TAGS-AT E JAVËS

Kulture30 Tetor 2024, 13:35

Si kërkonte Kadri Hazbiu ta ruante Enver Hoxhën nga burgu: “Komandati i Gardës dhe Komandanti i tankeve të Saukut duan tu eleminojnë”

Shkruar nga Pamfleti
Si kërkonte Kadri Hazbiu ta ruante Enver Hoxhën nga burgu:
Kadri Hazbiu dhe Enver Hoxha /

“Gjykoj se largimi i Fejzi Hoxhës nga drejtimi i shërbimit tuaj shëndetësor nuk ’është me qëllime të mira”

Pjesa e Dytë

Vijon nga Pjesa e Parë 

 “Puna ime shkoi për dhjamë qeni, por ruani Partinë”.

Në dëshpërim e sipër, Kadri Hazbiu rreket t’i kujtojë Enver Hoxhës nga qelia se nuk ka as dyshimin më të vogël për fatin që e pret, por si “komunist” dhe atdhetar i vendosur që ka investuar mund e sakrifica të shumta për pushtetin popullor, e preokupon Partia dhe jeta e udhëheqësit kryesor”. Letra e parë, përveç përbetimit për besnikëri të palëkundur të ish-ministrit të arrestuar, përmban reagimin e Hoxhës, që pas një shpërfilljeje të gjatë ndaj refleksioneve nga qelia të Hazbiut, më në fund ka kërkuar ta lexojë vetë letrën e radhës të fotozmadhuar enkas për të dhe aty për aty të shpërthejë me stilin e vet: “I thoni tradhtarit Kadri Hazbiu se trillimet dhe legjendat që ndërton në kokën e tij, nuk kalojnë tek unë. Nuk presim nga ai këshilla dhe mësime, por kërkojmë t’u përgjigjet organeve të drejtësisë të diktaturës së proletariatit”. 

Në dosjen e korrespodencës sekrete nuk ka gjurmë nëse ky mesazh i diktatorit i shkoi apo jo të burgosurit VIP. Fakti që Hazbiu ka vazhduar edhe më tej t’i shkruajë atij, tregon se ai nuk është njohur në asnjë rast me reagimin e udhëheqësit dhe letërkëmbimi i mbikëqyrur nga ministri I Brendshëm, Hekuran Isai dhe dy njerëzit e afërt të Enverit, Ramiz Alia dhe Haxhi Kroi, nuk ka pasur destinacion sqarimin e të pandehurit, por sigurimin e ndonjë të dhëne të panjohur në interes të hetimit të çështjes në shqyrtim.

Letra në vijim e ish- kreut të Sigurimit, duke mbetur te argumenti se kryqëzimi i tij ndodhi pasi u bë viktimë e planit agjenturor të “komplotistit” Mehmet Shehu dhe një grupi ende të pazbuluar në Byronë Politike, që kërkojnë rrëzimin e pushtetit popullor dhe eliminimin e udhëheqësit të Partisë, risjell një tjetër alibi, këtë radhë me sfond e protagonist konkret dhe me një qasje intriguese për një akt të mundshëm terrorist ndaj kreut të regjimit.

“Prej vitesh ekziston një plan i përbashkët i Gardës së Republikës dhe Brigadës së Tankeve në Sauk, firmosur nga Mehmet e Feçor Shehu”, -shkruan Hazbiu, sipas të cilit “ato veprojnë për sigurimin dhe evakuimin e udhëheqjes dhe Tuajën (!) në rast agresioni, që duhet riparë sa më shpejt”. Me këtë “përkujdesje” ish-kryesigurimsi, që e njeh si rrallëkush paranojën e shefit të Partisë, as më pak dhe as më shumë kërkon ta lëndojë Hoxhën aty ku ka pikën më të dobët, pse jo të rifitojë sa të mundë besimin e dikurshëm si shpëtimtar i vetëm në rrethanat më kritike, por tashmë gjithçka ka marrë fund. Sidoqoftë, sinjali i Hazbiut, pavarësisht se është shpërfillur shkresërisht, nuk ka kaluar si zë në shkretëtirë. Fill pas tij është shkarkuar nga detyra komandanti i Gardës dhe komandanti i Tankeve të Saukut, “për efekte qarkullimi” dhe janë kryer një mori ndryshimesh në strukturat e sigurisë së Hoxhës, kuptohet pa deklaruar arsyet dhe burimin e sinjaleve që vinin nga qelia e Burgut 313.

Sakaq, Hazbiu në letrën e fundit, nuk harron t’i kujtojë kreut të regjimit dyshimet për grupin e mjekëve që kujdeseshin për shëndetin e tij.

“Gjykoj që shërbimi tuaj shëndetësor, -përmbyll letrën ish-ministri, -të drejtohet nga afër e vazhdimisht nga profesor Hoxha (Fejziu), të cilin kohët e fundit e kanë larguar padrejtësisht”.

Për këtë, -vë në dukje autori i letrës, -ka biseduar më herët me Sulo Gradecin, shefin e grupit të shoqërimit të Hoxhës, por edhe me Ramiz Alinë, por çuditërisht fjala e tij ka rënë në vesh të shurdhër.

Letra e plotë e datës 18 nëntor 1982

I dashur udhëheqës Enver

Çështja për të cilën ju shkruaj mund dhe të jetë zgjidhur sepse para dy muajsh ia kam ngritur vetë ministrit të Punëve të Brendshme (është fjala për Hekuran Isain-shënim red.).

Prej vitesh ekziston një plan i përbashkët midis Gardës së Republikës dhe Brigadës së Tankeve me qendër në Sauk, sipas të cilit kjo e fundit, në bashkëpunim me Gardën, vepron me forcën e saj për sigurimin dhe evakuimin e udhëheqjes e Tuajën në rast agresioni të befasishëm mbi Tiranën (supozuar nga ajri) e ky plan dihej nga armiqtë Mehmet e Feçor Shehu e më tutje.

Unë gjykoj se do parë nëse duhet një plan i tillë. Nëse po, ai patjetër duhet ndryshuar dhe po qe se do të jetë ky plan (i ndryshuar) efektivi dhe sidomos kuadri i Brigadës së Tankeve të Saukut kërkon kujdes të vazhdueshëm si për edukimin, ashtu edhe për zgjedhjen e tij. Në këtë rast do të ishte mirë që ju vetë të njihnit nga afër komandantin e kësaj brigade dhe të bëhesh kujdes me pjesën tjetër dhe Garda, në këto kushte, duhet të veprojë vetëm me urdhrin tuaj.

Mendoj se edhe për Gardën kërkohet kujdes i posaçëm, me zgjedhjen e efektivit, ndryshimet në kuadrin e saj. Komandën e Gardës mirë është që ta mbani më afër dhe të mësohet ajo që, përveç shërbimit të zakonshëm, për të ndërhyrë me forcën e saj në çdo rast emergjence, të reagojë vetëm me urdhrin tuaj.

Nuk do të ishte keq që drejtorin e sigurimit të udhëheqjes ta orientonit edhe ju vetë për ta integruar mirë në këtë çështje të sigurimit të udhëheqjes e tuaj.

Gjykoj gjithashtu që shërbimi tuaj shëndetësor të drejtohet nga afër e vazhdimisht nga profesor Hoxha (Fejziu). Këtë e them se kisha konstatuar një largim të tij. Për këtë i kam thënë prej kohësh Sulo Gradecit(shefit të grupit të shoqërimit të Hoxhës-shënim i red.) dhe në një rast edhe sekretarit të KQ, Ramiz Alisë.

Më falni për sa ju shkruaj, por unë këtu jetoj me këto shqetësime, të cilat për deri sa i kam, nuk mund të rri pa i shprehur./Pamfleti     

enver hoxha kadri hazbiu

Lini një Përgjigje