
Policia ka reaguar për të shtënat me armë në Kamëz. Pas mbërritjes në vendngjarje, mësohet se paraditen e sotme ka ndodhur një konflikt me sende të forta mes dy personave.
Në rrugën “OSBE” ku ka ndodhur konflikti, policia ka gjetur edhe një gëzhojë. Raportohet se dy drejtues automjetesh janë konfliktuar me njëri-tjetrin ndërsa njëri prej tyre ka hapur zjarr.
Sipas policisë, gjatë konfliktit të dy kanë goditur njëri-tjetrin me sende të forta. Njëri prej tyre ka përfunduar në spital dhe fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. 38-vjeçari Redi Vata është lënduar, ndërsa identiteti i personit tjetër ende nuk dihet.
Ndërkohë, policia është në kërkim të një makine te dytë tip ML ngjyrë të bardhë që dyshohet se është përfshirë në ngjarje.

“Në Kamëz, dyshohet se për motive të dobëta janë përfshirë në konflikt dy drejtues automjetesh.
Si pasojë është dëmtuar dyshohet me sende të forta shtetasi R. V., rreth 38 vjeç, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Gjatë këqyrjes së vendngjarjes, është gjetur e sekuestruar një gëzhojë.
Punohet për identifikimin, kapjen e drejtuesit të automjetit tjetër të përfshirë në konflikt.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, njoftoi policia.
Lini një Përgjigje