Atmosfera përpara finales së Kupës së Botës është ndezur edhe jashtë fushës së lojës. FIFA organizoi një aktivitet në "Fan Fest", ku ishin të pranishëm trajnerët e Argjentinës dhe Spanjës, Lionel Scaloni dhe Luis de la Fuente, si edhe futbollistët Rodrigo Hernández (Rodri) dhe Emiliano "Dibu" Martínez. Megjithatë, protagonisti i mbrëmjes ishte Lionel Messi, i cili u shfaq si një i ftuar surprizë.
Aktiviteti u moderua nga tre emra të njohur të sportit botëror, Novak Djokovic, Kevin Durant dhe Tom Brady. Gjatë diskutimit, përveç analizës së finales së së dielës, Messi ndaloi edhe te Lamine Yamal, për të cilin pati vetëm fjalë vlerësimi.
“Lamine është një futbollist i jashtëzakonshëm. E kam ndjekur nga afër, sepse luan te një klub që e dua shumë dhe të cilit gjithmonë i uroj sukses. Edhe pse është vetëm 19 vjeç, ai tashmë është një nga lojtarët më të rëndësishëm në futbollin botëror. Ka gjithë karrierën përpara dhe mundësinë për të shkruar histori. Ne do të përpiqemi që kjo të mos ndodhë këtë herë”, deklaroi Messi me buzëqeshje.
Gjatë bisedës, kapiteni argjentinas u pyet edhe për fotografinë e realizuar 19 vite më parë për një kalendar bamirësie, ku ai shfaqet duke mbajtur në krahë një foshnjë, që sot është Lamine Yamal. Fotografia është bërë sërish virale, pasi dy futbollistët do të përballen tani si kundërshtarë në finalen e Kupës së Botës.

“Është diçka e pabesueshme. Jeta të surprizon. Kam bërë një foto me të kur ishte vetëm një foshnjë dhe tani do të luajmë kundër njëri-tjetrit në finalen e Botërorit. Ai është një nga më të mirët në botë në këtë moment. I uroj shumë suksese, sepse suksesi i tij është edhe suksesi i Barcelonës. Megjithatë, ne do të bëjmë maksimumin që të mos jetë në ditën e tij më të mirë, edhe pse është shumë e vështirë”, u shpreh Messi.
Megjithëse e cilësoi Yamalin si një nga futbollistët më të mirë të momentit, Messi theksoi se Spanja nuk mbështetet vetëm te talenti i ri i Barcelonës.
“Nuk është vetëm Lamine. Spanja ka shumë futbollistë cilësorë dhe luan një futboll të shkëlqyer. Edhe ne kemi armët tona”, përfundoi Messi, i cili synon të fitojë Kupën e dytë të Botës në karrierë përballë Spanjës.
Lini një Përgjigje