Kronike19 Qershor 2024, 19:58

Rrahën me shkopa bejsbolli 18-vjeçarin pas sherrit në rrjetet sociale, shpallen në kërkim 5 persona në Korçë!

Shkruar nga Pamfleti

Rrahën me shkopa bejsbolli 18-vjeçarin pas sherrit në rrjetet

Pesë persona janë shpallur në kërkim nga ana e policisë, pasi dhunuan një 18 vjeçar me shkop bejsbolli në qytetin e Korçës.

Mësohet se sherri ka nisur fillimisht në rrjetet sociale e më pas ka agravuar në përdorimin e mjeteve të forta si shkopat e bejsbollit. Nga sa njofton policia, para se ta rrihnin, të rinjtë e kanë përplasur me automjetin e tyre tip “Range Rover”.

Ngjarja ka ndodhur në lagjen 17 të qytetit të Korçës ndërkohë që 18 vjeçari ndodhet në spitalin e Korçës për t'u mjekuar për shkak të plagëve të marra, por jashtë rrezikut për jetën.

"Goditën me automjet dhe me sende të forta një 18-vjeçar duke i shkaktuar dëmtime fizike, Policia vijon intensivisht punën për kapjen e 5 shtetasve, autorë të dyshuar të ngjarjes së ndodhur sot, në lagjen nr. 17. Më datë 19.06.2024, rreth orës 14:30, në lagjen nr. 17, Korçë, shtetasit S. S., 33 vjeç, S. S., 25 vjeç, Dh. D., 38 vjeç, A. D., 27 vjeç dhe M. B., 39 vjeç, banues në Korçë, të cilët lëviznin me automjetin tip "Range Rover", dyshohet se kanë përplasur automjetin me drejtues shtetasin M. J., 18 vjeç dhe më pas janë konfliktuar fizikisht me të.

Gjatë konfliktit, pesë shtetasit e lartpërmendur dyshohet se e kanë goditur me sende të forta 18-vjeçarin, duke i shkaktuar dëmtime trupore. Po nga deklarimet e 18-vjeçarit dyshohet se një prej autorëve ka patur një send, në dukje si armë zjarri. Vijon puna për kapjen dhe vënien para përgjegjësisë penale të autorëve të dyshuar të ngjarjes. Grupi hetimor në drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin me prova ligjore të kësaj ngjarjeje", thuhet në njoftimin e policisë.