Një qytetar që mori fjalën në protestën e 49-të para Kryeministrisë reagoi ndaj zhvillimit të Kuvendit Qytetar të mbajtur sot në Tiranë, duke theksuar se protesta duhet të mbetet një lëvizje e qytetarëve dhe jo të përfaqësohet nga individë apo struktura të veçanta.
Sipas tij, protesta ka tashmë një grup koordinativ që organizon aktivitetin e saj dhe askush nuk ka të drejtë të flasë në emër të gjithë protestuesve.
Ai u shpreh se çdo person është i lirë të japë mendimin e vet, por kjo nuk do të thotë se përfaqëson qëndrimin e protestës.
"Protesta është e popullit, është sakrificë. Sot janë munduar disa njerëz, me vullnetin e mirë, të bëjnë një përçapje për fuqizimin e protestës. Ata janë përmendur me emra. Protesta e ka grupin koordinativ që e mban gjallë. Kjo protestë është zëri i popullit. Kushdo që del këtu, del me mendimin e tij. Nuk flet në emër të protestës. Në asnjë formë masive", deklaroi ai.
Në fund të fjalës së tij, qytetari u bëri thirrje protestuesve të mos lejojnë përçarje dhe të bashkohen rreth objektivave të përbashkëta.
"Shqiptarë të mirë, të mblidhemi në këtë shesh pa dallime e pa përçarje. Mos të çojmë ujë në mullirin e qeverive kriminale. Të bashkohemi të gjithë dhe të mos ndikohemi nga përçapjet, pasi synimi ynë mbetet realizimi i pesë pikave të protestës", u shpreh ai.
Lini një Përgjigje