
Një ditë më parë me urdhër të SPAK u arrestua Safet Bajri. Skema e përdorur për arrestimin e tij ishte më shumë një kurth se sa një operacion i mirëfilltë, sikundër ndodh zakonisht.
Ai u ftua për t’i marrë një kampion gjaku lidhur me përcaktimin e ADN-së, e ndërsa u paraqit në Drejtorinë e Policisë së Shkodrës, forcat RENEA e prangosën dhe e transportuan në Tiranë. Pas dy apo tre orë qëndrimi në mjediset e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ai u transportua në qelitë e bllokut të sigurisë, në vijim të masës së arrestit me burg të caktuar nga GJKKO.
Disa orë pas arrestimit, SPAK në një njoftim zyrtar bëri të ditur se ka prova për përfshirjen e Safet Bajrit, Behar Bajrit dhe mikut të tyre, Asmer Bilali në ekzekutimin e Fatbardh Licit në Shkodër. Kjo ngjarje ka ndodhur 7 vjet më parë. Fatbardh Lici, i vrarë në 10 gusht 2018 është vëllai i Mustafa Licit, familja e të cilëve është përfshirë në një zinxhir vrasjesh me fisin Bajri.
Por duket se zanafilla e përplasjeve ka nisur jo me vrasjen e Fatbardh Licit, por me vendosjen e një sasie tritoli ndaj Lulzim Kullës, biznesmen dhe dhëndër në familjen Lici. Sulmi për eliminimin e Lulzim Kullës më shumë i ngjante një akti terrorist, pasi një sasi tritoli ishte vendosur në një motor, që shpërtheu në mes të ditës, duke shkaktuar 8 të plagosur, qytetarë të pafajshëm, që u ndodhën në vendin e gabuar në kohën e gabuar.
Më 15 korrik, një çift u ekzekutua brutalisht në makinë, ndërsa elementi që tronditi edhe më rëndë ishte djali 3 vjeç, që kishte mbijetuar pa asnjë gërvishtje. Trupat e çiftit u gjetën pas rreth 5 orësh nga vrasja, ndërsa fëmija kishte ikur nga sedilja e pasme dhe ishte ulur në prehrin e nënës së vdekur. Policia identifikoi viktimat, i riu ishte Boran Bërçana, ndërsa partnerja e tij ishte Silva Ndoci.
Më 10 gusht te vitit 2018, një person i maskuar do të hynte në një nga kafenetë më të njohura në Shkodër dhe do të ekzekutonte Fatbardh Licin. 53-vjeçari u vra me breshëri dhe trupi i pajetë mbeti në tavolinën ku pinte kafen thuajse çdo ditë. Ekzekutimi i Fatbardh Licit, doemos do të lidhej me vrasjen e çiftit, ku vrasja e tij iu faturua grupit të Bajrajve, ndonëse jo zyrtarisht.
Vetëm 13 ditë pas vrasjes se Licit, më 23 gusht u zhduken Agron Mollaj dhe Gëzim Hysa, nip e dajë. Sërish në skenë dalin Bajrajt, por sërish veç të dyshuar. Trupat e dy burrave nuk u gjetën asnjëherë.
Më 1 shtator, do të nxirrej në pritë Arjan Ferracaku, ku u tha se bisedën e fundit në telefon e kishte kryer me Astrit Bilalin, të atin e Asmer Bilalit. Arjani u vra teksa kalëronte, ndërkohë që vetëm një muaj e gjysmë më vonë i vrane edhe kushëririn që shiste peshk në tregun e Shkodrës.
Ngjarjet duket se pushojnë deri në 30 mars të vitit 2019 kur vriten në derën e shtëpisë Astrit dhe Brahim Bilali, i ati dhe xhaxhai të Asmer Bilalit. Asokohe i dyshuar ishte Ibrahim Lici.
Kur SPAK goditi njerëzit e policisë dhe të drejtësisë ne kuadër te dosjes metamorfoza, Behar Bajri u arratis për t’u kapur dhe ekstraduar, ndërkohë që Safet Bajri jetonte i qetë në bastionin e tij në Dobraç deri më 30 tetor, kur masakra me 4 të vrarë trazoi mbarë vendin.
Lini një Përgjigje