Kronike 3 Mars 2024, 09:22

E rëndë në Shkodër/ 48-vjeçari tenton të vrasë ish-vjehrrin duke e përplasur me makinë, arrestohet nga policia

Shkruar nga Pamfleti
E rëndë në Shkodër/ 48-vjeçari tenton të
Foto ilustruese

Një 48-vjeçar është arrestuar nga polica në Shkodër, pasi ka tentuar të vrasë ish-vjehrrin e tij duke e përplasur me makinë.

Policia njofton se fillimisht u informua për aksidentimin e një 68-vjeçari, i cili ishte duke lëvizur me biçikletë. I moshuari ka qenë në korsinë e biçikletave, kur u godit nga automjeti. Por pas hetimeve ka rezultuar se shofer i makinës ishte ish-dhëndri i tij, shtetasi Ervin Çeka, 48 vjeç.

Sipas policisë, ai e ka përplasur qëllimisht të moshuarin, i cili fatmirësisht ka marrë vetëm dëme të lehta. 48-vjeçari akuzohet për veprën penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë. 

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, menjëherë pas marrjes së njoftimit se një shtetas kishte përplasur me automjetin që drejtonte, biçikletën me të cilën lëvizte një 68-vjeçar, në korsinë e dedikuar, kanë nisur menjëherë veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave të rastit, identifikimin dhe kapjen e drejtuesit të automjetit.

Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër arrestuan në flagrancë shtetasin:  E. Ç., 48 vjeç, banues në Shkodër, për veprën penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë. 

Ky shtetas, më datë 02.03.2024, në rrugën “Marin Biçikemi”, dyshohet se për motive të dobëta, me automjetin që drejtonte, ka përplasur me dashje biçikletën me të cilën po lëvizte në korsinë e dedikuar për biçikleta, ish-vjehrri i tij, shtetasi A. U., i cili është jashtë rrezikut për jetën.

Automjeti që drejtonte shtetasi E. Ç. është sekuestruar në cilësinë e provës materiale. 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.