TAGS-AT E JAVËS

Politike18 Janar 2026, 18:30

Alimehmeti braktis Salianjin, flet nga foltorja e Berishës: Të punojmë për fitoren!

Shkruar nga Pamfleti

Alimehmeti braktis Salianjin, flet nga foltorja e Berishës: Të

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka vijuar ditën e sotme turin e foltoreve në zonën e Kombinatit në Tiranë, ku u zhvillua një tjetër takim me mbështetës dhe strukturat e partisë.

Gjatë këtij takimi, ka mbajtur fjalën edhe kryetari i këshilltarëve bashkiakë të Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Ilir Alimehmeti, i cili më herët ka marrë pjesë në takimin e organizuar nga Ervin Salianji në Durrës.

Alimehmeti ka kritikuar ashpër qeverinë dhe politikat shtetërore, duke u ndalur te problematikat që, sipas tij, po përballen qytetarët e zonës.

Ai deklaroi se në Kombinat po synohet shembja e banesave për t’i hapur rrugë ndërtimit të kullave, duke e cilësuar këtë si një qasje negative ndaj komunitetit.

“Këtë shtet e ka kapluar e keqja. Jemi të kapur nga narkotrafiku dhe të rinjtë po largohen nga vendi, ndaj duhet të angazhohemi", u shpreh Alimehmeti.

Alimehmeti ka bërë thirrje për pjesëmarrje në protestën e thirrur nga Partia Demokratike më 24 janar, duke e cilësuar atë si një protestë të rëndësishme. Sipas tij, PD është partia e fjalës së lirë dhe këto qëndrime duhet të përkthehen në veprime konkrete.

Ai u ndal edhe te roli i strukturave të partisë, duke theksuar se ato janë shtylla kurrizore e Partisë Demokratike dhe ura lidhëse mes qytetarëve dhe selisë qendrore.

“PD i ka numrat e mëdhenj, por kjo matet edhe me besimin që përcjell. Fitorja është e përbashkët, pavarësisht se mund të kemi mendime të ndryshme”, përfundoi demokrati.

Lini një Përgjigje