
Një 24-vjeçar ka rënë në prangat e policisë në Fier, pasi u zbulua një parcelë me 223 fidanë kanabis në zonën e quajtur “Kodra e Dafinave”, në fshatin Gjorgoz.
Zbulimi u bë gjatë një kontrolli të territorit nga toka dhe ajri, në kuadër të operacionit kombëtar “Koordinata”.
"Në vijim të operacionit kombëtar të koduar “Koordinata”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, gjatë kontrollit të territorit, nga toka dhe nga ajri, duke përdorur dronë, në vendin e quajtur “Kodra e dafinave”, në fshatin Gjorgoz, kanë konstatuar një parcelë në të cilën ishin kultivuar 223 fidanë narkotikë kanabis.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier kanë organizuar punën dhe kanë vënë në pranga autorin e dyshuar të rastit, shtetasin R. M., 24 vjeç, banues në Cakran.
Fidanët u asgjësuan nëpërmjet djegies. Gjithashtu, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier gjetën dhe asgjësuan 90 fidanë narkotikë cannabis sativa, në territorin e njësisë administrative Portëz.
Vijon puna për identifikimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të autorit/ve të këtij rasti kultivimi", njofton policia.
Lini një Përgjigje