39-vjeçari Francesco Imprezzabile humbi jetën pasi u rrëzua me motorin e shërbimit. Ai po ndiqte një automjet që nuk iu bind urdhrit të ndalimit. I ndaluari ka precedentë penalë dhe ishte nën masën e detyrimit për paraqitje…
Një agjent i Policisë Lokale të Milanos humbi jetën mbrëmjen e djeshme gjatë një ndjekjeje mes Milanos dhe Peschiera Borromeo. Viktima po ndiqte një Audi Q7, i cili dyshohet se kishte thyer një postbllok kontrolli në zonën e Ponte Lambro dhe ishte larguar me shpejtësi.
Agjenti identifikohet si Francesco Imprezzabile dhe ishte 39 vjeç. Sipas verifikimeve të para të Prokurorisë, përjashtohet mundësia që ai të jetë përplasur qëllimisht nga automjeti. Prokurorja Francesca Crupi, e cila drejton hetimin, po mbledh prova, edhe përmes pamjeve të kamerave të sigurisë, për të vlerësuar më pas nëse do të merren masa të tjera ligjore. SUV-i dhe motori janë sekuestruar.
Ngjarja ndodhi rreth orës 21:30. Imprezzabile u transportua me helikopter në gjendje shumë të rëndë në spitalin Niguarda të Milanos, ku ndërroi jetë si pasojë e plagëve të rënda të marra nga rrëzimi.
Automjeti me dy personat që nuk iu bindën urdhrit të ndalimit u gjet i braktisur mëngjesin e sotëm në Pioltello, jo larg vendit të aksidentit. Drejtuesi i SUV-it u identifikua dhe u arrestua për vrasje rrugore. Bëhet fjalë për një shtetas shqiptar me precedentë penalë, i cili ishte gjithashtu nën masën e detyrimit për paraqitje, shkruan media italiane.
“I kërkoj falje shtetit italian dhe familjes së tij”
“I kërkoj falje shtetit italian dhe familjes së tij... nëse mund të bëj diçka për familjen e tij”. Ky është një nga fragmentet e rrëfimit të 25-vjeçarit që drejtonte SUV-in, të cilin po e ndiqte agjenti i Policisë Lokale Francesco Imprezzabile, i cili humbi jetën pasi u rrëzua me motorin e shërbimit.
“Isha unë në timon. Ai më urdhëroi të ndaloja, por kisha disa gramë hashash dhe nuk doja probleme, ndaj ika”, deklaroi ai para hetuesve. Në vijim ai shton “nuk e pashë të rrëzohej. Po mendoja të vetëdorëzohesha dhe doja të konsultohesha me avokatin tim”.
Në automjet, përveç drejtuesit të ri, për të cilin rezulton masa e detyrimit për paraqitje – ndodheshin edhe tre miq të tij, por asnjëri prej tyre nuk është aktualisht nën hetim.
25-vjeçari u ndalua nga Policia Lokale në banesën e një miku në Monza.
“SUV-i arriti shpejtësi të konsiderueshme”
Komandanti i Policisë Lokale të Milanos, Gianluca Mirabelli, deklaroi gjatë një konference për shtyp se SUV-i “përshpejtoi duke arritur një shpejtësi të konsiderueshme” pasi drejtuesi shpërfilli urdhrin për të ndaluar.
Ndjekja nisi rreth orës 21:30 në rrugën Vittorini. Përveç motorit të Imprezzabile-s, në ndjekje u përfshinë edhe dy motorë të tjerë të Policisë Lokale dhe një automjet i Policisë Rrugore, të cilët ndoqën mjetin drejt Peschiera Borromeo.
Në zonën e Via Milano, kolegët humbën kontaktin vizual me motoristin. Pak më vonë gjetën motorin e tij të rrëzuar në anë të rrugës dhe, më tej, agjentin në arrest kardiak.
Ai u transportua menjëherë në spitalin Niguarda, por ndërroi jetë pak kohë më vonë.
“Për momentin kemi arsye të forta për të besuar se në SUV ndodheshin dy personat e ndaluar këtë mëngjes në Monza. Të paktën këta dy persona. Më pas do të verifikojmë nëse kishte edhe persona të tjerë në automjet. Para se të ngremë akuza, duam të kemi prova të sigurta”, deklaroi Mirabelli.
Të ndaluarit janë “dy shtetas shqiptarë, mjaft të rinj në moshë”, por “ende nuk janë identifikuar plotësisht”. Sipas komandantit, bëhet fjalë për një ndalim me qëllim identifikimin.
“Do të kryhet edhe krahasimi i gjurmëve të gishtërinjve për të arritur një identifikim të sigurt”, shtoi ai.
I pyetur nëse të ndaluarit kanë precedentë penalë, Mirabelli u përgjigj: “Duket se po”.
Ndaj tyre nuk janë kryer ende analiza toksikologjike, “edhe sepse kanë kaluar disa orë nga ngjarja, por nëse do të jetë e nevojshme, ato do të vlerësohen”, tha ai.
“Për momentin masa e vetme është ndalimi për identifikim. Në orët në vijim do të vlerësojmë me autoritetin gjyqësor, mbi bazën e elementeve teknike që po verifikojmë, se cilat masa të tjera mund të ndërmerren. Besoj se do të ketë zhvillime në orët e ardhshme”, shtoi Mirabelli.
Hapet hetim për vrasje rrugore dhe largim të rrezikshëm
Prokuroria e Milanos ka hapur një dosje hetimore për vrasje rrugore dhe për veprën e re penale të parashikuar nga Kodi Rrugor italian, atë të “largimit të rrezikshëm”.
Në kuadër të hetimit është urdhëruar autopsia mbi trupin e 39-vjeçarit, ndërsa data e ekzaminimeve mjeko-ligjore ende nuk është përcaktuar.
Për rindërtimin e ngjarjes do të jetë vendimtare analiza e pamjeve të kamerave të sigurisë.
Sipas një rindërtimi paraprak që po shqyrtohet nga hetuesit, automjeti në arrati mund të ketë përshpejtuar sapo ka vënë re praninë e policisë, edhe pse efektivët ende nuk i kishin bërë shenjë të ndalonte.
Në ndjekje mori pjesë edhe një automjet i Policisë Rrugore, i cili ndodhej pas motorit të Francesco Imprezzabile dhe nuk e pa momentin e rrëzimit.
Për këtë arsye, hetuesit ende duhet të përcaktojnë shkakun e saktë të aksidentit: nëse ai lidhet me shpejtësinë e lartë, një kontakt të mundshëm aksidental apo me një manovër të automjetit që po largohej. /Përshtati Pamfleti/
Lini një Përgjigje