TAGS-AT E JAVËS

Kronike 9 Maj 2023, 20:52

“Italiani i bëri xhiro gruas time me Maseratin e tij”, zbardhen të tjera detaje nga dëshmia e Taulant Malajt që kreu krimin makabër në Itali

Shkruar nga Pamfleti

“Italiani i bëri xhiro gruas time me Maseratin e tij”, zbardhen

Detaje të reja janë zbardhur nga vrasja makabër në Itali ku Taulant Malaj vrau me thikë vajzën e tij 16-vjeçare dhe një italian, të cilin e akuzonte se kishte një lidhje jashtëmartesore me gruan e tij, si dhe plagosi këtë të fundit.

Ngjarja e rëndë ndodhi në pallatin ku jetonin çifti Malaj dhe De Santis, në Torremaggiore të Foggia-s, ndërsa mëngjesin e ditës së nesërme pritet të mbahet seanca për vlerësimin e masës së sigurisë për Taulant Malajn.

Sipas raportimeve të ANSA, bashkëshortja e autorit të dyshuar, 39-vjeçarja Tefta Malaj, ndodhet në spital në gjendje të stabilizuar shëndetësore. Megjithatë hetuesit nuk kanë mundur të marrin ende dëshminë e saj për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike. Dëshminë ata pritet ta marrin pas ditës së premte.

Ndërkohë, mëngjesin e së enjtes është parashikuar kryeja e autopsisë në trupin e dy viktimave. Nga të dhënat e para, ANSA shkruan se vajza është goditur rreth 10 herë me thikë, ndërsa De Santis të paktën 20 herë.

Arma e krimit është një thikë kuzhinë, e cila u gjet në makinën e Malajt, i cili dyshohet se kishte si qëllim të arratisej.

“Një ditë, Massimo i bëri xhiro gruas time me Maseratin e tij”, mësohet të jetë shprehur Malaj para hetuesve.

Ndërkohë, ANSA mëson detaje të reja nga dëshmia e 45-vjeçarit Malaj. Ai ishte i bindur që mes të shoqes dhe De Santis kishte një lidhje të fshehtë që vijonte prej më shumë se 1 viti. Lidhja sipas autorit të dyshuar kishte ndodhur pas një incidenti.

Sipas tij, Tefta dhe Massimo ishin njohur nga ai moment dhe kishin nisur të kishin kontakt me njëri-tjetri. Malaj është shprehur se shpesh gruaja dhe italiani hanin bashkë dhe se me telefonin e tij u kishte bërë edhe video teksa drekonin.

Sa i përket videos makabre që filmoi pas krimit, ai mësohet të ketë thënë: “Kështu e bëra, nuk ka një motiv të veçantë”.

Sipas raportimeve të ANSA, Taulant Malaj ka rrëfyer gjithashtu se menjëherë pas ngjarjes së rëndë kishte telefonuar vëllain e tij për t’i treguar krimin, por ky i fundit mbërriti në vendngjarje vetëm pasi kishte ardhur ambulanca.

masarati italian taulant malaj krim makaber itali

Lini një Përgjigje