Kulture22 Shkurt 2023, 17:42

Qendra Kombëtare e Librit shpall 2023-shin vitin e Petro Markos

Shkruar nga Pamfleti

Qendra Kombëtare e Librit shpall 2023-shin vitin e Petro Markos

Qendra Kombëtare e Librit ka shpallur 2023-shin vitin e Petro Markos. Ky vit shënon 110-vjetorin e lindjes së shkrimtarit, duke u shoqëruar me disa aktivitete.

E bija Aranita Marko gjen metaforën e duhur për të përshkruar jetën e tij të stuhishme e të vështirë: “Dua të kujtoj një figurë që e kam kështu. Kur isha e vogël shkonim në det dhe ai kishte një zakon: hidhej në ujë dhe kishte çaste që unë kisha shumë frikë se hidhej në ujë dhe nuk e shihja. Kalonte kohë e gjatë dhe unë prisja, po del a nuk po del.

Pastaj ai dilte me atë ujin që shkonte lart, dhe bulëzonte nëpër trup. Dhe kështu është Petro, herë zhytet nga koha e gjërat që ndodhin, por ka një moment që ai del si sot që po më jepni mua mundësinë”, tha ajo.

Petro Marko lindi më 25 nëntor të vitit 1913, në fshatin Dhërmi të Himarës. Kreu Shkollën Tregtare të Vlorës. Më 1 mars 1936 botoi numrin e parë të së përdyjavshmes letrare “ABC”. Po atë vit mori pjesë në Luftën Civile të Spanjës me një grup prej dyzetë shqiptarësh dhe hyri në repartin Garibaldi të Brigadave Ndërkombëtare.

Në Madrid, së bashku me Skënder Luarasin, filloi botimin e një reviste njëzetfaqëshe në gjuhën shqipe me titullin “Vullnetari i Lirisë”, që doli vetëm dy numra. Më 1940 u detyrua të kthehej në atdhe nga mërgimi në Francë. Një vit më vonë u arrestua nga italianët dhe u internua bashkë me gjashtëqind të burgosur të tjerë nga vendet ballkanike në ishullin Ustika, në detin Tirren.

Në tetor 1944 u kthye në Shqipëri si partizan. Pas disa vitesh si kryeredaktor i gazetës “Bashkimi” më 1947 u arrestua nga komunistët dhe u burgos në Tiranë.

Pas rënies së Koçi Xoxes, u lirua dhe u lejua të punonte si mësues në Tiranë. Pas botimit të romanit “Një emër në katër rrugë” (Tiranë,1973), iu ndalua botimi për një periudhë prej tetë vitesh. Ai vdiq në Tiranë, më 27 dhjetor 1991.

Ndër veprat e tij mund të përmendim: “Hasta la vista”, 1958; “Qyteti i fundit”, 1960; “Rrugë pa rrugë”, 1964; “Nata e Ustikës”, 1989 etj.

petro marko hasta la vista shkrimtari rebel