TAGS-AT E JAVËS

Sport28 Korrik 2026, 15:40

Dëshmi e fortë në gjyqin për vdekjen e Maradonës: Dëgjova debat mes Diegos dhe mjekut të tij pak ditë para tragjedisë

Shkruar nga Pamfleti
Dëshmi e fortë në gjyqin për vdekjen e Maradonës:
Diego Armando Maradona

Detaje të reja dhe shqetësuese kanë dalë në dritë gjatë gjyqit për vdekjen e Diego Armando Maradonës. Një nga dëshmitarët ka rrëfyer se vetëm pak ditë para ndarjes nga jeta të legjendës argjentinase, në shtëpinë e tij dëgjoheshin britma dhe debate.

Luçiano Spena, dietologu i kombëtares së Argjentinës, dëshmoi para gjykatës për një vizitë të zhvilluar më 18 nëntor 2020, shtatë ditë përpara vdekjes së Maradonës. Ai shpjegoi se kishte shkuar në banesën ku po qëndronte ish-kampioni i botës së bashku me mjekun Pedro Di Spagna, me synimin për të kontrolluar gjendjen shëndetësore të 60-vjeçarit.

Megjithatë, kontrolli nuk u krye kurrë.

Sipas Spenës, menjëherë pas mbërritjes së neurokirurgut Leopoldo Luke, mjekut personal të Maradonës dhe njërit prej të pandehurve në proces, ai dhe kolegu i tij dëgjuan zëra të lartë nga dhoma ku ndodhej ish-futbollisti.

Dëgjuam debate ose britma”, deklaroi Spena gjatë dëshmisë së tij.

Ai shtoi se pak çaste më vonë Luke u tha se “nuk ishte një ditë e mirë” për të kryer vizitën mjekësore, ndaj ekzaminimi u anulua.

Maradona ndërroi jetë më 25 nëntor 2020, në moshën 60-vjeçare. Sipas ekspertizës mjeko-ligjore, shkaku i vdekjes ishte një edemë akute pulmonare, e lidhur me probleme të rënda kardiake.

Në këtë proces gjyqësor janë nën akuzë tetë pjesëtarë të stafit mjekësor që kujdesej për të, mes tyre neurokirurgu Leopoldo Luke dhe psikiatrja Agustina Kosashov. Ata përballen me akuzën e "vrasjes së thjeshtë me dashje të mundshme", ndërsa prokuroria pretendon se neglizhenca dhe mungesa e kujdesit të duhur mund të kenë kontribuar në vdekjen e ikonës së futbollit.

Të gjithë të akuzuarit kanë mohuar çdo përgjegjësi, ndërsa gjyqi vijon të zbulojë episode të reja nga ditët e fundit të jetës së një prej futbollistëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave.

diego armando maradona legjenda argjentinase e futbollit

Lini një Përgjigje