
Nënkryetari i Partisë Demokratike, Luciano Boçi, ka zhvilluar një takim në Fier në kuadër të mbledhjes së Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale, ku morën pjesë qytetarë, përfaqësues të pushtetit vendor, organizata joqeveritare dhe deputetë.
Gjatë fjalës së tij, Boçi deklaroi se reforma territoriale e vitit 2014 ka dështuar në përfaqësimin e qytetarëve, në ofrimin e shërbimeve dhe në garantimin e autonomisë vendore.
“Fieri ka qenë një nga qarqet që nuk e ka pranuar ndarjen territoriale të vitit 2014. Sot ka kërkesa legjitime nga qytetarët për një riorganizim të ri administrativ që t’u përgjigjet nevojave reale të komuniteteve”, u shpreh Boçi.
Sipas tij, reforma nuk duhet të ndërtohet mbi interesa politike apo vendime të marra në zyrat e qeverisë, por mbi konsultimin me qytetarët.
“Një reformë territoriale nuk mund të bëhet në tavolina politike apo mbi variante të paracaktuara. Qytetarët duhet të dëgjohen dhe nevojat e tyre duhet të jenë baza e çdo ndryshimi administrativ”, tha ai.
Boçi kujtoi se projekti fillestar i reformës së vitit 2014 parashikonte 46 njësi vendore, por më pas numri u ndryshua në 61 bashki për arsye politike.
“Nga 46 njësi vendore përfunduam me 61 bashki për interesa politike. Kjo reformë u kthye në një hartë politike dhe jo në një projekt në funksion të qytetarëve”, tha nënkryetari i PD-së.
Ai ngriti shqetësimin se reforma ka dobësuar përfaqësimin lokal dhe ka thelluar diferencat mes zonave urbane dhe rurale.
Duke iu referuar raporteve të SIGMA-s, Boçi tha se qytetarët në zonat rurale vazhdojnë të marrin më pak shërbime dhe më pak investime krahasuar me qendrat urbane.
“Ka një hendek të madh mes bashkive të mëdha dhe zonave rurale. Banorët në fshatra ndihen të braktisur dhe larg vendimmarrjes”, deklaroi ai.
Në fjalën e tij, Boçi e lidhi situatën e pushtetit vendor edhe me fenomenin e emigracionit dhe shpopullimit.
“Kur pushteti vendor nuk funksionon dhe qytetarët nuk marrin shërbime, atëherë ata largohen. Shpopullimi i zonave rurale lidhet drejtpërdrejt me mungesën e një administrimi efikas dhe mungesën e perspektivës”, tha ai.
Boçi kritikoi gjithashtu mungesën e decentralizimit real dhe autonomisë financiare për bashkitë, duke argumentuar se reforma e vitit 2014 ka thelluar pabarazitë mes njësive vendore.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që diskutimi për reformën territoriale të mos shihet si debat politik, por si një proces për të ndërtuar bashki më funksionale dhe më pranë qytetarëve.
“Ky duhet të jetë një proces për t’ia afruar pushtetin vendor qytetarëve dhe për të ndërtuar bashki funksionale, me kompetenca të qarta dhe autonomi financiare reale”, përfundoi Boçi.
Lini një Përgjigje