Kronike22 Maj 2024, 13:59

Akuzohen për vrasjen e bashkëkombasit të tyre 16 vjet më parë në Athinë, arresohen dy shqiptarët

Shkruar nga Pamfleti

Akuzohen për vrasjen e bashkëkombasit të tyre 16 vjet më
Dy persona që akuzohen për vrasje, krim i kryer në Greqi në vitin 2008, janë arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Korçës.

Gëzim Latja dhe Armando Tarushllari (ose alias Jetnor Cinellari) janë arrestuar si autorë të dyshuar të vrasjes së 25-vjeçarit Arjan Xhambazi në Athinë në vitin 2008.

Sipas një njoftimi zyrtar, të arrestuarit janë shtetasit Gëzim Latja dhe Armando Tarushllari të akuzuar për vrasjen e bashkëkombasit të tyre në Greqi. Mbi ta rëndon akuza e vrasjes me dashje.

Shtetasit në fjalë, janë paraqitur më datë 07 maj 2024 në ambientet e DVP-së Korçë për t’u pyetur në lidhje me përfshirjen e tyre në vrasjen e shtetasit Arjan Xhambazi, më 23 dhjetor 2008, në Athinë, për të cilën prokuroria po kryhen hetime të cilat janë rifilluar më 28 dhjetor 2013.

Nga veprimet hetimore si më lart që janë cituar, të kryera në dinamikë dhe në funksion të një hetimi të plotë dhe të gjithanshëm të kësaj çështje penale, është krijuar një dyshim i arsyeshëm i bazuar në prova dhe indicie se nga ana e shtetasve Gëzim Latja dhe Armando Tarushllari janë konsumuar elementë të veprës penale “Vrasja me dashje”, e kryer në bashkëpunim, ku mbeti viktimë shtetasi Arjan Xhambazi.

Në këto kushte, u urdhërua nga prokurori i çështjes ndalimi i menjëhershëm i personave të dyshuar. Pas ekzekutimit të urdhrave të ndalimit, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, kërkoi caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg” për shtetasit G. L. dhe A. T. alias J. C., si të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vrasja me dashje”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 76 e 25 i Kodit Penal, me viktimë të veprës penale shtetasin A. Xh., me qëllim qenien e tyre në dispozicion të organit të hetimit, për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje kriminale.

Ngjarja ka ndodhur në Athinë, Greqi, në lulishten “Karamali Kipseri”, ku pas një konflikti fizik midis dy grupe shqiptarësh, duke përdorur mjete të forta si thikë dhe dru (shkopinj), ka mbetur i vrarë Arjan Xhambazi, nga Pogradeci.