
Kosova gjatë gjithë historisë politike të mbijetesës, ka “hëngër” shumë koka të kryeministrave të Shqipërisë politike, madje sa herë ata pretendonin ta trajtonin atë si monedhë për kusuritje të interesave politike ditore.
Kryeministri Edi Rama nis sot turin ballkanik dyditor për Procesin e Berlinit. Ai pritet të zhvillojë takime në Shkup, Beograd, Sarajevë, Prishtinë e Podgoricë.
Në vigjilje të turit të tij të paralajmëruar në Siujdhesën Ilirike kryeministri i Shqipërisë politike, Edi Rama, publikoi në mëngjesin e sotëm këtë cicërimë në rrjetin social Tëiter.
“Pas pak drejt Shkupit për të nisur vizitën dyditore në kryeqytetet e Ballkanit Perëndimor. Sot të mëngjes janë dorëzuar në ministrinë e jashtme në Kosovë të 13 marrëveshjet e mbledhjes së dy qeverive të firmosura nga ana jonë. Me kundërfirmosjen e palës kosovare ato hyjnë menjëherë në fuqi. Mbetem me shpresë se pas heqjes së merakut të shprehur publikisht nga KM Kurti për qytetarët e penguar të përfitojnë nga 13 marrëveshjet, do të kemi edhe konfirmimin e takimit me Albinin sot pasdite”, ka shkruar Rama në Tëitter-in e tij.
Detyrimi për ta hedhur këtë hap, a është reflektimit racional për veprimin e turpshëm të 14 qershorit, apo produkt i presionit të brendshëm? Edhe njëri e edhe tjetri hamendësim logjik, me gjasë nuk qëndron! Duket se ky reflektim ka një arsye të karakterit VIS MAJORIS. Ai ndërlidhet me fundin e pritshëm të presidentit serb, por edhe drosë së zhvillimeve politike në Shqipëri.
Kosova gjatë gjithë historisë politike të mbijetesës, ka “hëngër” shumë koka të kryeministrave të Shqipërisë politike, madje sa herë ata pretendonin ta trajtonin atë si monedhë për kusuritje të interesave politike ditore. Rasti më eklatant, por disi i mbuluar me dritë-hije misterioze mbetet tutje ai i Mehmet Shehut, për të mos folur për të gjithë kryeministrat e periudhës së tranzicionit demokratik.
Cilido kryeministër që merr përgjegjësinë ta drejtojë Shqipërinë politike tani e tutje, duhet të llogarisë se, gjysma tjetër e Shqipërisë është jashtë dhe ajo nuk ka hequr dorë kurrë që t’i bashkohet Shqipërisë politike, nukleusit të Kombit.
Të gjitha marrëveshjet e nënshkruara nga dy qeveritë tona, të këtyre dy gjysmave të Shqipërisë sonë, e jo vetëm ato 13-të që qenkan nënshkruar pa ceremoninë formale që meritonte Gjakova, duhet trajtuar si pjesë të këtij gjakimi dhe jo si “heqje meraku”!
Për aq kohë sa këto marrëveshje trajtohen me kaq mungesë serioziteti, Edi Rama dëshmon se nuk e ka merakun real të marrëveshjeve që nënshkruan me qeveritë e Kosovës, por ka një hallë tjetër. Gjykoj se edhe kjo përkulje e Edi Ramës që në agimin e ditës së sotme, flet shumë për hallin që ka. Këtë hallë nuk ia heq dot as insistimi për takim me kryeministrin Kurti.
Mobilizimi kaq i hershëm që gjoja ndërlidhet me Procesin e Berlinit, duket të jetë vetëm mbulesë e angazhimit të tij real. Pavarësisht prapaskenave të lojës, rreshtimi pro këtij procesi dhe heqja dorë nga Open Ballkani, duke i i dhënë energji shtesë Procesit të Berlinit, përfiton Kombi ynë, dy republikat tona.
Prandaj, për hir të kauzave të mëdha politike e me interes nacional, sugjeroj kryeministrit Kurti që ta takoj homologun e tij nga Shqipëria politike. Duke takuar kryeministrin e Shqipërisë politike, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ia bën të qartë jo vetëm Edi Ramës, por edhe asaj lagjeje të diplomacisë europiane që po e shfrytëzon z. Rama për t’i shpërfaqur shqiptarët ashtu si vërtet nuk janë [Kombi është më unik se kurdoherë më parë, pavarësisht tekave të qeveritarëve të përkohshëm], se për të ardhmen e Kosovës, tani e tutje duhet të llogarisin jo vetëm në vullnetin politik të Prishtinës, po edhe të Kombit Shqiptar në tërësinë e tij.
Edi Rama me këtë tur nëpër Siujdhesën Ilirike, do ta kuptoj edhe më mirë se Shqipëria bëhet NJË dhe ZONJË, duke marrë në konsideratë sakrificën e Kosovës dhe interesin nacional.
Shqipëria dhe Shqiptarët do t’i rikthehen tok Europës, familjes euroatlantike, duke i shërbyer interesit strategjik të përbashkët.
Lini një Përgjigje