TAGS-AT E JAVËS

LIVE UPDATES15 Qershor 2026, 19:40

Minutë pas minute/ 16 ditë rezistencë në shesh, qytetarët njëzëri kundër Ramës dhe Berishës

Shkruar nga Pamfleti
2 ORE ME PARE

Qytetari nga Përmeti kujton vëllezërit Frashëri: Abdyli shiti pasurinë për Shqipërinë, sot ndodh e kundërta!

Minutë pas minute/ 16 ditë rezistencë në shesh,

Një qytetar nga Përmeti iu bashkua protestës së zhvilluar para Kryeministrisë, ku qytetarë nga zona të ndryshme të vendit po marrin fjalën për të ndarë mesazhet dhe shqetësimet e tyre.

Gjatë fjalimit të tij, ai solli në vëmendje figurat e vëllezërve Frashëri dhe kontributin e tyre për kombin shqiptar, duke bërë një krahasim mes sakrificave të rilindësve dhe realitetit të sotëm.

“Jam nga vendi i frashëllinjve. Jeni shumë të mrekullueshëm. Që kur kemi qenë fëmijë të vegjël dhe shqiptarët dëgjonin këngët e të parëve tanë; Advyl shite pasurinë për të bërë Shqipërinë. Sot po ndodh e kundërta. Rroftë rinia shqiptare, kombi shqiptar. Mbahuni fortë, se do të fitojmë. Fitore. Shqipëria e shqiptarëve”, deklaroi protestuesi.

Ai shprehu mbështetjen për të rinjtë dhe bëri thirrje për qëndresë, duke theksuar se Shqipëria duhet t'u përkasë shqiptarëve dhe idealeve për të cilat luftuan figurat historike të Rilindjes Kombëtare.

Fjalimi i qytetarit u prit me duartrokitje nga të pranishmit, ndërsa protesta vijoi me mesazhe të tjera nga qytetarë të ardhur nga qytete të ndryshme të vendit.

2 ORE ME PARE

Protestuesit ashpërsojnë thirrjet: Të rrethojmë Parlamentin dhe Kryeministrinë!

Minutë pas minute/ 16 ditë rezistencë në shesh,

Protestuesit kanë ashpërsuar thirrjet e tyre në ditën e 16-të të tubimit para Kryeministrisë, ku mijëra qytetarë janë mbledhur sërish për të kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama nga detyra.

Gjatë fjalimeve të mbajtura në podiumin e improvizuar, një prej protestuesve propozoi përshkallëzimin e aksionit qytetar përmes rrethimit paqësor të institucioneve kryesore të vendit, duke theksuar se çdo veprim duhet të zhvillohet pa përplasje me forcat e rendit.

“Të rrethojmë parlamentin dhe kryeministrinë në mënyrë paqësore. Pa u përplasur me policinë se janë vëllezërit tanë”, deklaroi ai.

Në vijim të fjalës së tij, protestuesi i kërkoi kryeministrit Rama të largohet nga detyra për të shmangur tensione të mëtejshme.

“Rama të tregohet i zgjuar. Të japë dorëheqjen dhe të mos provokojë popullin shqiptar”, u shpreh ai.

Qytetari nuk kurseu kritikat as ndaj liderit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, duke i konsideruar të dy figurat politike përgjegjëse për gjendjen e vendit.

“Duhet qeveri e pastër. Rama në burg, Berisha në burg. Janë që të dy tradhtarë”, tha protestuesi.

Ai akuzoi gjithashtu klasën politike të tranzicionit për privatizime dhe vendime që, sipas tij, kanë dëmtuar interesat e qytetarëve ndër vite.

"Të rrethojmë parlament dhe kryeministrinë në mënyrë paqësore. Pa u përplasur me policinë se janë vëllezërit tanë. Rama të tregohet i zgjuar. Të japë dorëheqjen dhe të mos provokojë popullin shqiptar. Se po e kapi ky popull do e zvarrisi deri te sheshi Skënderbej. Nuk ka zgjidhje tjetër, është fundërrina e komunizmit. Duhet qeveri e pastër. Rama në burg, Berisha në burg. Janë që të dy tradhtarë. Berisha na shiti hidrocentralet, na shiti shkollat, spitalet, i bëri private. Rama na shiti tokat, që na i dhanë me gjak", u shpreh protestuesi në fjalën e tij të plotë.

Protesta para Kryeministrisë vijon prej 16 ditësh radhazi, ndërsa qytetarët po shfrytëzojnë podiumin për të shprehur pakënaqësitë e tyre lidhur me situatën politike, ekonomike dhe sociale në vend.

2 ORE ME PARE

“Marrim telefonata intimiduese”, protestuesja bën denoncimin e fortë para Kryeministrisë!

Minutë pas minute/ 16 ditë rezistencë në shesh,
Protestuesja bën denoncimin e fortë

Një protestuese ka bërë një denoncim publik gjatë protestës së 16-të që po zhvillohet para Kryeministrisë, ku tha se qytetarët që marrin pjesë në tubime po përballen me telefonata intimiduese dhe presione për të mos dalë në protestë.

Nga podiumi i vendosur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ajo deklaroi se pavarësisht këtyre përpjekjeve, protestuesit nuk do të tërhiqen dhe do të vijojnë qëndresën e tyre.

“Nuk do të ndalemi nga telefonatat intimiduese që marrim çdo ditë, frika ka vdekur prej kohësh, ne nuk do të dorëzohemi. Poshtë patronazhistët”, deklaroi ajo para protestuesve.

Deklarata e saj u prit me duartrokitje dhe thirrje mbështetëse nga të pranishmit, ndërsa protesta vijoi me mesazhe kundër qeverisë dhe kërkesa për ndryshim politik.

Protesta e sotme shënon ditën e 16-të të mobilizimit qytetar në Tiranë. Gjatë tubimeve të fundit, pjesëmarrës të ndryshëm kanë artikuluar akuza për presione dhe intimidime, ndërsa organizatorët kanë bërë thirrje për vijimin e protestave dhe ruajtjen e karakterit paqësor të tyre.

3 ORE ME PARE

“Je i pushuar”, protestuesja sfidon Ramën!

Minutë pas minute/ 16 ditë rezistencë në shesh,
Protestuesi në tubim

Një protestuese nga Shkodra ka artikuluar akuza të forta ndaj qeverisë dhe duke bërë thirrje për largimin e politikanëve që, sipas saj, janë të korruptuar.

Nga Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, ajo deklaroi se kryeministri Edi Rama nuk përmbush standardet e lidershipit dhe se qytetarët duhet të reagojnë kundër korrupsionit.

“Kryeministri më ka zënë vendin sepse nuk ka lidhje me lidershipin, sipas doktoraturës sime Edi Rama është i pushuar. Duhet t’i themi jo korrupsionit, nuk duhet të ikim. Mos u ndalni sepse ata janë të pushuar, duhet t’i pushojmë nga puna për korrupsion, nga ana e lidershipit janë të pushuar. Duhet t’i zhdukim sepse ata janë antishqiptarë”, deklaroi protestuesja.

Fjalimi i saj u prit me reagime dhe duartrokitje nga një pjesë e protestuesve të mbledhur në bulevard, ndërsa tubimi vijoi me thirrje kundër qeverisë dhe kërkesa për ndryshim politik.

3 ORE ME PARE

“Konfiskim pasurie për Ramën dhe Berishën”, protestuesi: Do ta shkatërrojmë këtë bandë kriminale!

Minutë pas minute/ 16 ditë rezistencë në shesh,

Thirrje të forta kundër klasës politike janë dëgjuar këtë të hënë nga Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, ku po zhvillohet protesta e 16-të kundër kryeministrit Edi Rama.

Një prej protestuesve mori fjalën para turmës së mbledhur në qendër të kryeqytetit, duke kërkuar jo vetëm dorëheqjen e kryeministrit, por edhe hetimin dhe konfiskimin e pasurive të figurave kryesore politike që, sipas tij, kanë përfituar në kurriz të qytetarëve.

“Konfiskim pasurie për Ramën dhe Berishën. Këta maskarenj na kanë mashtruar dhe na kanë vjedhur. Të vinë të gjithë nga jashtë. Mbahuni dhe pak ditë. Ju premtoj se do ta shkatërrojmë bashkë me bandën kriminale. Mos u dorëzoni. Na morën plazhet, territoret, shkollat, spitalet. Çfarë na ngeli neve o vëllezër? Rama jepe dorëheqjen! Nuk fitohet me gjatësi kjo punë! Jepe dorëheqjen”, deklaroi ai.

Fjalimi i protestuesit u shoqërua me duartrokitje dhe thirrje mbështetëse nga një pjesë e të pranishmëve, ndërsa në bulevard vijuan sloganet kundër qeverisë dhe kërkesat për ndryshim politik.

3 ORE ME PARE

“Kam 35 vite që zvaritem në këtë shesh”, ish-minatori 'shpërthen' ndaj qeverisë: E keni bërë Shqipërinë copa-copa

Minutë pas minute/ 16 ditë rezistencë në shesh,

Një ish-minator i minierës së Valiasit ka marrë fjalën para Kryeministrisë gjatë protestës së ditës së 16-të. Ai u ka bërë thirrje prindërve të të rinjve që t'u bashkohen fëmijëve të tyre në shesh, ashtu siç ndodhi gjatë lëvizjeve demokratike të 35 viteve më parë.

Në fjalimin e tij, ish-minatori kujtoi angazhimin e qytetarëve në fillimet e pluralizmit dhe theksoi se edhe sot kërkohet i njëjti solidaritet përballë problemeve që vijojnë të prekin vendin.

“Kam 35 vite që zvaritem në këtë shesh. Nga ky podium u bëj thirrje prindërve të të rinjve që t’ju bashkohen fëmijëve si prindërit tanë para 35 vitesh. Zullumqarët janë fëlliqësirat e vendit tonë, na kanë vjedhur e po na vjedhin. E kanë marrë Shqipërinë me 1 euro, por ne nuk do të lejojmë të na i bëjnë copa copa zullumqarët”, tha ai.

Ish-minatori e përqendroi mesazhin e tij te nevoja për reagim qytetar dhe pjesëmarrje më të gjerë në protestë, duke argumentuar se e ardhmja e vendit nuk mund t'u lihet në dorë politikanëve që, sipas tij, kanë dështuar ndër vite.

Fjalimi i tij u prit me duartrokitje nga protestuesit e mbledhur para Kryeministrisë, ndërsa tubimi vijoi me mesazhe të tjera nga qytetarë që ndanë shqetësimet e tyre për situatën në vend.

3 ORE ME PARE

Emigranti nga Gjermania mesazh Berishës nga protesta: Ik ti i pari, që të të ndjekë Rama

Minutë pas minute/ 16 ditë rezistencë në shesh,

Një emigrant shqiptar që jeton prej vitesh në Gjermani ka tërhequr vëmendjen gjatë protestës së sotme, pasi nga foltorja ka lëshuar një apel të drejtpërdrejtë për kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha.

Teksa u prezantua si emigrant nga Bulqiza, ai tha se ishte bashkuar protestës jo vetëm për veten, por edhe për familjarët që nuk kanë mundësi të jenë të pranishëm në tubim.

Jam nga Bulqiza, prej disa vitesh jetoj në Gjermani. Protestoj për veten. Por dhe për nënën time, 85 vjeçe, që nuk merr pjesë dot në këtë protestë”, u shpreh ai.

Më pas emigranti i drejtoi një thirrje të hapur Sali Berishës, duke kërkuar largimin e tij nga drejtimi i Partisë Demokratike si një hap përpara ndryshimit politik në vend.

I them Berishës; të lutem, jep dorëheqje si kryetar i PD. Ik ti i pari që të të ndjekë dhe tjetri. Nëse e do me të vërtetë këtë protestë. Nëse e do që Shqipëria të bëhet mirë, ik ti i pari”, deklaroi ai.

Gjatë fjalës së tij, emigranti u bëri thirrje edhe ambasadorëve të vendeve të Bashkimit Europian që të mbështesin protestën dhe t’u bashkohen qytetarëve në shesh.

Deklarata e tij u prit me reagime nga pjesëmarrësit në tubim, ndërsa mesazhi për Berishën u veçua si një nga qëndrimet më të drejtpërdrejta të artikuluara deri më tani nga folësit e protestës, duke kërkuar ndryshim jo vetëm në qeveri, por edhe në opozitë.

3 ORE ME PARE

Banori i Rrjollit nga protesta: Toka është e jona, jo e Bashkim Ulajt!

Minutë pas minute/ 16 ditë rezistencë në shesh,
Banori i Rrjollit në proteste

Një banor i Rrjollit iu bashkua këtë të hënë protestës së zhvilluar në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku ndau me protestuesit shqetësimet e tij lidhur me situatën në zonën bregdetare të Shkodrës dhe kundërshtimin ndaj projektit të resortit të Bashkim Ulajt që parashikohet të ndërtohet atje.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, ai deklaroi se prej vitesh jeton jashtë Shqipërisë, por sipas tij, kurrë nuk është përballur me situata të tilla si ato që po përjeton aktualisht në vendlindje.

“Vij nga Rrjolli. Shqipëria është e shqiptarëve jo e tradhtarëve. Kam vite jashtë shtetit. Në Shqipëri po bëj burg përditë. Shqipëria meriton një gjë tjetër, se jemi europianë. Na kanë çuar në burg, por në burg shkojnë kriminelët. Toka e Rrjollorëve, është e rrjollorëve, jo e Bashkimit. Rama në burg, Berisha në burg! Mos ia priftë Zoti mbarë atyre”, u shpreh banori i Rrjollit.

Deklarata e tij u prit me duartrokitje nga një pjesë e protestuesve të mbledhur në bulevard, ndërsa çështja e tokave në Rrjoll dhe projekti turistik në zonë vijon të mbetet një nga temat më të diskutuara mes banorëve që kundërshtojnë zhvillimin e tij.

Protesta e sotme është pjesë e mobilizimit që prej 16 ditësh po zhvillohet në Tiranë, ku qytetarë nga zona të ndryshme të vendit po shprehin pakënaqësitë e tyre ndaj qeverisë dhe çështjeve që i prekin drejtpërdrejt në komunitetet ku jetojnë.

3 ORE ME PARE

Qytetarja sfidon Ramën nga podiumi i protestës: E kujt është Shqipëria?

Minutë pas minute/ 16 ditë rezistencë në shesh,

Një tjetër qytetare ka mbajtur fjalën para Kryeministrisë, në kuadër të protestës që po zhvillohet prej 16 ditësh në Tiranë, ku qytetarët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Nga podiumi, ajo u shpreh se protestuesit janë të vendosur ta çojnë deri në fund kauzën e tyre dhe se nuk do të tërhiqen deri në largimin e qeverisë aktuale.

“Do t’i shkojmë deri në fund kësaj që kemi nisur, këtu vendosim ne dhe nuk ndalemi deri në dorëheqjen e qeverisë. Nuk heqim dorë derisa të kemi një Shqipëri të re dhe një qeveri të re popullore”, deklaroi protestuesja.

Gjatë fjalës së saj, protestuesja iu referua edhe një deklarate të kryeministrit Edi Rama, duke ngritur një pyetje drejtuar kreut të qeverisë. “Rama tha që Shqipëria nuk është e Shqiptarëve, po e kujt është?”, u shpreh qytetarja.

Gjithashtu, ajo pohoi se e gjithë bota ka njohur këto ditë shqiptarët. Sipas saj, kjo është fytyra e Shqipërisë së re.

“Po zbarojnë mijëra qindra shqiptarë, dhe ne vazhdojmë drejt tyre. E gjithë bota ka mundësi që të shohë fytyrën e vërtetë të shqiptarëve. Ma kanë thënë; shqiptarët janë kështu, ashtu. Jo! Kjo është fytyra e shqiptarëve. Fytyra e Shqipërisë së re, për të gjithë ne. Të tërë bashkë. Për çdo shqiptar, që është larguar për një jetë më të mirë. Për të gjithë ata që njohin lojën e shaut. Deri dje shqiptarët kanë qenë spektatorë ku luheshin rregullat nga të tjerë, sot e luajnë ata”, shtoi protestuesja.

Deklarata e saj u prit me reagime nga protestuesit e mbledhur para Kryeministrisë, ndërsa tubimi vijoi me fjalime të tjera të qytetarëve që ndanë shqetësimet dhe kërkesat e tyre për ndryshime politike dhe sociale.

3 ORE ME PARE

Çarje te protestuesit? Arben Kola distancohet nga marshimi drejt Rinasit, vetëshpallen 3 nismëtarë të tubimit

Minutë pas minute/ 16 ditë rezistencë në shesh,
Protesta dhe Arben Kola djathtas

Gjatë fjalës kur qytetarët po grumbulloheshin në sheshin ‘Skënderbej’, aktivisti Alben Kola ka bërë publike emrat e nismëtarëve të protestës...

Marshimi i një dite më parë drejt Aeroportit të Rinasit duket se ka nxjerrë në sipërfaqe dallimet e para mes grupeve që po organizojnë protestat kundër qeverisë. Bllokimi për disa orë i autostradës Tiranë-Durrës dhe ecja e protestuesve për më shumë se pesë orë shkaktuan debate të forta, ndërsa sot kanë ardhur edhe reagimet e para nga personazhe që konsiderohen drejtues të lëvizjes.

Një prej tyre, Arben Kola, ka tentuar të shuajë zërat për përçarje, por njëkohësisht ka bërë një ndarje të qartë mes grupit nismëtar të protestës dhe organizatorëve të marshimit drejt Rinasit.

Shumë mendojnë që jena përça, shumë thojnë po tentojnë me na kap. Nuk jemi të përçam, s'ka patur keqkuptime, ka tentativa, por nuk jemi me u akuzu dhe me u armiqësu me askënd. Armiku i vetëm sot i përbashkët është Edi Rama dhe qeveria e tij”, deklaroi Kola para protestuesve.

Më herët, gjatë grumbullimit të qytetarëve në sheshin “Skënderbej”, ai bëri publikë edhe emrat e tre personave që, sipas tij, njihen zyrtarisht nga policia si nismëtarë të protestës.

3 personat nismëtarë që njihemi me letra nga policia: Luçiana Kokaj nga Rrjolli, Alben Kola nga Kukësi dhe Arlinda Lleshi nga Lezha”, deklaroi aktivisti.

Por deklarata më domethënëse erdhi kur Kola u distancua nga marshimi drejt Rinasit, duke theksuar se ai nuk ishte organizuar nga grupi nismëtar.

Marshimi ka qenë i organizuar nga grupe të rinjsh, siç quhet gjenerata Z. Duke qenë që marshimi nuk ka patur të bëjë fare me grupin nismëtar as me organizatorët, nga sonte do jem unë në ballë të marshimit bashkë me studentët”, tha ai.

Minutë pas minute/ 16 ditë rezistencë në shesh,

Kjo deklaratë shihet si një sinjal se brenda lëvizjes po zhvillohet një garë e heshtur për drejtimin dhe orientimin e aksioneve të ardhshme. Vetë Kola njoftoi se studentët do të jenë në vijën e parë të marshimeve në vijim, me të në krye.

Po ashtu, ai u përpoq të mbyllte debatin e hapur pas tentativës për të shkuar drejt aeroportit, duke garantuar se një veprim i tillë nuk do të përsëritet.

Që të jemi të qartë me gjithë shqiptarët. Ne kemi thënë çdo natë që kjo është protesta model. Zemra e kësaj proteste është rinia dhe mërgata shqiptare. Atëherë si mund të ndalojmë ne mërgatën që vjen me aeroplanë? A e kuptoni që aeroporti është nyja kryesore e jetës, që na ka ndërru imazhin e Shqipërisë? Prandaj të jetë e qartë për të gjithë, asnjëherë nuk do ketë tentativë për në aeroport”, deklaroi Kola.

Qëndrimi i tij vjen një ditë pasi marshimi drejt Rinasit shkaktoi polemika të shumta, me një pjesë të protestuesve që e konsideruan një përshkallëzim të panevojshëm të aksionit, ndërsa të tjerë e mbrojtën si një formë presioni ndaj qeverisë. Deklaratat e sotme tregojnë se debati për strategjinë e protestës tashmë ka hyrë edhe brenda vetë organizatorëve të saj.

3 ORE ME PARE

“Boll është boll”, qytetarët nisin fjalimet para Kryeministrisë: Shqiptarët nuk heshtin më!

Minutë pas minute/ 16 ditë rezistencë në shesh,

Kanë nisur fjalimet e qytetarëve para Kryeministrisë, aty ku prej 16 ditësh protestuesit mblidhen për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshime në drejtimin e vendit.

E para që mori fjalën ishte një qytetare, e cila deklaroi se ka ardhur momenti që qeveria të largohet, ndërsa theksoi se pakënaqësia e qytetarëve ka arritur kulmin.

“Bota ka marrë vesh sesa të fortë dhe sa atdhetarë janë shqiptarët. Jemi këtu t’ju themi qeverisë dhe opozitës të japin dorëheqjen. Me zemër shqiptarët jashtë dhe brenda janë këtu, por janë këtu dhe të gjitha forcat për të thënë ‘Boll është boll!’”, u shpreh ajo.

Në fjalën e saj, protestuesja thkesoi se kjo lëvizje qytetare po dallon nga protestat tradicionale politike, pasi sipas saj, sheshi po u jep mundësi qytetarëve të zakonshëm të ndajnë publikisht shqetësimet dhe problemet e tyre.

“Fjalimet tona s’janë aq të kuruara, por bukuria e këtij sheshi është që çdo qytetar vjen këtu për të folur për hallet, ndaj do të lëmë të flasë i madh e i vogël nga ai hall tek ai hall. Ky shesh po u tregon vendin të gjithëve, politikanë e pushtetarë”, u shpreh ajo.

Tubimi para Kryeministrisë vijon me fjalime të tjera të qytetarëve, të cilët po ndajnë historitë dhe problematikat që, sipas tyre, janë grumbulluar ndër vite, duke e kthyer protestën në një platformë ku zëri i qytetarëve dëgjohet drejtpërdrejt.

3 ORE ME PARE

“Europë na dëgjo”, mesazhi i fortë i protestuesve për ndërkombëtarët!

Minutë pas minute/ 16 ditë rezistencë në shesh,
Pankarta drejtuar Europës

Protesta e 16-të kundër kryeministrit Edi Rama ka përcjellë këtë të hënë jo vetëm mesazhe drejtuar qeverisë shqiptare, por edhe një thirrje të drejtpërdrejtë për komunitetin ndërkombëtar.

Mes pankartave dhe thirrjeve të protestuesve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, spikati një banderolë e madhe me mbishkrimin në gjuhën angleze: “Europe, can you hear us?” (“Europë, a mund të na dëgjosh?”).

Sipas pjesëmarrësve, mesazhi synon të tërheqë vëmendjen e institucioneve dhe partnerëve ndërkombëtarë ndaj protestave që po zhvillohen prej 16 ditësh në vend. Protestuesit vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshime në drejtimin politik të vendit.

Organizatorët pretendojnë se revolta qytetare ka gjetur jehonë edhe jashtë Shqipërisë, ndërsa tubime mbështetëse janë zhvilluar nga komunitetet shqiptare në vende të ndryshme.

Gjatë protestës së sotme, qytetarët kanë mbushur sheshin dhe bulevardin kryesor të kryeqytetit, duke përsëritur thirrjet kundër qeverisë dhe duke kërkuar largimin e kryeministrit.

Protesta pritet të vijojë me marshim në rrugët e Tiranës, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar vazhdimin e mobilizimit edhe në ditët në vijim.

4 ORE ME PARE

"Mos ndiqni asnjë grupim politik", protestuesi: Marshimi nuk do të jetë jashtë unazës së Tiranës!

Minutë pas minute/ 16 ditë rezistencë në shesh,
Protesta

Thirrjet “Dorëheqje! Dorëheqje!” kanë kumbuar pasditen e kësaj të hëne në Sheshin “Skënderbej”, ku ka nisur protesta e 16-të kundër kryeministrit Edi Rama.

Gjatë tubimit, një prej protestuesve iu drejtua pjesëmarrësve me një apel për të ruajtur qetësinë dhe për të mos rënë pre e provokimeve gjatë marshimit të paralajmëruar në rrugët e kryeqytetit.

Në fjalën e tij, ai deklaroi se qëllimi i protestës mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, ndërsa theksoi se lëvizja po mbështetet edhe nga shqiptarët që jetojnë jashtë vendit.

“Qëllimi ynë është dorëheqja; dorëheqje dhe vetëm dorëheqje”, u shpreh ai para protestuesve të mbledhur në qendër të Tiranës.

Organizatori lëshoi kritika edhe ndaj opozitës, duke e cilësuar atë si të shitur dhe duke pretenduar se qytetarët nuk ndihen të përfaqësuar nga forcat politike tradicionale. Sipas tij, protestuesit kërkojnë ndryshim të klasës politike dhe mbajtjen e përgjegjësisë nga drejtuesit e saj.

Ai bëri të ditur gjithashtu se marshimi i kësaj mbrëmjeje do të zhvillohet brenda Unazës së Mesme të Tiranës, ndërsa u kërkoi pjesëmarrësve të mos ndjekin grupe apo individë që mund të tentojnë të devijojnë protestën.

“Këta politikanë mund të kenë para për megafona dhe gjithçka tjetër, por shpirtin e lirë të shqiptarëve nuk mund ta blejnë”, deklaroi ai mes duartrokitjeve të protestuesve.

Tubimi po vijon në Sheshin “Skënderbej”, ndërsa më pas protestuesit pritet të marshojnë në rrugët kryesore të kryeqytetit.

4 ORE ME PARE

“Rama, tradhtari më i madh”/ Nga pensionet te emigracioni, qytetarët shprehin revoltën në ditën e 16-të të protestës

Minutë pas minute/ 16 ditë rezistencë në shesh,

Protesta qytetare ka hyrë në ditën e saj të 16-të, ndërsa mijëra qytetarë janë mbledhur në Sheshin “Skënderbej” për të shprehur pakënaqësitë e tyre ndaj situatës politike, ekonomike dhe sociale në vend.

Para nisjes së marshimit drejt Kryeministrisë, disa prej protestuesve ndanë për mediat arsyet që i kanë shtyrë të dalin në shesh.

Një prej tyre, i moshuar, i bëri thirrje kryeministrit Edi Rama të largohet nga detyra, duke e akuzuar për gjendjen e vështirë ekonomike dhe largimin e të rinjve nga Shqipëria.

Në një prononcim për "News 24" ai deklaroi se: "Rama, tradhtari më i madh në këtë vend. Na keni larguar djemtë nga vendi. I lëmë kohë Ramës që të japë dorëheqjen deri të shtunën, se do të përballet me revolucionin e të rinjve. I them Sali Berishës që të largohet, se kemi që nga ’91 që na mashtron. Pensioni nuk më del. Paguaj drita e ujë dhe pak më ngelet”.

Një tjetër protestues e cilësoi lëvizjen qytetare si një nga reagimet më të rëndësishme publike të viteve të fundit, duke argumentuar se qytetarët po kundërshtojnë jo vetëm vështirësitë ekonomike, por edhe humbjen e shpresës për të ardhmen.

“Këta dje na kanë vrarë fizikisht, sot duan që të na vrasin shpirtërisht. Por kjo nuk do të ndodhë. Kjo është protesta më e ndershme dhe më heroike që nga rrëzimi i diktaturës. Kam besim se do të sjellë gjithçka kjo protestë”, tha ai.

Mes protestuesve ishte edhe një emigrant i ardhur nga Athina, i cili tha se kishte qenë mbështetës i Partisë Demokratike në fillim të viteve ’90, por sot shprehet i zhgënjyer nga politika shqiptare në tërësi.

Ai akuzoi ish-kryeministrin Sali Berisha për shkatërrimin e sektorëve të rëndësishëm të vendit dhe tha se pasojat e vendimeve të marra gjatë tranzicionit vijojnë të ndihen edhe sot.

“Jam demokrat i viteve ’90, ne dikur kishim shkollë të pilotëve, tani është shkatërruar. Berisha shkatërroi industrinë, arsimin. Kur u bë reforma e ’92 kritikova dhe thashë nuk duhet asnjë drejtues komunist, ja ku jemi sot. Nuk ka liri, s’kemi drejtësi. Pa drejtësi s’ka liri. Këto gjëra të thjeshta nuk i kuptojmë. Kam 27 vite që jetoj në Athinë”, shprehet një tjetër protestues.

Deklaratat e tyre pasqyrojnë një gamë të gjerë shqetësimesh, nga vështirësitë ekonomike dhe pensionet e ulëta, te emigracioni, mungesa e drejtësisë dhe pakënaqësitë ndaj klasës politike. Protesta e sotme vijon me marshimin e qytetarëve në rrugët e Tiranës, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar vazhdimin e mobilizimit edhe në ditët në vijim.

4 ORE ME PARE

“Rama të largohet, opozita të ndalë presionet”/ Nis protesta e 16-të para Kryeministrisë!

Minutë pas minute/ 16 ditë rezistencë në shesh,
Nis protesta e 16-të

Qytetarët e mbledhur në protestën e 16-të në Tiranë deklaruan se po përballen me presione dhe sulme nga opozita për shkak të pjesëmarrjes së tyre në tubime. Sipas tyre, këto veprime synojnë të frikësojnë dhe të pengojnë vazhdimin e protestave kundër qeverisë. Protestuesit theksuan se pavarësisht presioneve do të vijojnë mobilizimin dhe kërkesat e tyre politike.

Ka nisur protesta e 16-të kundër kryeministrit Edi Rama dhe kastës së vjetër të politikës. Qindra protestues janë mbledhur në qendër të Tiranës, ndërsa pritet marshimi drejt godinës së Kryeministrisë nën sloganin “Atdheu nuk është në shitje”.

Grumbullimi ka nisur në orën 18:00 në Sheshin “Skënderbej”, ku pjesëmarrësit vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Tubimi ka nisur thirrje si “Edi Rama jep dorëheqjen”, “Atdheu nuk shitet” dhe slogane të tjera kundër klasës politike.

Gjatë protestës, qytetarët i drejtuan një apel të drejtpërdrejtë kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se nëse i dhimbset vendi dhe interesat e shqiptarëve, duhet të japë dorëheqjen. Sipas tyre, largimi i tij nga drejtimi i qeverisë do t’i hapte rrugë një zgjidhjeje politike dhe rikthimit të besimit të qytetarëve te institucionet. Thirrja “Nëse të dhimbset Shqipëria, jep dorëheqjen” u përsërit disa herë gjatë tubimit.

“Opozita po na bën presion dhe po na sulmon”, u shprehën disa protestues gjatë tubimit, duke pretenduar se janë përballur me intimidime për shkak të angazhimit të tyre në protestat kundër qeverisë. Pretendimet e tyre nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur.

Pas tubimit në qendër të kryeqytetit, protestuesit pritet të marshojnë në rrugët kryesore të Tiranës.

Manifestime të ngjashme janë zhvilluar edhe në disa qytete të tjera të vendit, përfshirë Vlorën, Durrësin, Shkodrën dhe Pogradecin. Po ashtu tubime mbështetëse janë mbajtur edhe nga komunitetet shqiptare jashtë vendit.

Protesta vjen vetëm pak orë pas përfundimit të tubimit të një nate më parë, i cili u shndërrua në një nga marshimet më të gjata të kësaj serie protestash.

Protesta e 15-të, e zhvilluar dje zgjati për rreth nëntë orë dhe u karakterizua nga një itinerar i pazakontë, që nisi nga qendra e Tiranës dhe përfundoi në afërsi të aeroportit ndërkombëtar të Rinasit.

Fillimisht, protestuesit u grumbulluan në Sheshin “Skënderbej” dhe marshuan drejt Kryeministrisë, ku u mbajtën fjalime dhe adresime publike. Më pas, turma vijoi lëvizjen në këmbë përgjatë disa prej akseve kryesore të kryeqytetit, duke kaluar nga Rruga e Durrësit, zona e ish-Sheshit “Shqiponja” dhe Kthesa e Kamzës.

Në orët e vona të mbrëmjes, protestuesit ndryshuan itinerarin e zakonshëm dhe iu drejtuan autostradës Tiranë-Durrës, duke vijuar marshimin drejt aeroportit të Rinasit. Sipas raportimeve nga terreni, turma mbërriti pranë mbikalimit të Rinasit pas mesnate dhe vazhdoi lëvizjen drejt aeroportit.

Në orët e para të mëngjesit, forca të shumta policie u pozicionuan në afërsi të aeroportit për të ndaluar avancimin e protestuesve. Rreth orës 02:00, marshimi u bllokua nga efektivët e rendit, të cilët kishin krijuar një kordon sigurie në rrugën që të çon drejt terminalit.

Megjithatë, situata mbeti e qetë dhe nuk u regjistruan përplasje mes protestuesve dhe policisë. Për disa minuta, pjesëmarrësit qëndruan përballë efektivëve duke artikuluar thirrje si “Policia është me ne”, ndërsa në zonë ishin vendosur edhe automjete të posaçme të policisë për menaxhimin e turmave.

Pas afro 40 minutash qëndrimi përballë kordonit policor, protestuesit vendosën të tërhiqen dhe ta mbyllin protestën pa incidente.

4 ORE ME PARE

"Shteti po bën maskaradë!", qytetari nga protesta: Jam pacient dialize, nuk përballoj dot ilaçet

Minutë pas minute/ 16 ditë rezistencë në shesh,

Qytetarët janë mbledhur sërish këtë të hënë në Sheshin “Skënderbej”, duke shënuar ditën e 16-të të protestave. Pas grumbullimit në qendër të Tiranës, protestuesit shkojnë drejt godinës së Kryeministrisë dhe pasi mbajnë fjalime, marshojnë në rrugët kryesore të kryeqytetit.

Mes mijëra qytetarëve të pranishëm, një prej protestuesve ka ndarë për mediat historinë e tij personale, duke ngritur shqetësime për trajtimin e pacientëve që kryejnë dializë dhe kostot e larta që, sipas tij, duhet të përballojnë për mjekimin.

Në një prononcim për "News 24", ai akuzoi qeverinë për mënyrën se si po trajtohet rimbursimi i medikamenteve për pacientët kronikë.

“Edi Rama nuk udhëheq por sundon, ke ka kthyer parlamentin në Harrem. Jam këtu sepse jam pacient i dializës, nuk përballoj dot çmimin e gjilpërave pasi kam kembin 8000 lekë.

Ka rimbursuar ilaçin për vetëm 6 muaj për gjithë jetën. Kjo është maskaradë, është të tallesh. Për të vdekur jemi të gjithë, por jo të në vendosin këmbën”, deklaroi ai.

Protestuesi tha se vendimi për rimbursimin e ilaçeve vetëm për një periudhë të kufizuar kohore po krijon vështirësi të mëdha për pacientët që varen nga trajtimi i vazhdueshëm, ndërsa kërkoi më shumë mbështetje nga institucionet për kategoritë në nevojë.

Protesta e sotme është pjesë e mobilizimit qytetar që vijon prej 16 ditësh në Tiranë, ku pjesëmarrësit kanë ngritur shqetësime të ndryshme që lidhen me qeverisjen, çështjet sociale dhe ekonomike.

Minutë pas minute/ 16 ditë rezistencë në shesh,

1 Komente

  1. R
    Rama nBurg, Saliu nBurg!

    Bravo shqiptarë, ju lumtë! Mos e lejoni Shqipërinë ne duart e gjakatare te kriminelve Rama e Saliu dhe bandat e tyre te egra.

    Lini një Përgjigje