TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet13 Korrik 2026, 09:58

Kuvendi mblidhet sot ne seancë, policia rrethon Parlamentin me gardh metalik

Shkruar nga Pamfleti

Kuvendi mblidhet sot ne seancë, policia rrethon Parlamentin me gardh

Kuvendi do të mblidhet sot në seancë plenare, ndërsa forcat e Policisë kanë marrë masa të shtuara sigurie duke rrethuar me gardh metalik të gjithë perimetrin e godinës së Parlamentit.

Masat janë ndërmarrë pas incidenteve të regjistruara disa ditë më parë para Kuvendit, ku pati përplasje mes protestuesve dhe deputetëve.

Deri në këto momente nuk ka konfirmim nëse do të zhvillohet një protestë para godinës së Parlamentit gjatë seancës së sotme. Rrethimi i zonës me barriera metalike synon të parandalojë incidente të mundshme dhe të garantojë mbarëvajtjen e zhvillimit të seancës plenare.

Ndërkohë, në zonë pritet të ketë një prani të shtuar të forcave të Policisë, të cilat do të monitorojnë situatën dhe do të jenë në gatishmëri për çdo zhvillim.

Nw rendin e ditës janë përfshirë projektrezolutat për vlerësimin e veprimtarisë së institucioneve të pavarura për vitin 2025, si edhe diskutime për çështje të ngritura nga zgjedhësit.

Deputetët do të shqyrtojnë raportet vjetore të një sërë institucionesh, duke nisur me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, si dhe Bankën e Shqipërisë.

Në seancë do të kalojnë për shqyrtim edhe projektrezolutat për veprimtarinë e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Institutit të Statistikave (INSTAT), Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Radiotelevizionit Shqiptar, Autoritetit të Mediave Audiovizive, Entit Rregullator të Energjisë dhe Entit Rregullator të Ujit.

kuvendi rrethohet me gardh metalik

Lini një Përgjigje