Imer Krrashi, i arrestuar një ditë më parë pas ndjekjes së rrezikshme nga forcat “Shqiponja” në Tiranë, ka refuzuar të dëshmojë para hetuesve, duke kërkuar që të flasë në një moment të dytë.
Ndaj tij vijojnë hetimet, ndërsa pistoleta e gjetur në automjetin që drejtonte do të jetë një nga pikat kyçe të hetimit. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se Krrashi pritet të merret sërish në pyetje në lidhje me armën dhe rrethanat e posedimit të saj.
Sipas burimeve të policisë, 31-vjeçari jetonte në një banesë me qira në zonën e Liqenit të Thatë, së bashku me bashkëshorten.
Ai u kap nga forcat e rendit menjëherë sapo doli nga banesa, pas një ndjekjeje të mirëkoordinuar, bazuar në informacionet e siguruara më herët për vendndodhjen e tij.
Makina me të cilën tentoi të arratisej, duke përplasur nëntë automjete dhe një motomjet në rrugët e kryeqytetit, ishte me targa gjermane dhe në emër të vetë Krrashit.
Kujtojmë se gjatë ndjekjes, u plagos një efektiv policie jashtë shërbimit dhe bashkëshortja e tij, të cilët ndodheshin në motomjetin që u godit nga mjeti i Krrashit. Fatmirësisht, të dy janë jashtë rrezikut për jetën.
Kujtojmë se Imer Krrashi, i cili përdorte edhe emrat Imer Masha dhe Imer Uka, është emër i njohur për drejtësinë. Ai ishte pjesë e grupit të Marklen Hakës dhe është akuzuar më parë për vjedhje me dhunë, kanosje, mosbindje dhe plagosje e lehtë.
Lini një Përgjigje