Flori Paluçi, kishte qenë i kërkuar në Itali për tentativë vrasjeje të dyfishtë në Perugia.
Flori Paluçi, 33-vjeçari që mbeti i vrarë në fshatin Manzë të Durrësit, pas një sherri për një kafe kishte qenë i kërkuar në Itali për tentativë vrasjeje të dyfishtë në Perugia. Lajmin e kanë bërë të ditur mediat italiane një ditë më parë (24 tetor).
Sipas mediave italiane, Paluçi ishte nën hetim nga Prokuroria e Perugias për ngjarjen e ndodhur më 19 qershor, përpara një bari në zonën e Vernës në Umbertide, ku dy persona mbetën të plagosur rëndë pas një shkëmbimi zjarri.
Hetimet në Itali kanë sugjeruar se ngjarja ishte e lidhur me përplasje për çështje droge. Pas atentatit, 33-vjeçari, i cili ishte i njohur më parë për policinë, ishte arratisur menjëherë.
Nga Umbertide në Durrës, fundi i arratisjes
Fundi i arratisjes së Paluçit erdhi në orët e vona të mbrëmjes mes 21 dhe 22 tetorit, kur në Manzë të Durrësit ndodhi një tjetër përplasje me armë përpara një karburanti.
Teksa i referohen raportimeve nga Shqipëria, mediat italiane shkruajnë se ngjarja ndodhi për një kafe.
Një 23-vjeçar, që ndodhej ulur në një lokal me një mik, kishte kërkuar një ekspres, por kamarieri nuk e kishte shërbyer pasi ekspresi ishte fikur. Kjo shkaktoi një debat të ashpër, në të cilën ndërhyri edhe Flori Paluçi.
Pas sherrit, u regjistruan dy viktima Flori Paluçi dhe Aranit Kurti.
Autori i dyshuar për vrasjen e Flori Paluçit është aktualisht në kërkim nga policia shqiptare, ndërsa hetimet janë në zhvillim për të zbardhur plotësisht ngjarjen dhe për të përcaktuar rrethanat e konfliktit fatal.
Dinamika e ngjarjes në Shqipëri
Nga hetimet e kryera deri tani ka rezultuar se shtetasi Daniel Pepa ka hyrë në lokal dhe për motive të dobëta, është konfliktuar verbalisht, me kamerierin e lokalit dhe me Flori Paluçin (i cili shoqërohej në lokal, nga disa persona, ndër ta, i arrestuari Erald Cani). Pas konfliktit verbal, shtetasi Daniel Pepa është larguar me automjet, nga ambienti i lokalit, ku është kthyer menjëherë më pas, i shoqëruar nga Ergi Kadiu dhe nga Aranit Kurti.
Gjatë tentativës së tre të rinjve për të hyrë në lokal, ka dalë nga lokali, Flori Paluçi, i cili dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri, në tokë.
Në këtë moment, Daniel Pepa dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri, në drejtim të 33-vjeçarit, të cilin e ka plagosur, dhe ky i fundit ka qëlluar me armë zjarri, në drejtim të Daniel Pepës dhe Aranit Kurtit (që dyshohet se e ka goditur me grusht, në fytyrë Paluçin.). Si pasojë e sherrit, mbetën të vrarë Florian Paluçi dhe Aranit Kurti.
Më tej nga hetimet, dyshohet se shtetasi G. A. është larguar nga vendngjarja, me 21-vjeçarin Daniel Papa.
Vijojnë kërkime intensive për kapjen e autorit të dyshuar të vrasjes së Flori Paluçit, Daniel Pepën si dhe për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim G. A..
Lini një Përgjigje