TAGS-AT E JAVËS

Kronike26 Mars 2025, 21:57

‘Mos shtini, jemi gra…’, terrori i ‘Mandelës’ në Elbasan; nuk fali as djalin e xhaxhait, pasi e vrau i dogji trupin në mes të qytetit

Shkruar nga Pamfleti

‘Mos shtini, jemi gra…’, terrori i

Në këtë banesë të braktisur, 28 vite më parë gratë e familjes Toska përjetuan një tmerr të paimagjinueshëm.

Pas varrimit të vëllait, Gazmendit, i etur për hakmarrje, rreth orës 14:00 të 15 prillit, “Mandela”, së bashku me vëllain e tij Astrit Peqini dhe “Murrashin”, shkuan në banesën e Arjan Toskës. Të tre hapën zjarr për disa minuta, duke terrorizuar gratë dhe fëmijët që ndodheshin brenda saj.

“Ne, në ’97, nuk e kishte problem askush të kryente një vepër penale për shkak të mungesës së autoritetit të shtetit. Por personat që ishin të dënuar në vitet ’90 dhe u liruan në ’97, karakterizoheshin nga një ashpërsi e jashtëzakonshme”, u shpreh Kreshnik Myftari, pedagog.

“Fundi i këtyre ka qenë për të gjithë fund i hidhur, nuk ka qenë se ka gëzuar njeri nga ai aktivitet i paligjshëm që kanë kryer në atë periudhë. Përfundimin e kanë pasur kryesisht në burgje, varreza”, u shpreh avokati Alban Qafa.

Pas breshërisë që derdhën drejt godinës, banda nuk u ndal. Ata u futën në banesë. Përpara u doli bashkëshortja e Arjanit, Lirie Toska, e cila iu lut me fjalët: “Mos shtini, jemi të gjithë gra dhe fëmijë.”

Eduart dhe Astrit Peqini hapën zjarr, duke e plagosur atë në bark dhe këmbë. Nga ana tjetër, “Murrashi” qëlloi në drejtim të kunatës së Arjanit, Nexhmie Toskës, duke e plagosur në të dyja këmbët.

Pas këtij momenti, nëna e Arjanit, Shega Toska, mori fëmijët e vegjël dhe ngjiti në katin e tretë të pallatit duke kërkuar ndihmë. Në këtë moment, “Mandela”, “Pelo” dhe “Murrashi” i vunë flakën banesës, duke shkrumbuar çdo gjë brenda saj.

Kjo është banesa e Arjan Toskës, e braktisur prej 28 vitesh, ku edhe sot shihet një atmosferë e ngarkuar me trishtim nga pasojat e një kohe të kaluar. Pas këtij momenti, Eduart Peqini, përveç 4 vëllezërve të tij, mblodhi pas vetes edhe shumë njerëz të afërt me të.

Ky grupim u quajt “Banda e Mandelës”, kurse pjesëtarët e grupit quheshin “Mandelat”. Nga ana tjetër, Arjan Toska, pasi u vendos në Cërrik, u grupua dhe u organizua me persona të tjerë, duke formuar të ashtuquajturën “Banda e Cërrikut”.

Dy javë pas vrasjes së Gazmend Peqinit, më 29 prill 1997, Eduart Peqini urdhëron “Murrashin” dhe vëllain tjetër Vladimirin të niseshin drejt Cërrikut dhe të kryenin një atentat ndaj djalit të xhaxhait Enver Peqini.

Mandela e konsideronte shkaktarin e tragjedisë dhe luftës mes bandave.

Ata i bënë pritë në Cërrik dhe qëlluan mbi të. U larguan duke besuar se e kishin vrarë, por ai mbijetoi dhe u dërgua në spitalin kirurgjik të Elbasanit për ndihmë mjekësore. “Mandela”, pasi mori vesh se shënjestra e tij ishte ende gjallë, organizoi një sulm të dytë: “Murrashi”, hyri në reanimacion dhe e ekzekutoi me automatik, Enver Peqinin

‘Kanë pasur konflikt me kushërinj të parë të tyre. Pas ngjarjes, ku u sulmuan gardistët kanë qenë të vetmit që kanë hyrë në Cërrik dhe kanë bërë luftë me bandën e Cërrikut, pikërisht në hyrje të Cërrikut, ku janë ato dy pallatet e parë’, u shpreh avokati, Alban Qafa.

“Po konfliktet mes grupeve kriminale shpeshherë janë banale, nuk është se ka ndonjë arsye madhore sepse nëse janë arsye madhore , ato kanë kapacitetin ti zgjidhin. Arsyet banale pastaj, kush është më i forti, kush është më fodulli ose motive të tjera të ngjashme, padiskutim i marrim si provokim” u shpreh Kreshnik Myftari, Pedagog i Drejtësisë.

Hakmarrja nuk u ndal këtu. I pakënaqur vetëm me vrasjen, Eduart Peqini urdhëroi që trupi i pajetë i kundërshtarit të tij të rrëmbehej nga morgu. Njerëz të “Mandelës”, zbatuan urdhrin e tij. Pasi tërhoqën trupin nga morgu dhe e transportuan drejt lagjes “Tabakane”. Furgoni me viktimën pritej nga vëllezërit Eduart, Astrit, Vladimir e Agron Peqini. Ata morën trupin e pajetë të Enverit, dhe çuan në vendin ku ishte vrarë vëllai i tyre Gazmendi.

Në një akt makabër, e spërkatën me benzinë dhe e dogjën tërësisht. Në këtë vend, qëndroi për disa ditë kufoma e djegur e Enverit, duke dhënë një mesazh të qartë për armiqtë e “bandës së Mandelës” se të gjithë do kishin fundin e djalit të xhaxhait të tyre. Ata, nuk kursenin askënd…! /Inside Story

Lini një Përgjigje