TAGS-AT E JAVËS

Kronike19 Prill 2025, 11:30

Atentati në Tiranë, autorët dyshohet se u larguan drejt Elbasanit me motor “Ducati”; në lupë pista e hakmarrjes për fajde nga pronarët e ‘Pelikani Security’

Shkruar nga Pamfleti

Kur ka ndodhur atentati ndaj makinës 'G Class', rezulton se makina drejtohej nga 34-vjeçari Arenc Stafa, që është shoqëruesi i familjes së pronarit të ‘Pelikan Security’.

Atentati në Tiranë, autorët dyshohet se u larguan drejt Elbasanit

Teksa kanë kaluar më shumë 24 orë nga atentati që tronditi Lezhën dhe Tiranën, policia dhe grupi hetimor nuk kanë mundur ende të gjejnë asnjë gjurmë të vrasësve të Gjovalin Prendit dhe për plagosjen e 4 të rinjve në kryeqytet.

Përgjatë së djeshmes, e vetmja punë e konkretizuar e policisë është gjetja e mjetit luksoz të përdorur nga autorët e krimit në pritën që i zunë Prendit në derën e lokalit të tij, në fshatin Pllanë.

Ndërkohë mësohet se motoçikleta tip “Ducati”, me të cilën autorët e larguan pasi qëlluan në drejtim të makinës “G Class” në Lundër, mbrëmjen e së enjtes, ku mbetën të plagosur 4 persona, mes të cilëve 2 të mitur, është larguar në drejtim të Elbasanit.

Grupi hetimor ka mundur ta gjurmoj deri diku në autostradë, ndërsa më pas ka humbur gjurmët, pasi ka devijuar nëpër disa rrugë fshatrash pa mbërritur në qytet, në të cilat deri më tani ka qenë i pamundur gjurmimi pasi nuk ka kamera sigurie.

Grupi hetimor, përveç verifikimeve që po kryen për pistën që e lidh me ngjarjen e Lezhës, ku 2 orë para saj u vra babai i Roan Brahimit, disa pista të tjera janë duke u verifikuar, por deri në këtë fazë asnjëra prej tyre nuk duket të jetë bindëse për të avancuar deri në zbardhjen konkrete të atentatit.

Në zonën ku u qëlluan 4 personat lëvizin çdo ditë edhe kontigjentë të tjerë të botës së krimit, të cilët mund të kenë po ashtu shënjestër. Një pjesë e madhe e tyre po verifikohen një e nga një ku kanë qenë në momentin e atentatit, jo vetëm si pre por edhe autorë të mundshëm.

Pronarët e kompanisë së sigurisë fizike janë vënë në lupën e hetuesve, për të kuptuar nëse vetë ata kanë qenë shënjestër. Disa të dhëna për veprimtarinë e tyre po mblidhen, përfshirë edhe mundësia e fajdeve, për të parë nëse kanë qenë motiv i ngjarjes, megjithatë deri më tani akoma nuk ka të dhëna bindëse në këtë drejtim.

Kur ka ndodhur atentati ndaj makinës 'G Class', rezulton se makina drejtohej nga 34-vjeçari Arenc Stafa, që është shoqëruesi i familjes së pronarit të ‘Pelikan Security’.

Sipas të dhënave dy të miturit e plagosur rezultojnë kushurinjë të parë me njëri-tjetrin, njëri është djali dhe tjetri nipi i pronarit të 'Pelikan Security' Vesel Demiraj. 

2 nga të plagosurit, 17 dhe 11 vjeç janë nisur jashtë vendit për ndihmë më të specializuar mjekësore.

Pistat e hetimit për vrasjen në Lezhë

Atentati në Tiranë, autorët dyshohet se u larguan drejt Elbasanit

Grupi hetimor është rikthyer sërish tek aktivitetet e pahetuara të të birit të viktimës, për të parë hollësitë dhe për të shkuar drejt një piste konkrete. Roan Brahimi, ose Sidorel Prendi, i cili u vra vetëm një vit më parë, ishte i dyshuar për një sërë aktesh. Madje, Policia e Shtetit e listoi në mes të 5 emrave që duhej të dëshmonte për masakrën e FushëKrujës me 4 të vrarë, atentat ku humbi jetën Brilant Martini, si shënjestra kryesore e asaj ngjarjeje horror, që tronditi mbarë opinionin publik.Përveç djalit nga Pllana, në listën e personave që duheshin pyetur ishin edhe emra të njohur të botës së krimit në vend dhe që aktualisht janë në kërkim për dosjet e bujshme të grupeve kriminale, por asnjëherë nuk u mësua nëse këta persona u morën në pyetje mbi ngjarjen e frikshme, ku u vranë dhe më pas u dogjën në mes të ditës dhe në mes të rrugës kryesore të vendit katër djem të rinj.

atentati në tiranë

Lini një Përgjigje