
I penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani ka dëshmuar sot në Gjykatën e Posaçme, në seancën ndaj Xhuljano Hoxhës dhe Euglen Halilit.
Në sallën e gjyqit ai u shoqërua nga masa të rrepta sigurie.
Dumani tha se Emiljano Ramazanin e vrau Skerdi Tase dhe porositës ishte Erion Alibej.
Ai ka përfshirë edhe veten duke pranuar se ka qenë organizatori, ndërsa pavarësisht se është shfaqur si dëshmitar, GJKKO i ka caktuar edhe atij avokat.
Për vrasjen e Emiljano Ramazanit dhe Regis Runajt, akuzohet si porositës Erjon Alibej.
Si u ekzekutua Emiljano Ramazani në mes të ditës në Elbasan?
Vrasja e Emiljano Ramazanit ka ndodhur më 20 korrik 2020, vetëm pak sekonda pasi ishte ndalur me makinën e tij në sheshpushimin e pallatit ku banonte në vendin e njohur si ‘Rrethrrotullimi i Luleve’ në Elbasan.
Vetëm pak sekonda, pasi Emiljano Ramazani ndalon makinën e tij në sheshpushimin e pallatit, autori i afrohet dhe sigurohet që objektivi është ende në makinë, qëllon drejt tij pa mëshirë në distancë të afërt nga xhami i parmë i pasagjerit.
Duke e lënë të vdekur në vend Emiljano Ramazanin, që nuk pati asnjë mundësi t’i shpëtonte plagëve të shumta të marra.
I gjithë aksioni për eliminimin e tij zgjat vetëm 22 sekonda.
Vrasja e Emiljano Ramazanit, i njohur me nofkën 'Rramani', dyshohet se ka ndodhur për larje hesapesh për drogën, pasi ai njihej si shpërndarës kokainë në qytet, ndërsa pak ditë pas vrasjes së tij u gjet i vrarë edhe miku i tij i ngushtë Regis Runaj, 23 vjeç, i vrarë me thikë, dhe më pas trupi i tij është hedhur buzë rrugës afër varrezave të qytetit, një rrugë qorre ku nuk kalojnë njerëz. Kjo i ka ndihmuar autorët që të mos lënë gjurmë pasi kanë vrarë Runajn.
Lini një Përgjigje