TAGS-AT E JAVËS

Kronike17 Dhjetor 2024, 19:04

Drejtonte trafikun e drogës në Brazil, kush është Armando Pacani, shqiptari që i shpëtoi ekstradimit nga Dubai?

Shkruar nga Pamfleti

Drejtonte trafikun e drogës në Brazil, kush është Armando

Një tjetër shqiptar i ka shpëtuar ekstradimit nga Dubai. Këtë herë është Armando Pacani, një emër i bërë i njohur pak kohë më parë, pasi u ndalua në Dubai për llogari të autoriteteve braziliane. Ai u arrestua në korrik, pasi akuzohet se ishte marrësi i një pjese të madhe të 17 tonëve kokainë të pastër që një grup kriminal me bazë në portet në jug të vendit dërgonte në Evropë për një periudhë dyvjeçare. Pacani akuzohet për trafik droge, pastrim parash dhe organizim kriminal. Por sot një gjykatë në Dubai e ka liruar.

40-vjeçari me origjinë nga Tirana, është i martuar me një grua gjermane dhe prej kohësh ka jetuar në Brazil. Nga hetimet atje rezulton të ketë trafikuar 17 tonë drogë, që kapin vlerën e 3.8 miliardë dollarë, e cilësohej një nga shitësit më të mëdhenj të kokainës në Europë. Droga fshihej në kontejnerë me ngarkesë të ligjshme, pa dijeninë e pronarëve të mallit, ose lihej në anije peshkimi.

Një nga dërgesat që u sekuestrua nga marina franceze pranë Sierra Leones, në nëntor 2022, mbante 4.6 tonë kokainë, në rreth 100 valixhe. Pacani ishte koka e gjithçkaje, që nga blerja, magazinimi, dërgimi në port, e deri te destinacioni final në kontinentin e vjetër. Nga zbërthimet e aplikacionit “SkyECC” njihej me nofkat “Albanês” që do të thotë “Shqiptari”, “Forbes” dhe “Globe”. Lavdia e aksioneve të tij u ndërpre kur u fut në listën e të kërkuarve gjatë operacionit “Hinterland”, në mars 2023. Organizata trafikonte kokainë me shtrirje nga Brazili, deri në Dubai.

Hetimi që solli operacionin “Hinterland” filloi në mars 2021, pas një sekuestrimi të 316 kg kokainë në Hamburg të Gjermanisë. Pas konfiskimit të drogës, u identifikua një furnizues paraguaian, i cili po merrte kokainën e prodhuar në Bolivi dhe vende të tjera dhe po hynte në Brazil përmes Ponta Porã. Droga më pas transportohej me kamionë në Santa Catarina dhe Río Grande do Sul, ku ngarkesat ruheshin në kompanitë e organizatës kriminale pranë porteve të Río Grande dhe Itajaí.

Nga atje ngarkesat u kontaminuan në dërgesa të ligjshme, në bashkëpunim me menaxherët e logjistikës, për t’u dërguar në kontinentin evropian. Ndërkohë, në Europë ishte përgjegjës për shpërndarjen në vende të ndryshme të rajonit shqiptari Pacani.

Lini një Përgjigje