TAGS-AT E JAVËS

Kronike28 Prill 2026, 13:14

Vrasja e Kreshnik e Gentjana Mujecit, autorët vëzhguan çiftin teksa pinin kafe; detajet e reja

Shkruar nga Pamfleti
Vrasja e Kreshnik e Gentjana Mujecit, autorët vëzhguan çiftin
Kreshnik Mujeci dhe Genc Mhilli

Të tjera detaje janë zbardhur nga vrasja e dyfishtë e ndodhur në Balldre të Lezhës, ku pasditen e së dielës humbën jetën në një atentat Kreshnik dhe Gentjana Mujeci (burrë e grua). Ato u qëlluan me breshëri automatike nga një automjet, ndërsa policia ka shpallur në kërkim Renato, Florin dhe Adriano Mhillajn. Autorët e dyshuar të krimit përdorën dy automjete, një Audi A4 dhe Golf5.

Një nga mjetet kishte për detyrë t’I priste rrugën automjetit ku ndodheshin viktimat, ndërsa nga makina tjetër u qëllua me të paktën 30 plumba ndaj Kreshnik dhe Gentjana Mujecit. Sipas policisë, e cila ende nuk ka arrestuar të dyshuarit, por nuk ka sekuestruar as armët e krimit apo makinat e përdorura nga autorët, vrasja ka ndodhur për arsye hakmarrje/gjakmarrje.

Referuar të dhënave të fundit, autorët e dyshuar i kanë survejuar për disa orë viktimat. Këta të fundit ishin në një lokal, kur autorët i prisnin që të dilnin dhe t’I ekzekutonin disa kilometra më pas.

Nga raportimet mësohet se plani i autorëve të dyshuar mund të kishte dështuar, pasi ata kanë shfaqur shenja paniku në momentin që pranë lokalit ku qëndronin 3 të rinjtë, në pritje të çiftit që do të ekzekutonin, kaloi një automjet policie.

Gjithsesi, duket se personat e dyshuar në krim, kanë arritur që të realizojnë planin e tyre, duke u hakmarrë kështu për një krim të kryer 10 vite më parë nga Kreshnik Mujeci. Ky i fundit është dyshuar për vrasjen e Genc Mhillit. Në atë kohë një nga të arrestuarit ishte Kreshnik Mujeci, por ky i fundit u lirua me vendim gjykate, duke fituar pafajësinë. Por duket se djali i viktimës nuk ka besuar Gjykatën dhe 10 vjet pas vrasjes së babait, u hakmorr.

kreshnik mujeci genc mhilli vrasja

Lini një Përgjigje