TAGS-AT E JAVËS

Kronike10 Korrik 2025, 13:45

Vrau efektivin e “Shqiponjave”, Prokuroria e Fierit kërkon burgim të përjetshëm për Asllan Mërnicën

Shkruar nga Pamfleti

Vrau efektivin e “Shqiponjave”, Prokuroria e Fierit kërkon

Prokuroria e Fierit kërkon dënimin me burgim të përjetshëm për Azgan Mërnicën, i cili vrau efektivin e Forcave Speciale “Shqiponja”, Novruz Cenalia, pas një konflikti në rrugë.

Prokuroria e Fierit ka kërkuar dënimin me burgim të përjetshëm për 23-vjeçarin Asllan Mërnica, autor i vrasjes së efektivit të Shqiponjave  Novruz Cenalia.

Ai akuzohet për veprat penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 13 Maj 2024, rreth orës 13:30, në fshatin Baltëz të Fierit. Konflikti mes tyre ndodhi pasi, teksa drejtonte automjetin e tij, Mërnica është futur në kthesë me shpejtësi, pa kontrolluar rrugën, duke përbërë rrezik për përdoruesit e rrugës.

Efektivi Cenalia i ka tërhequr vëmendjen 23-vjeçarit për këtë veprim, shkak për të cilin i pandehuri ka ndaluar automjetin e tij, ka zbritur dhe teksa shkonte drejt viktimës, i cili nuk kishte dalë nga mjeti i tij, ka nxjerrë armën e zjarrit e ka mbushur dhe e ka qëlluar me pistoletë në fytyrë duke i shkaktuar vdekje të menjëhershme.

Pasi qëlloi për vdekje 28-vjeçarin, i riu u largua menjëherë nga vendi i ngjarjes. Pas atij momenti një operacion i gjerë u shtri në të gjithë fshatrat panë Baltëzës, në hyrje/daljet e Fierit dhe ato të qyteteve të tjera.

Policia punoi me orë të tëra për gjetjen e tij, ndërkohë që pas një bisede me familjarët, këta të fundit e bindët për t’u vetëdorëzuar.

Arratisja e Azgan Mërnicës mori fund mbrëmjen e 15 majit. Duke buzëqeshur dhe me uratat e porositë e familjarëve, vrasësi i efektivit u vetëdorëzua në Komisariatin e Policisë së Fierit aty ku dhe dha dëshminë.

“Po unë e vrava”, tha fillimisht ai, duke mos shprehur në asnjë moment pendesë. Në dëshminë e tij i riu deklaroi se teksa po lëvizte me automjet ku pasagjere kishte nënën e tij, u ndesh në rrugën e fshatit me automjetin i cili po drejtohej nga polici Nevruz Cenalia.

Sipas 24-vjeçarit në një moment kuptoi dhe pa që polici ia bëri dorë dhe mendoi që e kishte sharë dhe ofenduar. I riu ka treguar se në atë moment doli jashtë makinës për t’u sqaruar dhe pa që polici kishte afruar dorën te arma e shërbimit. Për këtë arsye, Mërnica tha se e qëlloi pasi mendoi se efektivi do ta vriste.

Njoftimi i Prokurorisë:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier kërkon dënimin me burgim të përjetshëm të shtetasit A.M. për veprat penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” parashikuar nga nenet 79/b, 278 prg. I dhe 291 të Kodit Penal, kryer ndaj viktimës N.C.

Nga hetimi dhe gjykimi mbi procedimin penal nr. 689, të vitit 2024, u provua tej çdo dyshimi të arsyeshëm se, në datë 13.05.2024, rreth orës 13:30, në fshatin Baltëz, Njësia Administrative Dërmenas, Bashkia Fier, i pandehuri A.M. ka vrarë me armë zjarri punonjësin e Policisë së Shtetit N.C, i cili mbante veshur uniformën e Forcave Speciale “Shqiponja” që e bënte lehtësisht të shqueshme cilësinë e tij. Konflikti mes viktimës dhe të pandehurit ka lindur për shkak se ky i fundit, ndërsa drejtonte automjetin e tij, është futur në kthesë me shpejtësi, pa kontrolluar rrugën, duke përbërë rrezik për përdoruesit e rrugës.

Viktima i ka tërhequr vëmendjen të pandehurit për këtë veprim, shkak për të cilin i pandehuri ka ndaluar automjetin e tij, ka zbritur prej tij me çantën ku kishte armën e zjarrit dhe ndërsa shkonte drejt viktimës, i cili nuk kishte dalë nga mjeti i tij, ka nxjerrë armën e zjarrit dhe e ka mbushur atë dhe më tej situata ka përshkallëzuar ku i pandehuri A.M duke përdorur armën e zjarrit të llojit pistoletë ka shtënë drejt fytyrës së viktimës N.C duke i shkaktuar atij vdekjen e menjëhershme.

Në përfundim të gjykimit të këtij procedimi penal, sot në datë 10.07.2025, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, në diskutimet përfundimtare kërkoi:

Deklarimin fajtor të të pandehurit M. për kryerjen e veprës penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, parashikuar nga neni 79/b i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite, dënimin e tij me burgim të përjetshëm.

Deklarimin fajtor të të pandehurit M. për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” parashikuar nga neni 278 prg. I i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite, dënimin e tij me 7 (shtatë) vjet burgim.

Deklarimin fajtor të të pandehurit M. për kryerjen e veprës penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” parashikuar nga neni 291 i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite, dënimin e tij me 6 (gjashtë) muaj burgim.

Në zbatim të nenit 55 të Kodit Penal, në bashkim të dënimeve, dënimin e të pandehurit M. me burgim të përjetshëm.

Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë për hetimin e shpejtë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kryejnë krime kundër jetës dhe autoritetit të shtetit.

Lini një Përgjigje