Kronike15 Qershor 2023, 16:20

Në kërkim për vrasjen e Nezir e Gentjan Beqirit, ekstradohet nga Greqia Jorgo Leku

Shkruar nga Pamfleti

Në kërkim për vrasjen e Nezir e Gentjan Beqirit, ekstradohet nga

44-vjeçari Jorgo Leku i shpallur në kërkim për vrasjen e babë e bir Nezir e Gentjan Beqirit në Elbasan është ekstraduar nga Greqia në Shqipëri. Uniformat blu bëjnë me dije se bëhet fjalë për shqiptarin Jorgo Leku alias Olsi Leka alias Giorgio Lekou me 3 emra.

Jorgo Leku njihet si 44 vjeçari i rrezikshëm shqiptar i arrestuar në Greqi pasi akuzohet se ka vrarë një nga ekzekutorët e Sokol Çapjas, Gentian Beqirin së bashku me babain e tij.

Mësohet se Jorgo Leku është pjesë e një klani shumë të fortë kriminal në Elbasan, më konkretisht e grupit të Çapjave. Ai është njeriu që dyshohet se ka nisur 173 kg kokainë nga Pireu në Durrës që më pas doli se ishte oriz. Leku i cili ka lindur në Elbasan, por me banim në Gjirokastër njihet edhe me emra të tjerë si Olsi Leka, Giorgo Lekou, Jorgo Lekou. Emri i tij u zbardh nga Ervis Bardhi i cili ishte i penduari i drejtësisë për vrasjen e babë e bir. 

Policia njofton gjithashtu se një tjetër ekstradim është bërë nga Franca. Bëhet fjalë për Redi Dizdari, 43 vjeç i cili është dënuar me 5 vite burgim për shpërndarje të lëndëve narkotike pranë shkollave.

“Interpol Tirana/Ekstradohen nga Greqia dhe nga Franca drejt Shqipërisë, 2 shtetas shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar.-Shtetasi i ekstraduar nga Greqia, i akuzuar për ekzekutimin e 2 shtetasve (babë e bir), në Elbasan, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. -Shtetasi i ekstraduar nga Franca, i dënuar me 5 vjet burgim, për shpërndarje të lëndës narkotike kanabis në doza, në afërsi të shkollave.

Në kuadër të bashkëpunimit të Interpol Tiranës me homologët, për lokalizimin, kapjen dhe arrestimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, me qëllim ekstradimin e tyre në vendin ku ata duhet të kryejnë dënimin, janë kapur në Greqi dhe në Francë dhe janë ekstraduar në Shqipëri, 2 shtetas shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar për vepra të ndryshme penale. Si rezultat i bashkëpunimit me Interpol Athinën, është kapur në Greqi dhe është ekstraduar drejt vendit tonë, shtetasi J. L. alias O. L. Alias G. L., 44 vjeç, banues në Gjirokastër.

Ky shtetas është arrestuar nga autoritetet policore në Greqi, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, në zbatim të urdhër arrestit ndërkombëtar të lëshuar nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana, pasi GJKKO ka miratuar vendimin penal të datës 12.06.2020, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, e cila ka caktuar për këtë shtetas, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave” kryer në bashkëpunim, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Pjesëmarrja në grup të strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e krimeve në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”.

Në vitin 2012, në Elbasan, 44-vjeçari, në bashkëpunim me shtetasin E. B. (në rolin e ekzekutorëve) dhe me disa shtetas të tjerë, kanë vrarë me armë zjarri shtetasit A. B. dhe N. B. (babë e bir). Si rezultat i bashkëpunimit me Interpol Paris, është kapur në Francë dhe është ekstraduar drejt vendit tonë, shtetasi Redi Dizdari, 43 vjeç, i dënuar më parë.

Ky shtetas është arrestuar nga autoritetet policore në Francë, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, në zbatim të urdhër arrestit ndërkombëtar të lëshuar nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë e ka dënuar me 5 vjet burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, nga të cilat i kanë mbetur për të vuajtur 4 vjet e 29 ditë burgim.

Në vitin 2014, në një lokal në rrugën “Kongresi i Manastirit”, Tiranë, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë kanë gjetur dhe sekuestruar 106 doza të lëndës narkotike cannabis sativa. Nga hetimet rezultoi se dozat i posedonte shtetasi Redi Dizdari, me qëllim shitjen te nxënësit e shkollave. Të dy shtetasit e ekstraduar iu dorëzuan Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.”, njofton policia.

gentjan beqiri nezir beqiri ekstradim greqi jorgo leku