Detaje të reja janë publikuar nga mediat italiane lidhur me vrasjen e 25-vjeçarit shqiptar Kevin Muharremi, bga bashkëatdhetari i tij Renato Xyke.
Sipas hetimeve paraprake të autoriteteve italiane, konflikti mes dy të rinjve dyshohet se ka nisur për shkak të një dëmtimi të lehtë në një automjet. Burime nga hetimi bëjnë me dije se debati fillestar ka ndodhur disa orë përpara ngjarjes fatale dhe më pas është përshkallëzuar, duke kulmuar me përdorimin e armës së zjarrit.
Hetuesit po verifikojnë nëse takimi i mëvonshëm mes palëve ka qenë i rastësishëm apo i organizuar me qëllim sqarimin e konfliktit.
Sipas rindërtimit paraprak të ngjarjes, Kevin Muharremi ndodhej në sediljen e pasagjerit të një automjeti kur është qëlluar me tre plumba. I dyshuari Renato Xyke, po ashtu me origjinë shqiptare, dyshohet se ka qëlluar disa herë drejt automjetit nga një Range Rover Evoque gri i errët.
Pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë të shërbimeve të emergjencës, 25-vjeçari nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra.
Pas të shtënave, i dyshuari Xyke raportohet se është larguar nga vendi i ngjarjes. Sipas mediave italiane, arma e përdorur në krim dyshohet se është braktisur në zonën e Montecalvoli-t. Më pas, 20-vjeçari thuhet se është nisur drejt Romës së bashku me familjarët e tij.
Autoritetet po hetojnë rrethanat e largimit dhe nëse ka pasur persona të tjerë që kanë ndihmuar në fshehjen e provave apo në organizimin e lëvizjes pas ngjarjes.
Prokuroria dhe policia italiane po analizojnë dëshmitë e personave të pranishëm, pamjet e kamerave të sigurisë në zonë, si dhe të dhënat nga telefonat celularë të personave të përfshirë, me qëllim zbardhjen e plotë të motivit dhe dinamikës së krimit.
Një nga pikat kyçe të hetimit mbetet përcaktimi nëse takimi në Montecalvoli ishte i planifikuar për të zgjidhur konfliktin apo nëse përplasja ka ndodhur në mënyrë spontane.
Lini një Përgjigje