Gjykata e Vlorës ka lënë në burg këtë të premte Rei Metën, 33-vjeçari që ditën e hënë goditi me grusht inxhinierin Armando Meshau.
Seanca gjyqësore u mbajt me dyer të mbyllura, teksa qjyqtare e çështjes ishte Emiljana Dhima, ndërsa prokuror, Arjan Xhaferi.
Rei Meta akuzohet për “vrasje nga pakujdesia neni 85 i kodit penal.
Autori i ngjarjes në Vlorë, ku mbeti i vdekur 55-vjeçari Armando Meshau, është djali i anëtares së Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Nurihan Meta.
Si ndodhi ngjarja?
Ngjarja e rëndë ndodhi pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Vlorë, më 7 gusht rreth orës 11:45, në lagjen “Hajro Çakërri”.
Nga momenti është publikuar edhe një video, ku duket që debati mes tyre ka degjeneruar me grushte në një kancelari në Vlorë, ku shkak ka qenë një apartament.
Viktima ndodhej në kancelarinë nga ku u nxor i pajetë, për të printuar disa dokumente, por është konfliktuar me autorin 33-vjeçar, Rei Meta. Nga hetimet zbulohet se 33-vjeçari kishte ndërhyrë si sekser për një prej pronave që biznesmeni i ndërtimit kishte interes, duke i premtuar garanci se do t’i zgjidhte punë.
Pas debateve, 55-vjeçari çohet dhe e godet me grusht, ndërsa Rei Meta e godet më shumë se 7 herë me grushte duke e lënë të vdekur.
I riu kishte premtuar zgjidhje për pronën e Armando Meshaut, duke përdorur emrin e të ëmës, që është anëtarja e KLP-së, Nurihan Seiti Meta. Në këmbim do të përfitonte një apartament që do t’i falej nga ndërtuesi i njohur në qytetin bregdetar. Por, Meta kishte dështuar në rolin e tij si sekser dhe 55-vjeçari kishte zgjidhur çështjen që e shqetësonte duke shfrytëzuar lidhjet me palë të treta.
Nga ana tjetër, 33-vjeçari pretendonte se ndërtuesi duhet t’i falte apartamentin. Kaq ka mjaftuar që mes tyre të niste një konflikt, e që përfundoi me një viktimë.
I ndjeri kishte refuzuar t’ia kalonte në pronësi apartamentin Rei Metës dhe kur janë përballur në dyert e kancelarisë, debati mes tyre ka degjeneruar në fyerje dhe përdorimin e grushteve. Rei Meta, aktualisht është punonjës i Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave.
Lini një Përgjigje