojnë alternativa të reja opozitare, që t’i ballafaqojnë dhe të vendosin pastaj për kë të votojnë! Kërkojnë nga opozita një alternativë të re që frymëzon!

Berisha kërkon që me të njëjtat metoda dhe strategji që ka ndjekur për 12 vite me radhë, të cilat i kanë garantuar humbjet njëra pas tjetrës PD e opozitës, të mund të marrë një rezultat ndryshe që do ta sjellë në pushtet! Ka qenë dhe është e pamundur, pasi në asnjë cep të historisë së politikës, në Shqipëri dhe në botë, nuk gjendet një shembull që të funksionojë në këtë mënyrë, që me metoda të njëjta të marrësh rezultat të ndryshëm!

Lini një Përgjigje