Kronike30 Mars 2023, 21:02

SPAK jep alarmin: Bosët e krimit po fshihen në Dubai, nuk i ekstradojmë dot

Shkruar nga Pamfleti

SPAK jep alarmin: Bosët e krimit po fshihen në Dubai, nuk i

Është kthyer në problematike edhe fakti që në Emiratet e Bashkuara Arabe, përkatësisht në qytetin e Dubait, qëndrojnë një numër i lartë të kërkuarish...

Prokuroria e Posaçme ka dhënë alarmin sa i takon sofistikimit të krimit të organizuar. Ndonëse të gjithë presin nga SPAK të godasë të korruptuarit, ky organ ka në vëmendje edhe bandat kriminale, të cilët duket se janë shtuar ndjeshëm.

“Pamfleti” prej disa ditësh po nxjerr pjesë nga raporti vjetor i punë së SPAK dhe një rëndësi aty i është dhënë luftës kundër krimit të organizuar. Sipas SPAK, grupet kriminale po operojnë shumë fuqishëm në vendet e huaja, madje duke shkuar deri te vendet ku prodhohet kokaina, pra në Amerikën Latine.

Tashmë grupet e strukturuara kriminale të drejtuara nga shtetas shqiptarë po konsiderohen nga agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare si grupe kriminale më një ndikim të rëndësishëm në tregjet ndërkombëtare të drogës, kryesisht në ato të kanabisit dhe kokainës. Këto grupe kriminale janë aktive jo vetëm në rajon por edhe në disa vende të BE-së, Britaninë e Madhe, Turqi, ShBA etj. Nga ana tjetër, grupet kriminale të drejtuar nga shtetas shqiptarë kanë arritur të kenë qasje të drejtë për drejtë në vendet e origjinës së prodhimit të kokainës duke krijuar lidhje të forta me organizatat kriminale në Amerikën Latine. Shihet një tendencë e lëvizjes së të ardhurave kriminale të tyre jashtë juridiksionit shqiptar në kompanitë offshore apo në parajsa fiskale duke e rritur ndjeshëm vështirësinë e gjurmimit dhe ndjekjes së tyre penale”, thuhet në raport.

Më tej SPAK ka treguar dhe metodat e sofistikuara që përdorin grupet kriminale për të transferuar paratë.

Vihet re edhe përdorimi prej tyre i sisteme informale transfertash parash si havala, hundi apo ‘fei chien’ ose dërgimin e pagesave në parajsat fiskale në vende si Qipro, San Marino apo dhe Dubai”, thekson SPAK.

Por për prokurorët specialë problemi më i madh është se kriminalet kanë ikur në Dubai. Ka shumë raste që koka e krimit janë arratisur në Abu D’habi dhe nuk ekstradohen dot sepse nuk ka marrëveshje ekstradimi me Dubain.

Është kthyer në problematike edhe fakti që në Emiratet e Bashkuara Arabe, përkatësisht në qytetin e Dubait, qëndrojnë një numër i lartë të kërkuarish me masa sigurimi “arrest në burg” për vepra penale në kuadër të krimit të organizuar, për të cilët nuk po jepet ekstradimi nga autoritetet e drejtësisë së Emirateve të Bashkuara Arabe”, thekson SPAK.

Sipas raportit, numri i procedimeve penale të regjistruara për veprat penale në kuadrin e krimit të organizuar për vitin 2022 është 79, duke pësuar një rritje të konsiderueshme me 139% krahasuar me vitin 2021, ku ky numër ka qenë 33 procedime penale. SPAK bën me dije se për të rritur efektivitetin e hetimit ka pasur gjithashtu një rritje të përdorimit të metodave speciale të hetimit. Kështu gjatë vitit 2022 janë interceptuar rreth 11% më shumë paisje fundore se në vitin 2021 dhe rreth 59% më shumë se në vitin 2020. /Pamfleti

spak krimi dubai