TAGS-AT E JAVËS

Kronike10 Shkurt 2026, 16:29

“Kokat” e grupit kriminal që drejtonin trafikun e drogës drejt Zvicrës, GJKKO ‘fundos’ Gëzim Bakallin dhe Erjon Locin

Shkruar nga Pamfleti
“Kokat” e grupit kriminal që drejtonin trafikun e drogës
SPAK

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka shpallur fajtorë Gëzim Bakallin dhe Erjon Locin, të konsideruar nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) si dy drejtuesit kryesorë të një grupi të strukturuar kriminal që merrej me trafikun e narkotikëve drejt Zvicrës.

Çështja lidhet me procedimin penal nr. 108, të vitit 2024, për të cilin SPAK paraqiti kërkesën për gjykim pranë Gjykatës. Procesi u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar.

Me vendimin nr. 11, datë 10 shkurt 2026, trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Erjon Çela, Flora Hajredinaj dhe Rudina Palloj vendosi dënimin e të pandehurve për disa vepra penale.

Gëzim Bakalli, i njohur edhe me aliasin Shkëmbim Cërmanji, u shpall fajtor për:

trafikim të narkotikëve në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe më shumë se një herë;
-drejtim të grupit të strukturuar kriminal;

-falsifikim dokumentesh, përfshirë letërnjoftime, pasaporta, viza dhe akte të gjendjes civile.

Gjykata caktoi fillimisht një dënim të përbashkët prej 19 vjet burgim, i cili, për shkak të gjykimit të shkurtuar, u ul me një të tretën, duke u konvertuar në 12 vjet e 8 muaj burgim. Dënimi do të vuhet në një institucion të sigurisë së lartë.

Erjon Loci u shpall fajtor për:

-prodhim dhe shitje të narkotikëve në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe më shumë se një herë;
-pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

Për këto vepra, Gjykata caktoi një dënim të vetëm prej 12 vjet burgim, i cili pas uljes me një të tretën për shkak të gjykimit të shkurtuar u konvertua në 8 vjet burgim. Dënimi do të vuhet në burg të sigurisë së lartë, duke filluar nga dita e arrestimit.

Gjykata vendosi që një pjesë e dokumenteve, pajisjeve elektronike dhe sendeve personale të sekuestruara të mbeten pjesë e fashikullit të një procedimi të ndarë penal, ndërsa dokumentet e falsifikuara, përfshirë pasaporta dhe karta identiteti, të asgjësohen sipas ligjit.

Shpenzimet procedurale të fazës së hetimit, në shumën 43,630 lekë, si dhe shpenzimet gjyqësore, do të përballohen nga të pandehurit në mënyrë solidare.

spak gëzim bakallin dhe erjon locin

Lini një Përgjigje