
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka thënë se deputetët e opozitës kanë qenë nxitësit kryesorë, që ligji i amnistisë penale të shpejtohej.
Manja u shpreh se mund të bëhen 84 votat për ta kaluar amnistinë penale në Kuvend dhe shtoi se opozita nuk duhet ta kushtëzojë votën për agjendën e saj politike, apo për emra të caktuar.
“Deputetë të opozitës kanë qenë, ndoshta nga nxitësit kryesorë që unë si ministër Drejtësie, të shpejtoj bërjen e ligjit të amnistisë. Unë them që do të bëhen votat për amnistinë penale, sepse di që ka shumë kolegë në radhët e opozitës, që e dinë rëndësinë e kësaj amnistie dhe impaktin që përcjell në zona, te qytetarë, te familjet e margjinalizuara. Unë mendoj që, padiskutim opozita ka agjendën e saj politike, por duhet t’i bashkohet mazhorancës në këtë nismë, ta votojmë ligjin e amnistisë dhe sigurisht pastaj, t’i vazhdojë agjendat e veta politike. Por kjo, unë mendoj që e nderon opozitën, vota për amnistinë. Nuk mundet, është gjëja më e pandershme të kondicionosh votën për një ligj amnistie, për një agjendë të caktuar politike, apo për emra të caktuar.
Diskutimi i këtij projektligji ka filluar në Komisionin e Sigurisë, ka kaluar në parim, pastaj do të jetë në Komisionin e Ligjeve. Opozita ka çfarë kërkon në këtë ligj, mund të gjenden pikat e dakordësisë për këtë ligj amnistie, por nuk duhet ta kondicionojë dhe ta personalizojë për emra konkretë, apo për vepra penale konkrete”, theksoi Manja në intervistën e tij për ABC News.
Lini një Përgjigje