Për gjetjen e 34-vjeçarit Eglant Koçi është ngritur një grup i posaçëm hetimor, por autoritetet pranojnë se deri tani nuk ka asnjë gjurmë të tij.
Drejtori i komanduar i Policisë së Tiranës, Oliger Torba, ka dhënë detaje mbi hetimet që po zhvillohen për zhdukjen e 34-vjeçarit Eglant Koçi, gjatë një konference për mediat ku u prezantua bilanci i punës së policisë për muajin maj dhe dy javët e para të qershorit.
I pyetur nga gazetarët lidhur me këtë rast, Torba bëri me dije se kërkimet janë përqendruar kryesisht në rrethinat e Tiranës, ndërsa në ndihmë kanë ardhur edhe Forcat e Sigurisë së Kosovës.
“Është një ngjarje shumë sensitive, nga ana e jonë është ngritur një grup i posaçëm hetimor, indicie në lidhje me këtë ngjarje është marrë nga familja e të humburit. Fillimisht komisariati numër 2 ka kryer të gjitha procedurat, më pas duke bërë një analizë të thelluar të ngjarjes, është gjykuar dhe hetimi po ndiqet nga struktura e krimeve të rënda e Drejtorisë së Policisë Tiranës. Nga ana jonë dhe aktualisht që po flasim, është ngritur një strukturë e posaçme që po kërkon në lidhje me trupin e shtetasit Eglant Koçi. Kërkimet janë shtrirë kryesisht në rrethinat e Tiranës, kufirit ndarës mes Elbasanit dhe Tiranës. Aktualisht krahas shërbimeve të Policisë së Shtetit, një ndihmë na ka ardhur edhe një njësi e posaçme nga FSK, po vijon kërkimi, deri tani nuk kemi pasur ndonjë rezultat konkret. Janë kontrolluar shumë zona ku kishim dyshimet tona pas analizave. Kërkimi vijon.”, deklaroi Torba.
Sipas tij, në operacionet e kërkimit janë angazhuar struktura të specializuara të Policisë së Shtetit, ndërsa mbështetje është ofruar edhe nga Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK).
Pavarësisht angazhimit të forcave në terren, autoritetet bëjnë me dije se deri në këtë fazë të hetimeve nuk ka ende një rezultat konkret lidhur me gjetjen e 34-vjeçarit.
Si dyshohet se ka ndodhur ngjarja
Nga kamerat e sigurisë pranë një rruge në afërsi të nënstacionit elektrik në Tiranë, shumë pranë Bulevardit të Ri, duket se përbëjnë një nga provat kyçe në hetimin për zhdukjen e Eglant Koçit. Ora shënon 00:48 minuta pas mesnatës së 5 qershorit, vetëm pak orë pasi 34-vjeçari ishte zhdukur pa lënë gjurmë. Në video shfaqet motoçikleta në pronësi të Koçit, e drejtuar nga një person i veshur me të bardha. Ai lëviz drejt zonës së “5 Majit”, braktis mjetin, ndërsa pak çaste më vonë rikthehet në të njëjtën rrugë, kësaj here në këmbë. Kamerat fiksojnë qartë fytyrën e tij. Bëhet fjalë për Armand Shakajn, 41-vjeçarin e shpallur në kërkim nga policia dhe të dyshuarin kryesor për rrëmbimin e të riut, njëkohësisht mik i tij,
Sipas burimeve, këto pamje ishin elementi i parë konkret që lidhi Shakajn, i njohur me nofkën “Mand Dhelpra”, me ngjarjen. Dyshohet se ai ka tentuar të zhdukë gjurmët duke lënë motoçikletën në një vend tjetër, me qëllim që të çorientonte hetuesit dhe të vështirësonte zbardhjen e fatit të Eglant Koçit. Pas identifikimit të tij, policia ushtroi kontrolle në banesën dhe ambientet në pronësi të Shakajt, përfshirë një biznes fast-food, ku dyshohej se mund të gjendej 34-vjeçari ose prova të rëndësishme. Edhe pse në kontrollin fillestar nuk u gjet asgjë e dyshimtë, hetuesit sekuestruan materiale filmike me vlerë të madhe, të cilat dyshohet se dokumentojnë lëvizjet në ambientin ku Koçi mund të jetë mbajtur peng.
Nga veprimet hetimore doli në skenë edhe Enea Zyferi, kamarier në biznesin e Armand Shakajt, i arrestuar për veprën penale të përkrahjes së autorit të krimit. Dëshmia e tij konsiderohet kontradiktore. Ai deklaron se e pa Eglant Koçin të hynte në ambientin ku dyshohet se është mbajtur peng, por pretendon se nuk di çfarë ka ndodhur më pas. Sipas Zyferit, në një moment “Mand Dhelpra” i ka kërkuar të fikte dritat e biznesit, me arsyetimin se do të zbriste një frigorifer në katin poshtë. Ai thotë se e ka zbatuar kërkesën, por hetuesit konstatuan se, megjithëse ambienti ishte në errësirë, kamerat e sigurisë kanë vijuar të regjistrojnë.
Pamjet e administruara tregojnë 41-vjeçarin duke dalë nga ambienti me një objekt të madh të zi, që duket si një qese, të cilin e fut në automjet dhe largohet. Përmbajtja e saj nuk dihet, por hetuesit kanë ngritur dyshime të forta se mund të ketë lidhje me fatin e Eglant Koçit, megjithëse kjo nuk është provuar ende. Një ditë më pas, sipas dëshmisë së Zyferit, Shakaj i kërkoi të lante makinën në një zonë të izoluar në fund të Bulevardit të Ri, aty ku edhe u arrestua në flagrancë. Pikërisht në këtë makinë hetuesit gjetën njolla gjaku dhe dyshojnë se mund të jetë përdorur për transportimin e 34-vjeçarit.
Lini një Përgjigje