Gjykata e Apelit ka lënë në burg 30-vjeçarin Gëzim Gjini, i cili akuzohet për vrasjen e kunatit të tij në Itali.
Gëzim Gjini është arrestuar në Lezhë me qëllim ekstradimin në Itali, ndërsa kishte apeluar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë në Lezhë për ta lënë në burg.
Apeli e ka rrëzuar kërkesën e tij dhe 30-vjeçari do të vijojë të qëndrojë në burg deri në nisjen e procedurave të ekstradimit për në Itali.
Kujtojmë se pas vrasjes së kunatit një vit më parë, Gjini ishte fshehur në Shqipëri dhe u arrestua më 12 gusht një kafene në aksin rrugor Lezhë-Milot. Ai ishte shpallur në kërkim nga autoritetet italiane për vrasjen e bashkëshortit të motrës së tij, në Rocca Priora, Itali, më datë 13 dhjetor 2022, në bashkëpunim me 2 të tjerë.
Njoftimi i plotë:
Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë:
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, ka zhvilluar gjykimin lidhur me miratimin e arrestimit provizor si dhe caktimin e masës shtrënguese “arrest në burg” parashikuar nga neni 238 të K.Pr.Penale, ndaj shtetasit me iniciale G.Gj, për efekt të marrjes së kërkesës për ekstradim nga shteti Italian, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes”, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë..
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, me vendimin nr. 261 (53-2023-1768), datë 11.08.2023, ka vendosur:
1. Pranimin e kërkesës.
2. Vlerësimin e ligjshëm të arrestimit provizor të kryer nga policia gjyqësore ndaj shtetasit G.Gj.
3. Caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, për shtetasin G.Gj.
Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë, nga kërkuesi me iniciale G.Gj i cili kërkoi revokimin e masës së sigurimit “arrest në burg”.
Në përfundim të gjykimit, sot më datë 03.10.2023, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Gjyqtare znj. Elona Mihali, vendosi:
– Miratimin e vendimit Nr. 261 datë 11.08.2023 të Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë.