Ajo deklaratë e Belerit është një bekim për opozitën shqiptare në tërësi, jo vetëm për PD-në.
Në ditën e sotme, Sali Berisha duket si në ditën zero. Pra, kur u shpall “non grata” nga SHBA e më pas nga Britania e Madhe, e nuk ka asnjë shteg ndërkombëtar komunikimi.
Lobistët apo strategu La Civita e kanë mbaruar misionin dhe SHBA e dha qëndrimin e vet, pas valës së të gjithë liderëve europianë e mbi të gjitha OSBE-së për zgjedhjet e 11 majit.
Pas një humbjeje, siç e tha vetë që e priste, Berisha tha se nuk ikën nga drejtimi i PD-së. Gjë që gjithashtu, siç rezultati që Berisha e dinte, pritej e dihej nga të gjithë.
Në Partinë Demokratike, në konceptin e aleancës politike, jo thjesht ambasadës së “Shqipërisë Madhështore”, njeriu më i rëndësishëm me peshë pas Sali Berishës është Fredi Beleri, për të cilin Berisha, por edhe Ilir Meta apo të tjerë investuan shumë në zgjedhjet lokale të 2023-shit.
Investim që, sipas të gjitha gjasave – e kjo shihet në çdo sondazh – PD, PL apo të gjitha partitë apo grupet e tjera të opozitës kanë humbur shumë vota. Duke nisur nga zonat e Jugut, por që realiteti është i njëjtë kudo në gjithë vendin, sidomos në diasporë. Shkurt, Partia Demokratike si partia më e madhe, aleatët e saj, Sali Berisha dhe Ilir Meta personalisht nuk kanë fituar asgjë nga pirueta për të krijuar një precedent politik që të kthehej në një casus belli mes Tiranës dhe Athinës.
I vetmi favor, i cili është shpresuar, ka qenë dalja apo çarja e rrethimit ndërkombëtar, i cili me ndihmën e PD-së më shumë doli në faqen e Fredi Belerit që u bë eurodeputet grek, si pasojë e një kauze që u quajt opozitare, sesa nga një betejë e tij.
Pas rastit Beleri, Athina u kthye në një “Jeruzalem” të grupit të Berishës, me shpresën se kanë një derë ku jo vetëm do t’i orientojë, por edhe t’i drejtojë në tryezat ndërkombëtare.
Të cilat në fakt, jo vetëm në Bruksel, por edhe në Tiranë ishin plot për Edi Ramën. Nejse, gjithçka çfarë ndodhi prej 2023-shit dihet, e në fushatën e 11 majit, Fredi Beleri ka qenë njeriu më i rëndësishëm politik pas Sali Berishës në aleancën e PD-së. Në çdo tryezë ai ishte krahu i djathtë. Një ditë pas zgjedhjeve, Beleri i pari kërkoi dorëheqjen e Sali Berishës. Qëndrim që nuk është thjesht i OMONIA-s, pasi atë nuk e përfaqëson më, por i partisë eurodeputet i së cilës ai është.
Kjo ka një arsye të qartë dhe politike. Vendosja ose rreshtimi politik i krahut ekstremist grek në linjën e re të opozitës shqiptare edhe pas ikjes së Sali Berishës. Por gjithashtu, mund të jetë edhe një mbrojtje e rëndësishme politike për doktorin; pasi ai mund t’i thotë të vetëve: që po ika unë, vjen Beleri. Në një farë mënyre, siç Rama bëri fushatën përballë “bufit”.
Duket si një “Mexican Standoff”, term i ardhur nga western-i legjendar i Sergio Leones, por që në të vërtetë është një “Kalë Troje” në kuptimin e vërtetë të fjalës.
Në fakt, politikisht, ajo deklaratë e Belerit është një bekim për opozitën shqiptare në tërësi, jo vetëm për PD-në.
Është një shans për ta ridimensionuar politikën karshi kësaj logjike që imponojnë qarqe të lidhura me Belerin, duke u sjellë si një e djathtë konservatore e natyrisht patriote. Ndryshe, do të digjen me radhë të gjitha karrierat politike të çdo nacionalisti të shpallur, siç ndodhi në këtë fushatë me Shpëtim Idrizin.
Lini një Përgjigje