Sheshi Tahrir në Egjipt, lëvizja 15-M në Spanjë, Occupy Wall Street në Nju Jork. Imazhi më ikonik i viteve 2010, është ai i rrugëve të pushtuara nga protestat masive. Sot është pothuajse e pamundur të gjesh ndonjë gjurmë të tyre...
Gjatë viteve 2011-2015, përpara se Trump të sulmonte dy herë Shtëpinë e Bardhë; përpara se Putini dhe Erdogan të ndryshonin kushtetutat e vendeve të tyre për t’i dhënë vetes kompetenca të papara; përpara se Rusia dhe Izraeli t’i jepnin vetes leje për të pushtuar fqinjët e tyre; përpara ngritjes së të djathtës ekstreme, mashtrimeve dhe fushatave informative të rreme; përpara sulmeve të përditshme ndaj medias dhe demokracisë, miliona njerëz dolën në rrugë praktikisht në të njëjtën kohë për t’i thënë “mjaft” elitës që po e qeveriste.
Ishin muaj që ofruan imazhe dhe tituj historikë. Qindra mijëra egjiptianë pushtuan Sheshin Tahrir në janar 2011 dhe arritën të rrëzonin diktatorin Hosni Mubarak. Në Madrid, 15-M, e njohur edhe si lëvizja Indignados (Të Indinjuarit) pushtoi Puerta del Sol. Në Kiev, ishte Sheshi Maidan. Pati një protestë të lëvizjes Occupy Wall Street në Nju Jork, Jornadas de Junho në Brazil në vitin 2013 dhe një protestë të lëvizjes Occupy Central në Hong Kong.
Më shumë njerëz dolën në rrugë atëherë sesa në çdo periudhë tjetër në histori. Vincent Bevins, një reporter ndërkombëtar që ka punuar për Financial Times në Londër, The Los Angeles Times në Brazil dhe Washington Post në Indonezi, ishte dëshmitar okular i disa prej tyre. Ai është autor i librit të ri “Dekada e protestave masive dhe revolucioni i munguar. Bevins udhëtoi në disa vende dhe bisedoi me mbi 200 njerëz për të kuptuar se çfarë ndodhin me ato lëvizje.
Çfarë ndodhi me ato protesta?
Rezistenca e viteve 2010 ishte në thelb reaktive: refuzimi i një klase njerëzish, që supozohet të përfaqësojnë qytetarët. Ndoshta shprehja më e famshme e tyre ishte në spanjisht: “No nos representan” (Ata nuk na përfaqësojnë). Pati një moment fitoreje të dukshme si rezultat i protestave masive në dukje spontane, pa udhëheqës, të koordinuara përmes rrjeteve sociale dhe të strukturuara horizontalisht në sheshe dhe hapësira publike. Por kur diktatorët ikën nga vendi, u pa se një protestë e tillë nuk mundi ta mbushte atë boshllëk pushteti, të formonte një qeveri kalimtare apo një komitet revolucionar.
A ishte vërtet problemi i boshllëkut të pushtetit?
Imagjinoni sikur Che Guevara dhe Fidel Castro, të mos kishin qenë të gatshëm ose të aftë të formonin një qeveri të re pas rrëzimit të Batistës në Kubë. Më shumë gjasa, mbetjet e ushtrisë së regjimit të mëparshëm do të ishin bashkuar me elitat ekonomike, dhe ndoshta me përfaqësues nga qeveria amerikane, dhe do të kishin krijuar një qeveri që ishte shumë e ngjashme me regjimin e Batistës, por pa të njëjtin mbiemër.
Dhe në fakt, kjo është ajo që ndodh shpesh. Në asnjë nga rastet që kam studiuar, vetë rebelimi nuk i shfrytëzoi mundësitë që krijoi. Gjithmonë përfitues ka qenë ndonjë aktor tjetër. Nganjëherë dikush që ishte tashmë në pushtet ose tashmë i organizuar dhe gati për të vepruar. Herë të tjera një kundërsulm imperialist (Bahreini), ose një pushtim nga jashtë (në vitin 2011, Libia u zhyt në luftë civile dhe NATO ndërhyri).
A nuk na përfaqësonin vërtet elitat?
Në fillim të viteve 2010, u gjendëm para një krizë të madhe të legjitimitetit të shtetit. Elitat sunduese, jo vetëm në Afrikën e Veriut dhe pjesë të Azisë dhe Amerikës Latine, por edhe në Amerikën e Veriut dhe Evropën Perëndimore, nuk kishin legjitimitet. Njerëzit nuk u dhanë atyre të drejtën të flisnin në emrin e tyre.
Por pastaj në gjysmën e dytë të viteve 2010, klasa sunduese mësoi të jetonte me këtë situatë dhe mundi t’ia dilte mbanë. Nuk ka arbitër në sistemin global, askush që t’i fryjë bilbilit apo të nxjerrë një karton të kuq kur thjesht abuzon... Ajo që po bën Trump tani, ajo që ka bërë Elon Musk (blerja e një rrjeti social për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve), janë gjëra që do ishin të paimagjinueshme 10 vjet më parë. Po ashtu, ato e kuptuan se në rrugë mund të dalë kushdo. Fashistët dhe forcat antidemokratike, mund të pushtojnë një shesh ku të gjithë veshin të njëjtën ngjyrë dhe përdorin Twitter-in.
Por pse qytetarët protestuan atëherë dhe jo aq shumë tani, kur gjërat për qytetarin zakonshëm po shkojnë edhe më pak në favor të tij?
Ajo dekadë pati një pjesëmarrje shumë të gjerë falë mobilizimit dixhital. Mediat sociale, janë një pjesë e rëndësishme e protestave. Jo aq shumë sa në vitin 2011, por ende e rëndësishme. Kam mbajtur shumë fjalime rreth këtij libri në një mori vendesh, dhe e kisha të vështirë t’i bindja të se sa shumë njerëz në vitin 2010, besonin se interneti do ta bënte botën një vend më të mirë, dhe se mediat sociale do ta bënin botën më të lirë, më demokratike, më transparente dhe më të lumtur. Në thelb të gjithë e besonin këtë. Tani ai optimizëm është zbehur. Nga ana tjetër, kujtimi i lënë nga ato protesta është shpesh traumatik.
Nëse pjesëmarrja masive është një tipar përcaktues, dhe ndoshta kundërproduktiv, i protestave, ashtu është edhe kapaciteti i tyre imitues. Si mund të kopjohet skenari i Sheshi Tahrir në vende me peizazhe politike kaq larg Egjiptit, siç Puerta del Sol në Spanjë, Sheshi Syntagma në Greqi apo Wall Street në SHBA?
Në studimet e revoltave, protestave dhe revolucioneve nga shekulli XVIII deri në vitet 2010, njerëzit flisnin për valë: vala revolucionare e vitit 1848 në Evropë, e përpjekjeve për të imituar Revolucionin Bolshevik të 1917-ës. Shumë nga protestat e viteve 2010 patën kauzat e tyre.
Një shitës frutash, Mohamed Bouazizi, i vuri flakën publikisht vetes përballë ngacmimeve nga autoritetet, duke shkaktuar Pranverën Arabe. Në Brazil, shkaku ishte rritja e çmimeve të transportit publik. Është shumë e lehtë t’i shikosh këto incidente dhe të thuash: Në rregull, protesta ishte për këtë. Por nëse gjurmon zhvillimin e tyre gjatë një, dy, tre javësh, tre muajsh, sheh se ajo që i motivoi mund të ndryshojë nga një ditë në tjetrën, nga mëngjesi në darkë.
Në Ukrainë, shpërtheu sepse një grup i vogël në fillim protestoi kundër vendimit të Viktor Janukovich për të mos nënshkruar një marrëveshje asociimi me Bashkimin Evropian. Më pas, pas ndërhyrjes brutale të policisë, protestës iu bashkuan shumë njerëz që ishin kundër marrëveshjes./Në shqip: Pamfleti
Lini një Përgjigje