
A ka kryeministër ky vend, apo vetë qeveria vepron si këta vrasës me bluza të bardha?!
Turp...
Ajo që ka ndodhur në Spitalin Onkologjik në Tiranë është një turp kombëtar.
I.
Një antivlerë morale që vjedh, mashtron, prish aparaturat e spitaleve, dhe jeton me para të shumta që fiton me vdekjen e të sëmurëve me tumor. Turp. Ky është një krim i rëndë.
Po shteti?
Në fakt ky është një krim i qeverisë shqiptare, se gjithçka është bërë në spitalin shtetëror. Po ministri i Shëndetësisë, përse është në post, për të mbyllur sytë kundrejt krimit?
Në të gjitha spitalet shtetërore në Shqipëri ndodh i njëjti abuzim. Ky tani është fakt.
A ka një moral në shtetin shqiptar?
A e di qeveria aktuale në Shqipëri që ajo ka ardhur për të drejtuar vendin me ligj, me moral dhe me shërbim të ndershëm kundrejt qytetarëve?
E di kryeministri i Shqipërisë sot se ai nuk është një monark absolut, por një administrator që i shërben shqiptarëve?
E di kryeministri aktual se të veprosh ashtu siç u raportua për Spitalin Onkologjik, është një përbuzje dhe ligësi kundër shqiptarëve?
E di qeveria aktuale në Shqipëri se, të tallesh vjedhurisht me shëndetin e një populli të varfër, në të gjithë botën e zhvilluar, është një krim i rëndë?
Po pushteti gjyqësor në Shqipëri, e di që këto sjellje makabër kundrejt të sëmurëve që vuajnë nga një sëmundje e rëndë, janë krime, dhe ai hesht?
Po pse ndodhin këto sjellje barbare të administratës shtetërore në Shqipëri?
Shqipëria sot ka një shtet mesjetar që vjen nga barbaria dhe vjedh medikamentet e shtrenjta kundër tumorit në Spitalin Onkologjik, dhe i nxjerr ato në tregun privat. Por kështu ndodh kudo nëpër spitalet shtetërore me medikamentet që duhet t'i paguajë buxheti i shtetit.
Domethënë kjo është shumë e thjeshtë: në Shqipëri ka administratorë që pasurohen me vdekjen e të sëmurëve. Ai vdes, kurse mjeku i spitalit shtetëror pasurohet me vdekjen e shqiptarëve të varfër.
Por koha nuk pret më. Në spitalet shtetërore duhet ndërhyrje serioze në ligj.
Por...
Menjëherë duhet rikonceptuar trajtimi mjekësor shtetëror në Shqipëri. Paratë janë të popullit dhe janë dhënë për shëndetin e tij, por vidhen nga mjekët të cilët, pasi paguhen për të garantuar shëndetin e të sëmurit me tumor, vjedhin medikamentet dhe i shesin ato në tregun privat, kurse të sëmurët vdesin.
A ka kryeministër ky vend, apo vetë qeveria vepron si këta vrasës me bluza të bardha?!
E pra...
II.
Pse kanë ndodhur këto?
Këto ndodhin se nuk ekziston forca drastike e ligjit në Shqipëri. Pushteti gjyqësor sot është një bashkësi abuzuesish që bashkohet me krimin, kurse administrata shtetërore kuptohet se nuk i shërben shqiptarëve por i urren dhe i përbuz ata.
Sot, për atë që ka ndodhur në spitalin Onkologjik, ministri i shëndetësisë duhet të dalë dhe me fakte të sqarojë opinionin publik, kurse kryeministri duhet të thërritet në SPAK.
Përse e paguajmë SPAK - un?
E paguajmë për të na garantuar goditjen antikorrupsion.
Të shohim!
SPAK, drejtohet nga ndërkombëtarët.
Atëherë?
Urgjent duhet të filloi pastrimi ligjor antikorrupsion në shëndetësi, kudo, në të gjitha spitalet. Dhe të vijojë përgjimi i specializuar antikrim në spektër të gjerë.
SPAK-ut i ka ardhur dita të tregojë veten përballë historisë, sepse është krijuar ndërkombëtarisht për të shpëtuar Shqipërinë nga abuzimi shtetëror.
Koha nuk pret më. Në ministrinë e Shëndetësisë duhet goditje drastike që të fillojë që nga ministri tek drejtorët e spitaleve shtetërore e, nga drejtorët, deri te mjeku më thjeshtë.
Këtë pastrim antikorrupsion në shëndetësinë shqiptare po presin shqiptarët e sëmurë, që pastaj SPAK të fillojë luftën pastruese antikorrupsion kudo: në Këshillin e Ministrave, dhe në të gjitha bashkitë dhe komunat e Shqipërisë.
Koha nuk pret!
Lini një Përgjigje