Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë ushtruar kontrolle në banesën e efektivit, në zonën pranë “Sami Frashërit” në kryeqytet, ku janë sekuestruar shuma parash dhe prova të tjera materiale të rëndësishme për hetimin...
Tirana është kthyer në një oaz të call center-ave mashtrues, të cilët përmes skemave të sofistikuara kanë arritur të zhvasin miliona euro nga qytetarë të vendeve të Bashkimit Europian. Një operacion i fundit ndërkombëtar ka nxjerrë në pah përmasat e këtij fenomeni dhe dyshimet për përfshirje të zyrtarëve të rendit.
Në kuadër të një aksioni të inicuar nga autoritetet franceze, në bashkëpunim me SPAK, është ndaluar një agjent i Policisë së Shtetit. Burime mediatike bëjnë të ditur se bëhet fjalë për Argusto Berberi, me detyrë në Komisariatin nr. 1 në Tiranë.
Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë ushtruar kontrolle edhe në banesën e tij, në zonën pranë “Sami Frashërit” në kryeqytet, ku janë sekuestruar shuma parash dhe prova të tjera materiale të rëndësishme për hetimin.
Sipas burimeve, ekzistojnë dyshime se në këtë rrjet mund të jenë të përfshirë edhe efektivë të tjerë të Policisë së Shtetit, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht skemën dhe përgjegjësit.
Ky nuk është një rast i izoluar. Vetëm pak ditë më parë, në kuadër të operacionit “Ghost Call”, në bashkëpunim me autoritetet austriake, u zbulua një tjetër skemë mashtruese që dyshohet se u ka zhvatur mbi 50 milionë euro qytetarëve të huaj.
Ndërkohë, operacione të ngjashme janë zhvilluar edhe më herët në bashkëpunim me autoritetet gjermane, italiane dhe spanjolle, duke forcuar perceptimin se Shqipëria, dhe veçanërisht Tirana, po shndërrohet në një qendër të rëndësishme të këtyre aktiviteteve kriminale.
Lini një Përgjigje