Reshjet intensive të shiut kanë shkaktuar probleme serioze në aksin kombëtar Librazhd–Prrenjas. Pasditen e sotme, qarkullimi i automjeteve u bllokua për më shumë se një orë në segmentin e njohur si “Kthesat e Dragostunjës”.
Sipas raportimeve nga vendngjarja, rreth orës 17:45 një stuhi e fortë që përfshiu zonën e Librazhdit shkaktoi rrëshqitjen e masiveve të dheut, gurëve dhe baltës nga shpatet anësore drejt rrugës kombëtare. Për pasojë, pjesë të konsiderueshme të karrexhatës u mbuluan nga materialet inerte, duke bllokuar plotësisht lëvizjen e mjeteve në të dy drejtimet.
Situata u rëndua edhe nga punimet që po zhvillohen për zgjerimin e rrugës, në kuadër të projektit të Korridorit VIII. Reshjet e dendura favorizuan rrëshqitjen e materialeve në zonat ku po kryhen ndërhyrje, duke sjellë vështirësi të menjëhershme për qarkullimin.
Si pasojë e bllokimit, në të dy anët e aksit u krijuan kolona të gjata automjetesh, ndërsa drejtuesit e mjeteve u detyruan të prisnin për më shumë se një orë.
Për normalizimin e situatës u angazhuan mjetet dhe punonjësit e kompanisë që po kryejnë punimet në rrugë, të cilët ndërhynë për pastrimin e karrexhatës dhe largimin e dherave e gurëve të rënë mbi aks.
Lini një Përgjigje