Protestës së 20-të kundër qeverisë, e zhvilluar këtë mbrëmje para Kryeministrisë, iu bashkua edhe një turist nga Zvicra, i cili mori fjalën për pak çaste dhe përcolli një mesazh mbështetjeje për qytetarët e mbledhur në shesh.
Në fjalën e tij të shkurtër, ai u bëri thirrje protestuesve të mos tërhiqen dhe të vazhdojnë qëndresën e tyre, duke shprehur bindjen se përpjekja e tyre do të japë rezultat.
“Erdha t’ju them, mos u dorëzoni. Do të fitoni. Bota është me ju, unë jam me ju”, u shpreh ai para qytetarëve.
Deklarata e turistit u prit me duartrokitje nga protestuesit, të cilët vijuan me thirrjet dhe sloganet e tubimit.
Në fund të fjalës së tij, qytetari zviceran iu bashkua edhe koreve të protestës, duke përsëritur sloganin e dëgjuar shpesh gjatë tubimeve të fundit: “Rama në burg, Berisha në burg”.
Nga thirrjet për dorëheqjen e Edi Ramës te mesazhet për "Shqipërinë e Re", protestuesit zgjodhën pankartat si formën më të drejtpërdrejtë për të shprehur pakënaqësitë e tyre
Përveç fjalimeve dhe marshimit drejt Kryeministrisë, protesta e 20-të kundër qeverisë u karakterizua edhe nga një numër i madh pankartash, të cilat përcollën mesazhe politike, sociale dhe ironike.
Mes pankartave që tërhoqën vëmendjen ishin: "Shit Zeqinenë po deshe, jo Zvërnecin", "Kur ti fshihe vjedhjet, nënat tona fshijnë lotët te pragu i derës o Ramë!!!", "Rama ik", "Pranë njëri-tjetrit jemi më të fortë edhe se një Benz 240", "Shes Opel Corsa, jam që jam po hedh dhe qeverinë...",

"Edi Rama, kërko falje. Sovrani s'pranon tallje", "Life is too short to spend it with the same politicians", "Qëndro deri në rrëzim! Ndërkohë që Rama përpëlitet... Diskutojmë një ide tjetër për Shqipërinë e Re?", "Na quan sorra dhe korba, ne jemi populli" etj.

Pankartat pasqyruan një gamë të gjerë shqetësimesh dhe qëndrimesh, duke filluar nga kundërshtimi i projekteve të caktuara në zonat bregdetare, kritikat ndaj qeverisjes, deri te kërkesat për ndryshim politik dhe përfshirje më të madhe qytetare.

Një pjesë e tyre përdornin humorin dhe ironinë për të përcjellë mesazhin, si pankarta "Shes Opel Corsa, jam që jam po hedh dhe qeverinë", e cila u fotografua dhe u shpërnda gjerësisht mes protestuesve. Ndërkohë, mesazhi "Pranë njëri-tjetrit jemi më të fortë edhe se një Benz 240" u kthye në një simbol të solidaritetit dhe bashkimit mes pjesëmarrësve.

Në pankarta të tjera dominonin thirrjet politike, ku kërkohej largimi i kryeministrit Edi Rama. Mes tyre spikati edhe slogani: "Edi Rama, kërko falje. Sovrani s'pranon tallje", i shoqëruar me simbolin e grushtit të ngritur.

Nuk munguan as mesazhet kundër klasës politike në tërësi. Një pankartë në gjuhën angleze mbante shkrimin: "Life is too short to spend it with the same politicians", e shoqëruar me fotografi të figurave të njohura politike të kryqëzuara me shenjën "X".

Një tjetër pankartë që ngjalli interes ishte ajo me kod QR dhe thirrjen për vetorganizim, ku protestuesit ftonin qytetarët të diskutonin alternativa për atë që e quanin "Shqipëria e Re".

Pankartat u shoqëruan me flamuj kombëtarë, thirrje përmes megafonëve dhe brohoritje të vazhdueshme gjatë marshimit nga Sheshi Skënderbej drejt Kryeministrisë.

Protesta e 20-të u zhvillua nën moton "Dorëheqje pa kushte", ndërsa organizatorët paralajmëruan vijimin e aksionit qytetar edhe në ditët në vijim. Sipas aktivistit Arben Kola, protestës pritet t'i bashkohen edhe shqiptarë nga diaspora, ndërsa për nesër është paralajmëruar një protestë kombëtare.
Një banore e Rrjollit, pjesëmarrëse në protestën e zhvilluar para Kryeministrisë, iu përgjigj deklaratave të kryeministrit Edi Rama lidhur me procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
Gjatë fjalës së saj, ajo hodhi poshtë idenë se rrugëtimi i vendit drejt Bashkimit Europian varet nga një person i vetëm, duke theksuar se në Shqipëri ka shumë individë të aftë për të udhëhequr procesin e integrimit.
Qytetarja iu referua një deklarate të kryeministrit, sipas së cilës ai kishte pyetur se kush do ta çonte Shqipërinë në Bashkimin Europian në rast se nuk do të ishte më në drejtimin e qeverisë.
“Kryeministri tha; nëse do iki unë, kush do ju çoj juve në BE? Unë e shoh se kemi shumë individë që mund të na çojnë drejt BE. Madje ne kemi shkuar më herët në BE. Disa na janë bashkuar, disa janë rrugës”, tha ajo.
Sipas banorës së Rrjollit, integrimi europian nuk duhet të lidhet me figurën e një individi të vetëm, por me kapacitetet, institucionet dhe potencialin që ka vendi për të përmbushur standardet e kërkuara nga Bashkimi Europian.
Në bulevardin Dëshmorët e Kombit, disa mijëra qytetarë, po protestojnë kundër klasës politike në vend, ndërsa i bëjnë thirrje Edi Ramës të dorëhiqet si Kryeministër. Kjo është dita e 20-të e protestës qytetare, ndërsa thirrja që është bërë simbol i saj është “Rama n’burg, Berisha n’burg”.
Protestuesve po i drejtohen me mesazhe qytetarë të ndryshëm. Në këtë kuadër, një qytetare, duke marrë mikrofonin ka akuzuar drejtpërdrejtë familjen e ish-kryeministrit Sali Berisha për rrëmbimin e pronave në Divjakë, ku ajo pretendon se kanë qenë edhe tokat e familjes së saj.
Ajo tha gjithashtu se kishte të vëllanë ish-të përndjekur politik nga regjimi komunist, teksa shtoi se të persekutuarit nuk kanë përfituar asgjë gjatë viteve të demokracisë.
“Vij nga Italia, nga Emiglia Romana, nga Piacenca. Kam bërë 35 vite gjyqe për pronat e mia. Nuk i mora dot, sepse Argita Berisha dhe familja Berisha kanë marrë Divjakën.
Ne nuk kompensohemi. Kanë 63 hektarë. Po rinia mbrapa ku do jetojë? Vëllai im ka bërë 10 vite burg si armik populli. Kur vjen fundi, ne të persekutuarit nuk përfituam asgjë. Rroftë populli i mrekullueshëm”, tha ajo.
Mijëra qytetarë prej 20 ditësh në një prej protestave më të mëdha që organizohen në Tiranë, por jo vetëm, jo nga partitë politike, kanë shpallur 5 kërkesa, një prej të cilave është anulimi i Paketës së Maleve. Por duket se protestat nuk kanë shqetësuar Kryeministrin Edi Rama, të cilit i kërkohet dorëheqja.
Si përgjigje ndaj protestuesve, Qeveria miratoi sot zonat e reja prioritare për zhvillimin e ekonomisë malore në katër bashki të vendit. Vendimet prekin territore në Devoll, Kolonjë, Malësi të Madhe dhe Patos, me synim nxitjen e investimeve ekonomike, industriale dhe turistike
Sipas vendimeve të miratuara, zonat e përcaktuara do të shërbejnë për zhvillimin e aktiviteteve ekonomike, industriale dhe turistike, me qëllim nxitjen e investimeve dhe zhvillimin e qëndrueshëm të territoreve të përfshira.
Në Bashkinë Devoll janë shpallur dy zona prioritare që përfshijnë gjithsej 29 fshatra në njësitë administrative Miras, Hoçisht, Progër dhe Qendër Bilisht. Sipërfaqja totale e këtyre zonave arrin në mbi 17 mijë hektarë.
Në Bashkinë Kolonjë janë shpallur shtatë zona me përparësi për zhvillimin e ekonomisë malore. Zonat shtrihen në disa njësi administrative, përfshirë Qendër Leskovik, Barmash, Qendër Ersekë, Mollas dhe Çlirim, duke përfshirë dhjetëra fshatra të zonës. Sipërfaqja totale e këtyre territoreve tejkalon 9 mijë hektarë.
Ndërkohë, Bashkia Malësi e Madhe përfiton numrin më të madh të zonave të shpallura, me dhjetë zona prioritare që shtrihen në njësitë administrative Kastrat, Kelmend, Shkrel, Gruemirë, Qendër dhe Koplik. Vetëm zona që përfshin Vermoshin, Lëpushën, Vuklin, Nikçin dhe Bogën ka një sipërfaqe prej mbi 29 mijë hektarësh. Në total, sipërfaqja e zonave të shpallura në këtë bashki arrin mbi 51 mijë hektarë.
Edhe Bashkia Patos është përfshirë në këtë paketë, ku janë shpallur pesë zona prioritare në fshatrat Kuqar, Drenie, Gjynaqarë, Ruzhdie dhe Siqecë. Sipërfaqja totale e këtyre zonave është rreth 2 800 hektarë.
Sipas vendimeve të qeverisë, kufijtë, shtrirja territoriale dhe pikat e hyrjes dhe daljes për secilën zonë do të përcaktohen në hartat përkatëse të sistemit KRGJSH, të cilat i bashkëlidhen akteve.
Për zbatimin e këtyre vendimeve janë ngarkuar Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe bashkitë përkatëse.
Një banor i Rrjollit, iu bashkua protestës së zhvilluar këtë mbrëmje para Kryeministrisë, ku mbajti një fjalim emocional dhe me tone kritike ndaj qeverisë.
Duke folur para protestuesve, ai tha se nuk vinte si përfaqësues i ndonjë institucioni apo organizate, por si një qytetar që përjeton çdo ditë pasojat e vendimeve që, sipas tij, merren pa dëgjuar zërin e komuniteteve lokale.
“Nuk ju flas si diplomat, apo si drejtues ambasade, por jetoj në një vend, ku thuhet; pse nuk duhet të marrim mendim nga të tjerët. Ne jetojmë çdo ditë plagët. Lufta me ne na është shpallur nga vëllezërit tanë që qeverisin.”
Banori i Rrjollit u ndal edhe te zhgënjimi që, sipas tij, kanë përjetuar shumë qytetarë ndër vite, duke deklaruar se pritshmëritë për ndryshim pas rënies së regjimit komunist nuk janë përmbushur.
Ne kemi gabuar rëndë, se menduam se iku sistemi i telave me gjemba. I drejtohem çdo shqiptari, protestat e mia janë nga ’90 e deri më sot. Jam goditur çdo ditë, se jam dëmtuar. Kemi qarë shumë, e vazhdojmë.”-tha ai.
Në vijim të fjalës së tij, ai falënderoi të rinjtë për pjesëmarrjen në protestë, duke i cilësuar si shpresën e vendit dhe si faktor kyç për ndryshimin që kërkohet nga protestuesit.
Një pjesë e rëndësishme e deklaratës së tij iu kushtua marrëdhënies mes protestuesve dhe forcave të rendit. Ai akuzoi drejtuesit politikë se po krijojnë përçarje mes qytetarëve dhe policisë, duke nxitur tensione të panevojshme.
Heqja e gardhit të vendosur në zonën e Kakomesë është kthyer në një nga temat kryesore të protestës së 20-të të qytetarëve kundër qeverisë, e cila po zhvillohet këtë mbrëmje në Tiranë. Nga podiumi i protestës, një prej pjesëmarrësve deklaroi se tërheqja e autoriteteve erdhi si rezultat i presionit të ushtruar nga qytetarët dhe paralajmërimeve për një mobilizim në terren gjatë ditëve në vijim.
Në fjalën e tij para protestuesve, ai kujtoi se vetëm pak ditë më parë ishte bërë thirrje për një grumbullim në Kakome, pasi sipas tij qytetarët kishin kërkuar ndihmë për situatën e krijuar nga vendosja e gardheve në zonë.
“Pardje kemi bërë një thirrje për të shkuar të dielën në Kakome sepse ata kanë vënë gardhe dhe qytetarët na kanë kërkuar ndihmë. Pushtetarët na dëgjuan dhe shkuan e hoqën gardhin që do ta rrëzonim ne me duar e rrëzuan sot me eskavator. E kanë nga frika”, u shpreh protestuesi.
Deklarata e tij u prit me duartrokitje dhe thirrje nga të pranishmit, të cilët e konsideruan heqjen e gardhit si një reagim të institucioneve ndaj presionit publik.
Sipas protestuesit, veprimi i autoriteteve tregon se zëri i qytetarëve mund të ndikojë në vendimmarrje, ndërsa ai argumentoi se mobilizimi i vazhdueshëm është mënyra e vetme për të arritur rezultatet që kërkohen nga pjesëmarrësit në protestë.
“Ata çuan eskavatorët, por ne do t’i fitojmë një nga një të gjitha betejat derisa të shporrim qeverinë dhe kryeministrin. Dorëheqje!”, deklaroi ai mes ovacioneve të turmës.
Fjala e protestuesit u shoqërua me thirrje kundër qeverisë dhe me kërkesa për largimin e kryeministrit Edi Rama, një kërkesë që është përsëritur vazhdimisht gjatë protestave të fundit.

Një qytetar, banor i zonës së Astirit nga protesta që po mbahet para Kryeministrisë pohoi se si ky tubim nuk është parë në këto 35 vite.
Ai deklaroi se kjo kastë politike ka pasur mundësi të bëjë shumë gjëra për vendin, por ka zgjedhur të mos i bëjë. Ai shtoi se shpresa mbetet te rinia, e cila sipas tij, duhet të jetë ajo që të zëvendësojë Ramën në Kryeministri.
“35 vite kjo protestë nuk ka ndodhur. Kjo politikë ka pasur mundësi që të rregullojë shumë gjëra. Jam banor i Asitrut, na largua nga shtëpitë tona. Për unazën e re, Unaza e Madhe është ndarë me lote, ku janë ushtarët e këtij pas. E falënderoj nga zemra këtë rini. Kjo nuk është protetë ët të marrë pushtetin, por kundër hajdutërisë. Nuk drejtohet duke vjedhur. Duhet të reagojmë për të ardhmen. Duhet të vini ju këtu, jeni të shkolluar, jo këta korba!”, tha banori i Astirit.

Qytetarët janë mbledhur edhe sot në Sheshin Skënderbej, në ditën e 20-të të protestës së tyre në kryeqytet.
Pas grumbullimit në shesh, protestuesit vijuan marshimin drejt Kryeministrisë, ku me pankarta në duar, thirrje përmes megafonëve, kërkuan mes të tjerash edhe largimin e Kryeministrit.
Gjatë protestës janë lëshuar thirrje edhe ndaj opozitës. Organizatorët kanë theksuar se gjatë këtyre ditëve nuk është lejuar pjesëmarrja apo afrimi i figurave politike në tubim.
Ndërkohë që një nga organizatorët e protestës, aktivisti Arben Kola, deklaroi se ditën e nesërme do të jetë protestë e madhe. Ai deklaroi se kjo do të jetë për shkak se protestës pritet t’i bashkohen edhe qytetarë nga diaspora.
“Nesër vjen mërgata, kanë prerë biletë pa kthim”, u shpreh ai.
Protesta e 20-të kundër qeverisë ka nisur nga Sheshi Skënderbej, ndërsa organizatorët paralajmërojnë se aksioni do të kulmojë nesër me një protestë kombëtare.
Qytetarë të shumtë janë mbledhur këtë të premte në Sheshin Skënderbej në Tiranë, në kuadër të protestës së 20-të radhazi, nga ku pritet të nisin marshimin drejt godinës së Kryeministrisë për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Protestuesit me pankarta në duar ripërsërisin thirrjet për ndryshim rrënjësor të politikës. Aktivisti Arben Kola në nisje të protestës ka deklaruar se protestuesit nuk pranojnë negociata me klasën politike që, sipas tij, ka vjedhur dhe ka tradhtuar vendin.
"Edi Rama, Balluku, Erioni, Iliri, Saliu, Lulashi, Fatmir Gërdeci, Gramoz gjakpirësi e shumë e shumë të tjerë, meqë më akuzojnë sa njëri sa tjetri, e dinë shumë mirë që ky popull, me këtë urrejtje që ka, është i gatshëm t’i tërheqë zvarrë dhe t’i çojë në fund të detit.
Por ne nuk kërkojmë që t’i tërheqin zvarrë nëse ata dorëhiqen paqësisht; ne duam që drejtësia të vendoset në vend dhe drejtësia të merret me ta. Që ta kuptojnë një herë e mirë, të mos kërkojnë negociata.
Negociata me hajdutë dhe tradhtarë nuk ka. Nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme, atë e vendos sovrani dhe jo njerëzit nëpër studio. Sovrani sot jeni ju dhe janë ata mijëra shqiptarë që janë nisur nga mërgata për t’u bashkuar, dhe me mijëra të tjerë që kanë prerë biletat.
Deri më datë 25 do të bëhen rreth 50 mijë të ardhur nga jashtë atdheut. I ftojmë bizneset e Tiranës të na bashkohen."-tha Kola.
Po ashtu gjatë fjalës së tij para të pranishmëve, iu drejtua me një thirrje edhe efektivëve të Policisë së Shtetit të angazhuar për mbarëvajtjen e protestës. Ai tha se qytetarët po protestojnë edhe në interes të tyre, duke i ftuar të mos i shohin protestuesit si kundërshtarë.
"Ne po protestojmë edhe për ju, për familjet tuaja dhe për një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët", u shpreh Kola gjatë fjalimit të tij.
Ndërkohë, organizatorët kanë paralajmëruar se aksioni protestues nuk do të ndalet me tubimin e sotëm. Ata kanë njoftuar se nesër do të zhvillohet një protestë kombëtare, ku pritet pjesëmarrja e qytetarëve nga qytete të ndryshme të vendit.
Lini një Përgjigje