Policia italiane ka arrestuar një 24-vjeçar shqiptar në qytetin Vittorio Veneto të provincës Trevizo, pasi u zbulua se kishte përshtatur apartamentin ku banonte për përpunimin dhe shpërndarjen e kokainës.
Gjatë kontrollit në banesë, forcat e rendit gjetën rreth 1 kilogram kokainë, peshore precize, materiale për paketim dhe 36 mijë euro para cash në kartëmonedha të prerjeve të ndryshme. Dhoma e gjumit ishte përdorur për ndarjen dhe paketimin e dozave, duke e kthyer apartamentin në një laborator të vogël droge.
Sipas hetimeve, 24-vjeçari siguronte dhe shpërndante sasi të konsiderueshme kokaine për klientë me fuqi të lartë blerëse.
Karabinierët konstatuan lëvizje të shpeshta dhe shpërndarje të sasive të mëdha të kokainës, çka çoi në intensifikimin e kontrolleve dhe survejimit në zonat e frekuentuara të jetës së natës pranë lumit Piave.
Autoritetet e mbajtën të dyshuarin nën vëzhgim dhe përgjim për të dokumentuar aktivitetin, kontaktet dhe rrjetin e tij të klientëve. Arrestimi u krye të premten në mëngjes, ndërsa një ditë më pas gjykata konfirmoi masën e sigurisë.
Gjykata vendosi masën e arrestit shtëpiak për 24-vjeçarin shqiptar, i cili do të qëndrojë në këtë regjim në pritje të përfundimit të hetimeve dhe procesit gjyqësor.
Lini një Përgjigje