Në vijim të intervistës në podcastin “Të Pashoq”, Gjergj Zefi, editor i Pamfletit, është ndalur te emri i Lea Ypit, e përfolur gjerësisht ditët e fundit si kryeministre teknike e mundshme apo si pasardhëse e Edi Ramës në krye të qeverisë.
Zefi kujtoi se “Pamfleti” ka qenë i pari që e ka përmendur publikisht emrin e Ypit si një figurë politike të mundshme, që në mars të vitit 2023, në një kohë kur shumëkush e quante të pamundur ose të pabesueshme një skenar të tillë.
“Kam shkruar për Lea Ypin në mars të 2023-s, kur asnjë nuk e mendonte këtë. Disa më thoshin që ishin budallallëqe ato që shkruaja, por kishte dhe nga ata që më thoshin jeni shumë largpamës”, tha Zefi.
Sipas tij, Ypi nuk është një emër që vjen nga strukturat e PS-së apo nga baza politike e kësaj partie, por është një “projekt personal i Ramës”, një lëvizje strategjike për të pasur një figurë që mund të përfaqësojë një tranzicion të kontrolluar të pushtetit ose një rivendosje të imazhit të qeverisë në rrafshin ndërkombëtar.
-Si e shihni të ardhmen e Lea Ypit? Është folur si kryeministre teknike, apo pasardhëse e Edi Ramës. “Pamfleti” ka qenë ndër të parët që e ka nxjerrë si emër.
Gjergj Zefi: Për Lea Ypin, të them të drejtën, kam shkruar në mars të vitit 2023, atëherë kur asnjë nuk e mendonte, sa disa prej njerëzve edhe më thoshin mua, ‘ç'janë këta budallallëqe që shkruan’. Por kishte dhe prej atyre që më thoshin, ‘jeni shumë largpamës’. Kemi thënë që mund të jetë një alterego e kryeministrit të Shqipërisë. Jo si e përzgjedhur e socialistëve, por si e përzgjedhur e vetë Edi Ramës. Madje dhe titulli në atë kohë ishte, “as Lali, as Belinda”. Pasi këtu luhej për alteregon e kryeministrit. Dhe kjo, nuk është se ne jemi fallxhorë, po ideja ishte se, nëse do ta analizoje nga afër situatën, mënyrën se si komportohej në tregun politik, në tregun evropian, mënyrën se si Rama librat e saj po ja jepte dhuratë ish-presidentëve, presidentëve dhe gjithë lidershipit politik në Evropë, bëmë një analizë dhe analiza na çoi këtu dhe tregoi që nuk kemi të gabuar.
-Ju e shihni te ky variant që keni dhënë shumë më herët apo te ky që po diskutohet?
Gjergj Zefi: Unë e shoh të pashmangshme edhe, nga vetë lëvizjet e asaj zonjës, që ajo do merret me politikë dhe që do angazhohet në politikë. Pastaj se ku, alterego e kryeministrit, zëvendëskryeministre, ku e di unë, këto janë çështje pastaj që i takojnë zhvillimeve hap pas hapi që do të ndodhin në politikë. Se momentalisht, nëse Rama nuk vendos që të ketë qeveri teknike, s'ka pse e bën atë kryeministre teknike. Pastaj Rama nuk e ka vetë në dorë edhe qeverinë teknike, se po ta kishte në dorë s'e bënte fare teknike.
Këto suhen thashëetheme jo analiza.